Zyrtare/Do pezullohen punimet në sheshin “Skënderbej”
Kryeministri Berisha ka paralajmëruar dje ndërhyrjen e strukturave qendrore për pezullimin e punimeve në kryesheshin e Shqipërisë, pasi fadromat e bashkisë po i shkatërronin identitetin Sheshit “Skënderbej”, duke i fshirë historinë e duke e kthyer në një territor të lakmuar prej klientëve të Edi Ramës
Kryeministri Sali Berisha u shpreh se ekzekutivi do të ndalojë punimet e Bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”. Shefi i ekzekutivit, përmes një konference për shtyp tha se “Edi Rama duhet të reflektojë, pasi në të kundërt, qeveria do të ndërhyjë”. “Sheshi “Skënderbej” nuk mund të ndërtohet sipas planit të ofruar nga Bashkia e Tiranës pasi humbet identitetin”, vuri në dukje kryeministri Berisha.
Specifikisht, Berisha vërejti se Instituti i Monumenteve të Kulturës, bazuar në shqyrtimin e planit për qendrën i ka kërkuar z. Rama disa modifikime: “Së pari, heqjen dorë nga kulla, e cila bllokon bulevardin apo ndan bulevardin ‘Zogu I’ me sheshin ‘Skënderbej’ dhe e shndërron atë në një rrugë qorre, sikundër shtrohet problemi dhe për kullat e tjera për të cilat Instituti vlerëson se janë një largim madhor nga identiteti i kompleksit. Se dyti, Instituti i kërkon Ramës të ruajë blloqet me të cilat është ndërtuar sheshi. Instituti ka gjykuar të ruhet identiteti duke ruajtur blloqet dhe jo duke përdorur rrasat e malit të Shkëlzenit. Në qoftë se Rama do shtrojë sheshin dhe bulevardin me rrasat e Shkëlzenit unë do jem në anën e tij me kusht që ta miratojë Instituti. Së treti, Instituti i thotë jo piramidës”, u shpreh kreu i qeverisë.
Kryeministri tha më tej se projekti duhet të jetë objekt i diskutimeve më të gjera të grupeve të specializuara dhe studiot urbanistike dhe arkitekturore duhet të thonë fjalët e tyre. “Gjithashtu plani duhet t’i nënshtrohet diskutimit të qytetarëve të Tiranës dhe në të gjitha qarqet akademike”, u shpreh kryeministri.
Berisha theksoi se shpreh shqetësim ndaj qëndrimit që kryebashkiaku Edi Rama po mban ndaj punimeve në sheshin “Skënderbej”.
Sipas tij, qeveria nuk ka asnjë dëshirë dhe disponibilitet të marrë kompetencat e pushtetit vendor, por e konsideron sheshin “Skënderbej” si kryesheshin e vendit dhe është e disponueshme të kontribuojë për rikonstruksionin e sheshit.
“Qeveria ime e konsideron sheshin dhe bulevardin si Ansambël të Trashëgimisë Kulturore të shqiptarëve të shpallur rreth 10 vjet më parë nga qeveria socialiste”, tha kryeministri Berisha, duke shtuar se “vendimi për ta cilësuar sheshin si monument kulture është marrë nga vetë Rama”.
Shefi i ekzekutivit shtoi se kryebashkiaku duhet të shqyrtojë angazhimin e qeverisë dhe gatishmërinë e saj për bashkëpunim. “Qeveria mbetet plotësisht e gatshme për një bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, për një kontribut parësor, cilido që të nevojitet, pasi një shesh ka Tirana kryesor, një shesh ka Shqipëria kryesor dhe detyrimisht qeveria është e gatshme të ofrojë të gjitha burimet e nevojshme në mënyrë që kjo të dalë si një rindërtim i një kryevepre. Ai është një kryevepër në vetvete, ka pësuar gjymtimet e veta të mëdha me goditjet të cila iu dha tregut gjatë diktaturës, por ai ka qenë një projekt shumë i madh. Një ndër arkitektët më të njohur të kohës ka bërë projektin e tij. Nuk jam kundër ndryshimeve, por duhet të bëhen mbi bazë kriteresh serioze, të caktuara, duke respektuar trashëgiminë kulturore, duke respektuar natyrisht edhe një diskutim të gjerë më qytetarët e Tiranës”, tha kryeministri.
Shefi i ekzekutivit, vlerësoi edhe njëherë si problem madhor, çështjen e trafikut. Sipas kreut të qeverisë, sipas planeve të Bashkisë asnjë unazë nuk i del dot zot trafikut të sheshit “Skënderbej”.
“Nuk kam absolutisht as hezitimin më të vogël, por kam zero garanci për sa i përket trafikut. Për të normalizuar trafikun ajo unazë në vitin 2001, është parashikuar të jetë me 5 korsi dhe po të ishte me 5 korsi, nuk do të isha këtu të shtroja vështirësinë e trafikut, pasi më bindin se nuk krijohet vështirësi në trafik. Pse është hequr dorë prej 5 korsive? është hequr dorë në atë kohë prej 5 korsive, për shkak të një çmimi stratosferik të shpronësimeve që sillnin 5 korsitë. Nuk jam unë që kam hequr dorë. Pra po të keni ndjekur arkitektët belgë, unë i ndoqa, ata thanë në intervistë se ne nuk jemi marrë me trafikun, i cili do të zgjidhet me unazën e parë, të dytë, të tretë, të katërt, më duket edhe me një të pestë. Ku janë unazat? Sot kemi vetëm një unazë funksionale, prandaj kjo nuk bëhet me vrap. Kjo bëhet, por me një përllogaritje të plotë të fondeve që duhen, të lëvizjeve që do bëhen. Ku janë unazat, më thoni ju mua? Duhen edhe tri të tjera për t’i dalë zot trafikut. Në një kohë që kemi 4 vjet që nuk po merremi dot vesh, por që tani shpresoj të merremi vesh, për një segment prej 5-6 kilometrash që janë në territorin e bashkisë dhe 4-5 kilometra që janë në territorin e komunës së Farkës dhe bëhet top futbolli”, deklaroi kryeministri Berisha.