Nga super Mario tek sfidat e vendit fqinj
Presidenti Mario Dragi ka folur përsëri gjatë kësaj jave. I cilësuar si Super Mario edhe këtë herë ka qenë në linjë edhe me liderët kryesorë të institucioneve europiane, përsëri i matur në fjalët e tij. Kanë qenë fjalë që kanë shtuar optimizmin por në të njëjtën kohë kanë qenë edhe fjalë të forta të thëna me vendosmëri. Natyrisht si president i Bankës Qendrore Europiane e ka bërë të qartë se kushtet për ndihmat nga fondi i shpëtimit të shteteve nuk duhet të jenë ndëshkuese. Më tej presidenti i Bankës Qëndrore Europiane, Mario Dragi ka shtuar se “në Spanjë ka patur progres por ka ende probleme. Plani do të na lejojë të shmangim sfidat e rënda për stabilizimin e çmimeve”. Në të njëjtën kohë ka dashur që të shtojë se Banka Qëndrore Europiane po kryen gjithçka brenda mandatit të saj dhe se programet e blerjes së titujve të shtetit do të bëhen në koherencë me objektivin e stabilitetit financiar dhe do të ndërpriten vetëm atëherë kur të arrihen objektivat. Nga ana tjetër ka vënë në dukje se programi i blerjes së titujve të shtetit të vendeve që kërkojnë nga fondi i shpëtimit të shteteve nuk zëvendëson aksesin e shteteve në tregjet dhe nuk aplikohet për vendet që po ndihmohen. Sidoqoftë Banka Qëndrore Europiane kërkon që të lëvizë në sintoni me Bundesbank-un në traditën e saj në mbrojtje të stabilitetit të çmimeve. “Taksat e inflacionit të eurozonës janë mbi 2% në vitin 2012, për të zbritur përgjatë vitit të ardhshëm ndërsa rritja duhet do të qëndrojë e dobët dhe do të hasen tensione në tregje. Nga ana tjetër është folur edhe për monedhën euro dhe vendosmërinë për të vazhduar me monedhën e përbashkët. Ndërkaq Banka Qëndrore Europiane ka lënë të pandryshueshëm taksën e interesit dhe taksa e referimit do të qëndrojë në 0,75%. Ka qenë një komunikatë e Mario Dragit fill pas përfundimit të Këshillit Drejtues që u zhvillua në Lubjanë në kryeqytetin slloven. Muajin e kaluar institucioni i udhëhequr nga Super Mario kishte paraqitur një program për blerjen e titujve të shtetit. Por natyrisht kreu i Bankës Qendrore Europiane në këtë situatë aspak të mirë po luan një rol të tij shumë të rëndësishëm në panoramën ekonomike europiane. Situata europiane hera –herës duket kritike ndërsa herë të tjera mbushet me doza optimizmi. Kritike sepse ka vende si Greqia që nuk mund të arrijnë dot përtej muajit nëntor nëse nuk do të merrnin ndihmën ndërkombëtare. “Çelësi është likuiditeti. Për këtë është e rëndësishme paketa tjetër e ndihmës për ne” - ka deklaruar kryeministri i vendit fqinj Samaras i cili ka shtuar më tej se Greqia mund të rezistojë deri në fund të nëntorit. “Pastaj arka është bosh”. Edhe në këtë rast Banka Qendrore Europiane mund të japë një ndihmë duke pranuar të ulë interesin e saj mbi borxhin grek. “Mund të imagjinoj një rikapitalizim të bankave greke si ajo që u mor në konsideratë për Spanjën” - ka deklaruar kryeministri grek. Ndoshta edhe për këtë çështje është folur në takimin mes ministrit të Financave të Greqisë, Janis Stournaras dhe përfaqësuesve të trojkës mes të cilëve gjermani Matthias Mors (si përfaqësues i Bashkimit Europain), Klaus Masuch (i Bankës Qëndrore Europiane), dhe Paul Thomsen danez (i Fondit Monetar Ndërkombëtar). Sipas gazetave europiane qeveria e vendit fqinj për të arritur një marrëveshje është gati për të shkurtuar pensionet dhe shërbimet e asistencës në të cilat nuk kishte ndërhyrë kurrë më parë. Por a do të ishin dakord politikanët grekë për këtë marrëveshje? Një përgjigje e saktë nuk ekziston. Ndërkaq situata e Greqisë është krahasuar me Republikën e Weimar vetëm disa ditë më parë. “Demokracia greke gjendet përballë sfidës më të madhe” – kishte deklaruar kryeministri grek Samaras për gazetën gjermane Handelsblatt. Gjendja shoqërore është në rrezik nga paunësia në rritje, siç ka qenë në Gjermani në fund të Republikës së Weimar-it – ka shpjeguar kryeministri i vendit fqinj. “Jemi në kufijtë e asaj që mund t’i kërkojmë popullit tonë. Grekët janë të gatshëm për të sakrifikuar, por duan të shikojnë dritën në fund të tynelit”. Më shumë se gjysma e të rinjve grek, kanë humbur punën që kishin më parë, po rritet varfëria dhe “gjithmonë dhe më shumë grekët po shkojnë në mencat për të varfërit e kishës”. Në këtë situatë edhe Gjermania do të kërkonte të ndihmonte Greqinë sepse gjithnjë dhe më shumë janë në lojë marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve por në të njëjtën kohë duhet diskutuar edhe për çështjet ndërkombëtare dhe për ato të Eurozonës.