Qytetarët kanë votuar për integrimin, Rama po i bllokon
Kryeministri Sali Berisha inauguron rikonstruksionin e shkollës së mesme të Bashkuar “Isuf Dalipi”, në Mollaj të Korçës
Kryeministri Berisha i ka bërë sërish thirrje Edi Ramës të mos bllokojë ëndrrën evropiane të shqiptarëve. Berisha tha se ka tre vjet që po shkelmon me këmbë integrimin, ndërsa në këtë moment vendimtar po kushtëzon statusin me qarkun e Fierit. Shefi i ekzekutivit i bëri thirrje lidershipit opozitar të mos bllokojë ëndrrën e shqiptarëve, pasi zgjedhjet po afrojnë dhe është mirë t’u japë alternativë shqiptarëve
Kryeministri Sali Berisha akuzoi dje nga Korça kreun e opozitës, Edi Rama se është bërë pengesë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Nga komuna Mollaj e Korçës, ku mori pjesë në inaugurimin e rikonstruksionit të shkollës së mesme të Bashkuar “Isuf Dalipi”, kryeministri Berisha e lidhi akuzën e tij me qëndrimin refuzues të opozitës në miratimin e reformave dhe ligjeve me 3/5.
Për kreun e ekzekutivit e njëjta praktikë bllokimi vazhdon edhe sot në prag të një vendimi të madh, marrjes së statusit të vendit kandidat në BE, të cilin siç tha Berisha, Rama e kushtëzon me qarkun e Fierit. “Jemi në prag të një vendimi të madh, vendim i cili do të përcaktojë statusin për Shqipërinë. Sapo inaugurova shkollën dhe, tek shihja fytyrat e bukura, sytë që shndrisnin të fëmijëve tuaj, lexoja në sytë e tyre inteligjent vetëm një ëndërr, një projekt, kjo ishte ëndrra evropiane, ëndërr që ju po e bëni çdo ditë e më tepër realitet me punën tuaj. Sërish, për 3 vite me radhë, bëhen përpjekje për të bllokuar realizimin e kësaj ëndrre. Kryetari i PS-së, për të bllokuar këtë proces, kërkon: më jep Fierin, që të të votoj ligjin. Por si qëndron e vërteta, të dashur qytetarë?. E vërteta është se një grup jo i vogël i këshilltarëve të tij, kanë kaluar në anën e mazhorancës, absolutisht me vullnetin e tyre të plotë të lirë. A keni dëgjuar ju që unë t’i kërkoj atij Paulinin, i cili kaloi nga grupi im parlamentar në grupin e tij parlamentar?. Në një vend të lirë, njerëzit kanë të drejtë të bëjnë zgjedhjen e tyre. Këshilli j qarkut Fier ka 50 këshilltarë nga mazhoranca aktuale. E ftoj dhe e pyes kryetarin e PS-së: përse nuk e vendos në mocion mosbesimi kryetarin aktual në Fier? Kjo ndodh sepse nuk ka vota. Ndaj i them; mos blloko se shqiptarët nuk meritojnë t’i bllokojmë. Qytetarët e mbarë Shqipërisë, kanë derdhur e derdhin lumenj djerse, në mënyrë që ata të zënë vendin e merituar në Evropë”, u shpreh Berisha.
Kryeministri i bëri apel kreut të opozitës të zhbllokojë votimin e ligjeve me 3/5 në mënyrë që Shqipëria të ecë drejt të ardhmes dhe të zhvillojë në 2013-ën zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Z. Rama kishte mbledhur dje gratë socialiste në Elbasan dhe u thoshte se; ‘në 2005-ën, Kryeministri na u paraqit në një fotografi i krehur mirë e me duar të pastra’. Unë do t’i them këtu para jush, mos u merr me fotografitë, sepse ai këshilltari yt që të jep këto ide, është përjashtuar nga PD-ja vetëm e vetëm se u mor me fotot tuaja intime. Mos dëgjo atë. Jepu alternativë qytetarëve. Fotot janë të shkuara, ne të shohim drejt të ardhmes. Zhbllokoje atë votim, të marrim statusin që na takon, të shkojmë drejt zgjedhjeve, të angazhohemi para jush dhe të gjithë shqiptarëve me burrëri e dinjitet, për zgjedhje të lira e të ndershme dhe të respektojmë vendimin tuaj suprem. Unë ju bëj thirrje zoti Rama; voto ligjet që kërkohen për statusin e vendit në BE. Mos shfrytëzo votën e baballarëve, nënave të fëmijëve tanë, të cilët kanë votuar për të ecur drejt BE-së. Mos shfrytëzo votën për të bllokuar këtë proces, mos shfrytëzo votën për të shkelmuar ëndrrën evropiane të shqiptarëve, sepse, duke nxjerrë deputetët nga komisioni parlamentar i ligjeve, dëshmon një shkallë të lartë papërgjegjshmërie. Më thoni ju, të dashur nxënës, nëse 3-4 nxënës nga klasa do të ngriheshin në mes të orës së mësimit dhe të iknin pa pyetur fare prej saj, çfarë përshtypje do të bënin te ju? Do të ishte një gjest i pa përgjegjshëm. Ky akt ndodh çdo ditë në parlament, vetëm e vetëm që të tregojnë se ne nuk meritojmë statusin. Unë shpreh respektin tim për ju dhe për prindërit tuaj dhe le t’u thoni atyre se për ju, përparësi kryesore ka ëndrra evropiane. Zgjedhjet po vijnë, me votën e tyre ata le të votojnë për ju, le të votojnë për ëndrrën tuaj evropiane”, tha më tej kryeministri Berisha.
Modernizimi i infrastrukturës shkollore, prioritet i qeverisë
Duke u ndalur te inaugurimi i përfundimit të rikonstruksionit të shkollës së mesme të bashkuar “Isuf Dalipi”, Berisha vlerësoi standardet e rikonstruksionit të kësaj shkolle dhe siguroi se qeveria do të vazhdojë përpjekjet e saj për të modernizuar infrastrukturën shkollore në çdo skaj të vendit. Krahas këtij objektivi madhor, Kryeministri siguroi se etapa e dytë madhore është gara e cilësisë dhe në arsimin tonë, qeveria do të synojë të përshtatë modelet më të mira të Evropës dhe të botës.
Sipas tij, sot qeveria shqiptare ka vendosur mësuesin në epiqendër të reformës për arsimin. Gjatë përurimit të shkollës kryeministri iu përgjigj edhe deklaratave të Ramës në lidhje me përurimet e shkollave në vend, duke i kujtuar se ato janë ndërtuar nga vendorët, por me fondet e qeverisë dhe sipas tij të sulmosh arritjet nuk është meritë.
Sipas kreut të qeverisë, gjatë 11 viteve të qëndrimit të krye të bashkisë së Tiranës, Edi Rama ndërtoi vetëm 7 shkolla, nga 17 që i kishte ofruar qeveria për financim me fond 2.1 miliardë lekë, të cilat, siç tha kryeministri, nuk i ndërtoi sepse trojet i kishin zënë “Fidelët”.
“Asnjë çështje nuk është më serioze se arsimi. E dëgjoja dje ish kryetarin e bashkisë së Tiranës, i cili deklaronte se shkollat i ndërton pushteti vendor. Unë, Kryeministri i vendit, jam i gatshëm të brohoras për çdo kryetar komune dhe bashkie që ndërton shkolla me fondet e tij. Sikundër, unë i garantoj ata, kudo që janë, se kjo qeveri do të bëjë gjithçka për të financuar e ndërtuar shkolla të reja moderne, në të katër anët e vendit. Kemi ndërtuar e rindërtuar 71 për qind të shkollave. Këtu, në komunën tuaj, kryetari i komunës më tha se nevojitet të ndërtohet edhe një shkollë e re dhe unë i jap fjalën se do ta ndërtojmë atë brenda vitit që vjen. Por, i nderuar ish kryetar i bashkisë së Tiranës, dua të njoftoj qytetarët e Korçës, qytetarët shqiptarë, se gjatë mandatit tuaj, qeveria e Sali Berishës u akordoi juve, si kryetar bashkie, 2.1 miliardë lekë për të ndërtuar shkolla në Tiranë, jo një, por 17 shkolla, në mënyrë që vogëlushët, fëmijët në Tiranë të ulen në banka, në klasa normale dhe jo me 50 nxënës. Çfarë ndodhi zoti ish kryetar me ato para? Ato para nuk i shfrytëzove dot për shkolla. Ndërtove gjithsej, nga 17 shkolla, vetëm 7 të tilla dhe sot, të gjitha gjimnazet e Tiranës janë me 40-45 nxënës, më shumë të mbushura se klasat e të gjithë Shqipërisë. Kjo ndodhi sepse ty nuk të lanë trojet, trojet i hanin ‘Fidelët e tu’ për pallate shumëkatëshe, ndërsa fëmijët nuk kishin mundësi të bërtisnin për trojet, as të paguanin ryshfete për trojet, ndaj dhe mbeteshin shkollat pa ndërtuar. Pra, nuk duhet të mërzitesh fare për faktin se unë problemet me arsimin i trajtoj me mësuesit e vendit dhe me këta fëmijë, të cilët kanë tani detyrën më të rëndësishme të jetës së tyre, mësimin dhe edukimin në shkollë”, tha Berisha.