Ngastra e 2K kërkon piramidën e Sheshit “Skëndërbej”
Ka të drejtë Inxhinier Enver Faja - me shkrimin e botuar dje në këtë gazetë - kur shkruan se punimet sipas planit spekulativ Belg apo Francez në sheshin “Skëndërbej” janë një atentat i pastër ndaj kryeqytetit të vendit. Arsyetimi është i qartë dhe i thjeshtë, sepse - siç thotë ai - ky plan monstruoz mbart mungesa, dobësi dhe gabime qysh në koncept, prandaj në shumë aspekte si: funksionale, apo në formë e përmbajtje, në aspektin urbano - strukturor, sociologjik, ekonomik, tekniko-inxhinierik, hapësinor, estetike a mjedisor, nuk mund të anashkalohen. Me projektin belg po godasim gabuar qendrën në zemrën e saj. Gjithsesi me sa po konstatojmë ditëpërditë, është pak t’i quash ligësi veprimet arbitrare të punonjësve të Bashkisë në këmbët e statujës së kalorësit të Krishtit, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu; aq më tepër kur sheh se sa i nxituar dhe kokëfortë është Edvin Rama për të kënaqur egon e vet personale me fillime pa plan dhe pa leje të riformatimit të sheshit “Skendërbej”. Gjithçka të ngjall një dyshim të madh për shtysat se përse tani ky reagim i bashkisë në epiqendrën e Tiranës.
Natyrisht shumë herë, Ai, ka dhënë prova se është përtej klishesë 20-vjeçare, por të mos respektosh ligjet e vendit, e rikthen me të drejtë Atë në kohën e papërgjegjshmërisë së madhe të së kaluarës moniste, ku veprohej sipas midesë së diktatorit. Diktati që Edi Rama i ka dhënë publikut të Tiranës është i i papranueshëm. Pasi epiqendrën e Tiranës, në këtë arenë të demokracisë shqiptare, I papranueshmi Rama nuk po e zbut me armën e protestës masive demokratike, sikur matadori Sali Berisha bënte me kaun e lyer me të kuq në vitet 90. Sikurse kësaj radhe po përballet një gjeneratë të dytë - bij e nipa/mbesa të etërive biologjikë - të këtyre deputetëve dezhurn si te pallati i Dashit, po ashtu tek selia e kuvendit. Më tej socialistët përditë e më shumë po identifikohen jo më me sheshin Skëndërbej, por me një mejdan të kuq e të përgjakur, të modifikuar gjenetikisht nga diktatura komuniste.
Afërmendsh për të gjithë është e dukshme se sheshi kryqtar i Tiranës është në një gjendje të mjerueshme prej 20 vitesh, e që 10 prej këtyre të fundit, ajo qeveriset nga soc-komunisti i Bashkisë, Edi Rama, i cili nuk ka bërë asgjë përveçse ka shtuar shtuar amullinë e kinse projekteve të mëdha për të fshehur meskinitete të vogla: leje pallatesh.
Ndërkaq të gjithë kanë kuptuar se ç’ka qenë dekada “Rama” në krye të Qytetit. Pasi u mësuan me mashtrimin me miratimin me bujë dhe me shkumë deti, çka bëri fitimin e mendjeve lehtësisht të manipulueshme nga media pranë sheikut të bashkisë, plani francez nuk mjaftonte më për orekset e ortakëve të tij në biznes “beton & çelik: për të gjithë”, por u desh dhe u shpik plani megalaktik belg. Bile në atë francez parashikoheshin edhe tramvaje që do të lehtësonin disi trafikun, por ato u fshinë tek ky i fundit. Për çfarë arsyeje madhore u bë ndryshimi i planit të parë. Bashkia e interpeluar për këtë fakt nuk jep përgjigje. Por ndonjë zëdhënës shtypi jep më shumë kontradikta sesa shpjegime.
E ndërsa “hartohej” projekti, mbizotëroi lulëzimi i eko-monstrave te betonarmesë.
Gjithsesi, ndërhyrja në shesh në këtë lloj mënyrë të njëanshme, madje e filluar overnight, për gjithë natën me një oreks të paparë shkatërrimi, me një paraqëllim, por pa asnjë lloj profesionalizmi identitar kulturor dhe arkitekturor, na surprizoi disi.
Për të fashitur shqetësimin, vjen njoftim se “për hir të qytetarëve” (!!), rregullimi i trafikut të këmbësorëve do bëhet me një unazë. Gjithçka për një “oaz” pedonal. Krejt qesharak si justifikim, sepse asgjë s’mjafton për të bërë më efikas qarkullimin e trafikut.
Për këtë katrahurë, epitetet nuk mungojnë, pasi tastiera e kompjuterit të jep mundësi t’i cilësosh këto veprime si të një anti-qytetari delirant, posesiv, tej mase primitiv, mendjengushtë, i paditur, pa kulturë debati, eksklamativ, militantist i verbër, fodull për nga natyra, arrogant për nga detyra, cmirëzi e ditëzi, sektar, “khmer rouge” në legalitet, komunist me bindje por jo në pamje, brigadier partie, tallash 25 karatësh, tamil-qamil maoist, marksist gjenetik, trockist në kromozom, manall i përkryer, autarkist, sherrxhi i sofistikuar, kafkëmbyllur me kokëqoshe...