E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Nga takimi i parë “zhgënjyes” te telefonata e fundit, diplomati Ylljet Aliçka kujton kantautorin Fabrizio de André

Fabrizio de André është një nga emrat më të rëndësishëm e të shquar të kulturës italiane. Kantautori u kujtua sot në emisionin “Në radio” përmes një interviste që gazetari Andri Xhahu realizoi me shkrimtarin dhe diplomatin Ylljet Aliçka, i cili e ka njohur nga afër De André –në.

Njëherësh, Aliçka është edhe bashkëthemelues i fondacionit “Fabrizio de André” në Milano të Italisë. Aliçka tregon se lidhja dhe pasioni për artin e De André-së ka nisur që në moshën kur sipas tij mendohej se gjithçka është muzika.

“Fabrizio-n e kam zbuluar nëpërmjet pasionit ndaj poezisë franceze të viteve ’60. Atëherë dëgjoja fshehurazi Radio France Internationale. Ka qenë Georges Brassens, i cili më goditi dhe nisa të lexoj dhe të përkthej poezitë e tij. Ai thoshte se pasuesi im në muzikën europiane është një italian, Fabrizio de André. Jam ndikuar shumë nga muzika e tij. Është një nga referencat më domethënëse të muzikës, poezisë dhe të kantautorëve italianë.” 

Fabrizio de André njihet për tekstet e rafinuara dhe të drejtpërdrejta, që godisnin problematika të kohës. “Opinioni dhe perceptimi publik i muzikës së tij ishte i papërgatitur për këtë qasje që iu bë realitetit përmes muzikës. Me këngët e tij preku problemet më therëse, skutat më të errëta dhe plagët e shoqërisë njerëzore.” 

I pyetur se si ra në kontakt me kantautorin italian, Ylljet Aliçka kujton se në vitet 1993-1994, si zyrtar i marrëdhënieve me jashtë në Ministrinë e Kulturës, pati së bashku me ministrin e atëhershëm Teodor Laço një takim me ish-ambasadorin italian Paolo Foresti.

“Ambasadori tha se kemi një buxhet për një koncert të një këngëtari italian. Unë bëra një manipulim sepse thashë që shqiptarët vdesin për Fabrizio de André. Nuk ishte e vërtetë. Në ato vite edhe në Itali ishte një numër shumë i vogël që e njihnin sepse muzika e tij quhej intelektuale.” Më pas arrin të krijojë një urë komunikimi me agjenten e kantautorit. “I thashë që Fabrizio është aq i njohur në Shqipëri sa një nëpunës si puna ime i di këngët e tij, mendoni se ç’bëhet në masë. I recitova disa vargje nga një këngë që ishte pak e njohur. ‘Vecchio professore cosa vai cercando in quel portone. Forse quella che sola ti può dare una lezione. Quella che di giorno chiami con disprezzo pubblica moglie. Quella che di notte stabilisce il prezzo alle tue voglie.’ Është një këngë ironike për profesorët e mëdhenj që ditën japin leksione për moralin dhe natën shkojnë me prostituta. Ajo u prek dhe tha që do të bisedonte me maestron, dhe unë lashë numrin e telefonit.” 

Të nesërmen Fabrizio de André i telefonin Aliçkajt. “I bëra karshillëk Fabrizios, që unë ju njoh aq mirë sa ju kam përkthyer. Gradualisht u lidh një njohje dhe flisnim një herë në muaj në telefon. Arriti në një pikë që tha: ‘Nëse nuk ke ndonjë plan këtë verë merr gruan dhe eja në shtëpinë time në Sardenja’.”  

Ylljet Aliçka shprehet se për të ishte ngjarje që në atë moshë te re do të takonte për herë të parë idhullin e tij. “Fillimisht takimi ishte zhgënjyes. Ai kishte dalë në det ndërsa e shoqja që më priti me makinë në Olbia më çoi deri te qendra bujqësore që kishte ngritur Fabrizio. Unë isha një nga të ftuarit e radhës atë ditë. Ishte fillimi i vitit 1996. Shihja rrotull tij aristokratë. Nipi i tij erdhi dhe më tha të bëjmë një lojë me futboll dhe e lashë të fitonte. Më tha se kush humbet paguan 10 mijë lireta. Më pas e munda 6 me 5. I thashë të shkonte t’i thoshte gjyshit që ka ardhur miku nga Shqipëria. Në momentin që dëgjoi fjalën “Albania”,Fabrizio u kthye dhe fjala e parë që më tha ishte: “Çfarë t’u sajojmë këtyre borgjezëve që kam aty që t’i heq qafe”. Ishte vërtetë me shumë emocion për mua.” 

Sipas Aliçkajt, autoriteti i kantautorit ndihej te njerëzit që i drejtohehsin, kurse ai vetë ishte i sjellshëm. “Fabrizio ishte i ngrohtë, kurioz dhe me aftësinë për të dëgjuar e për të kapur thelbësoren te secili dhe te çdo bisedë.” 

Se sa e njihte Fabrizio de André Shqipërinë, Aliçka tha se kantautori kishte dëgjuar Radio Tiranën një herë e një kohë dhe kurioziteti ishte ideologjik, thelbi i atij sistemi. “Në vitin 1997, për paradoks, shtëpinë ia vodhën dy shqiptarë. Por ai nuk përgjithësonte.”

Duke u ndalur në vitin e mbrapshtë për Shqipërinë dhe shqiptarët, nga raporti miqësor me De André-në, Aliçkaj ruan një kujtim të veçantë. “Në vitin 1997 bëhej evakuimi i disa figurave sepse mendohej që do ketë luftë civile. Në ambasadën italiane erdhi një telegram që e kishte dërguar Fabrizio ku kërkonte: “Evakuoni mikun tim”. Nuk ndodhi sepse të nesërmen kishte filluar të qetësohej situata dhe së dyti në helikopter kishte vetëm dy vende, dhe unë kisha edhe dy fëmijët. Ne kishim krijuar një miqësi të mirë”.

Në vitin 1999 Aliçka telefonon De André-në për të bisedua për koncertin dhe aty mëson që kantautori ndodhej në spital. “E pyeta nëse është diçka serioze dhe më tha “quasi seria” (thuajse serioze). I thashë që në gojën e një poeti kjo do të thotë “shumë serioze”. Zuri të qeshte. Ajo ka qenë biseda e fundit me të. Tre muaj pasi vdiq, gruaja e tij me një grup prej pesë vetësh themeluan fondacionin “Fabrizio De André” në Milano, që merret me promovimin e veprës së Fabrizio-s në Itali ose jashtë. Unë jam te pesë themeltarët. Këtë e quaj si ngjarje të bukur të jetës sime.” 

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›