Flamuj që valëviten kudo
Nga Elidon DODAJ
Zyrtarisht jemi në fushatën e madhe elektorale. Në tregun e gjerë të premtimeve dhe të mos realizimeve. Në betejën se kush flet më shumë, më bukur, dhe se cili grumbullon më shumë popull nëpër sheshe e stadiume. Jemi gati për tu nisur në këtë muaj që edhe moti nuk do të na favorizoj sepse kështu e ka planifikuar njëherë diell e temperatura të lartë e njëherë shi e fresk fund-pranverorë. Nuk kemi lënë qytet pa vizituar, faleminderit mediave vizive, që tashmë me teknologjinë e tyre na e sjell Gjirokastrën, në pak sekonda se sa vajtja për 5-6 orë deri atje në një udhëtim jo fortë të këndshme se sa të lodhshme. Mos harroni jemi thjeshtë në fushatë!
Kthehemi pas: Në 99-të vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Një parti politike e krijuar rishtas atyre kohëve shkonte shtëpi më shtëpi duke i dhuruar nga një flamur kombëtar të gjithëve që ta valëvisnin nëpër dritaret e tyre, që ti paraprinim Jubileut të 100-të të Pavarësisë sonë. Pothuaj çdo familje në fshat e qytet atë vit nëpër dritare, ballkone e tarraca valëviste flamurin e kombit atë që mburremi para atyre qindra shteteve sovrane. Një vit më pas në 100 vjetorin e Pavarësisë kryeministri i nxiti qytetarët kudo që ndodheshin brenda e jashtë kufijve që Flamurit ti jepnin dimensionin që meritonte e ashtu u bë! Madje në 100-vjetorin e Pavarësisë, Flamuri u valëvit në po thuaj të gjitha sheshet qendrore të metropoleve botërorë. Sa bukur, por festa një ditë përfundon, flamuri heshtë, si zakonisht i vetëm në mes të qytetit, i vetëm në godinat e institucioneve, nëpër biznese, e kudo. Tashmë pas gjashtë muajsh, ballkonet e dritaret ngjajnë sikur një festë karnavalesh, nëpër to janë valëvitur flamurë elektoral në fakt flamurët e partive që i kanë zënë pamjen fasadave që po bien dita ditës.
Pak të lësh qendrën, e të kalosh në periferi e afërm ia nis ajo që quhet zona e nxehtë elektorale. Dyqane të kthyera në shtabe, që kanë mbuluar xhamat me afishe dhe dizenjo të logove të partive. Flamurë të vendosur nëpër të gjitha katet e ndërtesave në mënyrë kaotike. Të rinj e të reja që dalin e hyjnë nga këto zyre e shtabe elektorale, entuziast me bluza që mbajnë logon e partive, disa të tjerë rutinor, dhe shumë të tjerë që kalojnë dhe as nuk duan tia dinë se në ato ambiente po thuren fatet se cilët do na qeverisin pas 23 qershorit. Në to po thuren intriga apo jo, se kush duhet ta lërë punën dhe kush duhet të ik më vrap për tia lëshuar të tjerëve… prapaskena që vetëm në filma do të dukeshin më bukur. Teksa regjisorët e tyre janë shpërndarë nëpër Shqipëri duke lobuar për më shumë vota! Është koha kur flamuri ynë tek tuk duket në ndonjë cep mitingu, i mbuluar nga qindra flamur të tjerë partiak. Nga ky mjerim dhe gurët do të qanin,/s’mund të mos çahet zemra si me plor,/këndonin për mustaqet e sovranit,/poetë të oborrit mbretëror. (Xh. Spahiu, ‘SHIGJETA’, 1987)
Teksa bëja dy-tre hapa nëpër rrugët e Tiranës në ndërtim, takoj xha Verin. Një zotëri burrë, ushtarak i arsimuar ne Lindje edhe pse në mendjen e tij dhe doktrinën që ai zakonisht e shfaq hapur shton duke ma studiuar mendimin tim se: komunizmi edhe pse ishte ashtu siç ishte; në të vërtetë vlerësimin e meritokracisë nuk e humbi në asnjë çast, përpos atyre që dilnin jashtë vijës së partisë siç thotë ai! Dhe ajo që më bën ta pyes është flamurët që na kanë zënë kokën teksa po kalojmë në këta trotuarët as një metroshe.
- Si po të duket dekori? Ja bir, shifi ngjyrat sot, dhe eja më thuaj pas 23 qershorit u kanë ikur apo jo ajo hijeshia (boja) e parë… Besoja se do ndante një mendim të ndryshëm, por jo edhe pse shumë vite më i madh se unë mendonte njëjtë edhe pse që të dy e duam vendin tonë, të dy ia dimë vlerat këtyre viteve plotë të mira e mangësi që ka kaluar vendi ynë. Por, sërish të orvajtur nga kjo rënie e plotë në gjumë e njerëzve për të kërkuar dhe të vënë në jetë më të mirën, e vijuam rrugën duke parë se si dritareve, ballkoneve, tarracave të shtëpive dalloheshin qartë bindjen e njerëzve. Diku dikush kishte vënë flamur për të ruajtur vendin e punës, diku tjetër dikush kishte vënë flamur për të treguar se unë jam i gatshëm tu shërbej qeverive të ardhshme. Militantizmi që ka ngërthyer edhe shtëpitë tashmë të lë një fare shije sikur nuk ndodhesh më në qytet, por je duke hyre e dal nga selitë e partive politike. Ku pas çdo përshëndetje duket sikur dikush të thotë: RROFTË PARTIA!
Fushata e flamurëve ka nisur, e së bashku më këto flamur, do të dëgjojmë qindra e qindra premtime. Pse jo kushdo që do të fitoj nga ato që thotë diçka do ta bëj… Së paku të përfundojnë këto nisma që janë në zhvillim. Le të jenë këto shirite e inaugurime që bëhen çdo ditë jo vetëm pjesë elektorale dhe takim me militantet që secili nga një flamur me vete. Por, edhe një vëmendje se ky vend po ndryshon, po ecën përpara, po rilind, e në fund pse edhe ne të mos ndjehemi po aq evropian sa çdo qytetar i kontinentit tonë. Ta duam më së pari vendin tonë, të kontribuojmë për të mirën e tij. Si qytetar të denjë duke nisur me votën tonë paçka se e injoron apo jo kutin përbri partisë thjeshtë, për tu thënë këtyre njerëzve që na drejtojnë e do të na drejtojnë se jeni aty fal nesh dhe asgjë më shumë se kaq!