“Kufiri detar - marrëveshja e re, sipas frymës kushtetuese dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”

Ministri i Jashtëm Edmond Panariti flet për rinegocimin e kufirit detar me Greqinë
Në daljen e parë për media pas kthimit nga Athina zyrtare, ministri i Jashtëm Edmond Panariti e ka kujtuar një vizitë të suksesshme pasi gjatë takimeve kanë prekur shumë çështje dhe të gjitha në një frymë mirëkuptimi. “Vizita ime, suksesi i kësaj vizite, në radhë të parë është cilësuar si e tillë nga pala greke, e cila e ka konsideruar shumë produktive, një vizitë që projekton drejt së ardhmes marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë në frymën e dialogut të sinqertë, në frymën e adresimit të problemeve pa asnjë lloj kompleksi, pa asnjë lloj paragjykimi. Pikërisht me këtë frymë unë pata rastin që me homologun tim Dimitris Avramopulos të vendos mbi tryezën e bisedimeve të gjithë problemet që ka dosja shqiptare, duke filluar më problemet e mbartura nga historia dhe këtu i referohem problemeve të Çamërisë dhe të pronave shqiptare në Greqi dhe problemeve aktuale”, deklaroi Panariti.
Në një prononcim për mediat ministri Panariti ka theksuar se ka marrë garanci nga homologu grek Dimitris Avramopulos se marrëveshja detare do të zgjidhet në frymë të Kushtetutës dhe sipas asaj çfarë përcaktojnë konventat ndërkombëtare. Këtë optimizëm Ministri e ka lidhur dhe me faktin se shteti grek nuk ka avancuar me marrëveshjen e vjetër detare, duke shtruar nevojën kështu për hapje të negociatave për një riformulim të ri të saj.
“Pozicioni Shqipërisë është i qartë. Ky problem do të adresohet në frymën e Kushtetutës së vendit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. I theksova mikut tim Avramopulos se, mbas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për ne nuk ekziston marrëveshja për detin dhe duhet të punojmë së bashku për të krijuar kushtet për të filluar negociatat për një marrëveshje të re, e cila duhet të jetë një marrëveshje që nuk duhet të kontestohet nga asnjëra palë për të qenë një marrëveshje e qëndrueshme. Ky është edhe qëndrimi im. Pa dyshim Dimitri Avramopulos dëgjoi qëndrimin tim dhe besoj se e respektoi në këtë drejtim, dhe vura re me kënaqësi që edhe shteti grek nuk ka avancuar me ratifikimin e marrëveshjes së vjetër. Ajo është e ngrirë nga shteti grek gjë që më bën të shpresoj se edhe shteti grek do të afrohet, ose do të jetë kompatibël në përputhje me qëndrimin shqiptar për adresimin e kësaj çështje shumë të rëndësishme”, theksoi ministri i Jashtëm Panariti.
Sipas tij qëndrimi i Athinës zyrtare është që çdo gjë do të bëhet në frymën e dialogut dhe marrëveshjeve dhe të konventave ndërkombëtare.
Ndërsa në lidhje me ligjin e luftës, ministri i Jashtëm ka nënvizoi se kjo temë është biseduar pasi, “kjo nuk është ndonjë kërkesë e re. Ky është një absurditet që unë besoj se edhe pala greke është plotësisht e ndërgjegjshme që kemi të bëjmë plotësisht me një absurditet të pastër, përderisa të dy vendet janë aleat në NATO mbajtja e një ligji të tillë është tërësisht jashtë kohe, një absurdi pastër dhe unë mendoj që pala greke do të ketë vullnetin për ta abroguar”, nënvizoi ai.
Ndërkaq në diskutimet e tyre nuk kanë munguar dhe çështje të aktualitetit, ku Ministri numëroi disa zhvillime pozitive sa i përket njohjes së certifikatave, nënshkrimi i marrëveshjes për lehtësimin e transportit urban, apo çështja e Çamërisë dhe kthimit të pronave te tyre.
“Më lejoni që të shpalos këtu edhe arritje të tjera të kësaj vizite, sepse kjo vizitë ishte shumë komplekse, nuk është përqendruar vetëm në çështjet kryesore që ishin ai i ujërave dhe çështja Çame dhe e pronave shqiptare në Greqi. Por diskutuam edhe për shumë problem të tjera për të cilat patëm rezultate konkrete. Në radhë të parë ne vendosëm të gjejmë një zgjidhje të shpejtë për çështjen e njohjes së certifikatave nga të dy vendet respektive, do të punohet edhe për marrëveshjen e vulës Apostile dhe do të kemi rezultate të shpejta në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mos stërmundohen për legalizimin, por nëpërmjet një vule të thjeshtë të kapërcehen procedurat e ndërlikuara të legalizimit të dokumenteve. U arrit një marrëveshje dhe po punohet që të finalizohet, pikërisht ajo për lehtësimin e transportit urban. Ju e dini që transporti urban ka pasur vështirësi, bllokime nga të dyja palët”, vijoi ministri Panariti.
Sipas tij homologu grek u tregua konstruktiv ku u diskutua dhe detyrimet që lindin nga zbatimi i marrëveshjeve respektove dhe BE.
“Avramopulos u tregua shumë konstruktiv, u lidhëm edhe me Ministrin e Transporteve dhe së shpejti do të ketë edhe një takim mes Ministrit të Transportit të Greqisë dhe atij të Shqipërisë për ta finalizuar këtë marrëveshje, u diskutua padyshim edhe për mosrespektimin e marrëveshjes Shengen, pra për penalizmin në këndvështrimin tim të padrejtë të qytetarëve shqiptarë për kohën e qëndrimit të tyre. Unë ia adresova këtë qëndrim Avramopulos dhe gjeta mirëkuptimin e tij për të pasur një qëndrim të njësuar për respektimin e marrëveshjes Shengen sipas detyrimeve që rrjedhin nga kjo marrëveshje për të dy vendet respektive. U diskutua padyshim edhe për çështjen e patentave për njohjen reciproke të patentave nga të dy vendet. I theksova Avramopulos që për ne është shumë e rëndësishme respekti ndaj gjyqtarëve ndaj gazetarëve ndaj mediave dhe shtypit. Avramopulos më siguroi që shteti grek do të mbetet i hapur për mediat, qytetarët, gjyqtarët dhe padyshim mori shënim për problemin që unë ia adresova në mënyrë të drejtpërdrejt”.
Ndërsa ka shmangur komentet lidhur me incidentin me flamurin, Panariti theksoi se gjatë vizitës në Athinë diskutoi me homologun grek të gjitha problemet që mbart dosja shqiptaro-greke ndër vite, siç është çështja e Çamërisë dhe kthimit të pronave te tyre. “Ne do të hapim një kapitull të ri që nga momenti që ne vendosëm pa asnjë lloj paragjykimi dhe me vendosmëri për t’i vendosur gjërat mbi tavolinë në një format zyrtar. Tashmë ekzistojnë mundësitë që këto gjëra të futen në perspektivën e zgjedhjes”.