E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stalini e quante Shqipërinë plaçkë tregu

Me rastin e 62-vjetorit të një ngjarjeje të zezë antishqiptare

Komunistët e indoktrinuar shqiptarë të PPSH-së, që u pagëzua me këtë emër pasi kishte qenë Parti Komuniste gjer në Kongresin e Parë të Partisë së Punës, i kanë mbajtur shumë të fshehta këtij popullit tonë të shumëvuajtur. Në këto sekrete antikombëtare kanë dorën e përnjollosur edhe shkarravitësit e historiografisë së falsifikuar, me në krye Nexhmije Hoxhën, Ramiz Alinë dhe të gjithë varganin e historianëve hipokritë të diktaturës (dhe të pasdiktaturës).
Më prill të vitit 1948 e më parë, Stalini po fillonte fushatën e madhe antisemite. E bija e tij, Svjetllana, ishte ndarë nga i ati prej burrit çifut. Paolina Molotov, gruaja e Vjaçesllavit, që kishte qenë pranë Stalinit në të gjitha takimet me çërçillin e me Ruzveltin, ishte internuar në një vend aziatik të BRSS-së. Persekutimi përshiu edhe mjaft nga ish-miqtë e ngushtë të Stalinit. Mjaft nga anëtarët e familjes Alliluiev, pas vetëvrasjes së gruas së diktatorit, Nadieshdës, pësuan të njëjtin fat.
Pas Terrorit të Madh, edhe pas Luftës II Botërore u gjetën motivet për të mbajtur njerëzit nën fré. Por tani, siç shkruan Simon Sebag Montefiore në librin e tij të dokumentuar “Stalin, the court of the red tsar” (prill 2005), “Stalinit i duhej të përballonte opozitën e tij të vërtetë gjatë këtyre njëzet viteve. Mareshali Tito nuk e quante veten vasal të tij, se ushtria e tij kishte luftuar kundër gjermanëve dhe nuk kishte pritur Ushtrinë e Kuqe, që ta çlironte”. Autori vazhdon: “Gjatë takimit në Kominform, jugosllavët i bënë një kundërveprim të fortë qëndrimit diktatorial të Zhdanovit. Kur Stalini e lexoi raportin, s’po u besonte syve dhe nuk i besohej një harbutësí e tillë”.
Në shkurt Stalini ftoi jugosllavët e bullgarët në Moskë dhe filloi t’i poshtërojë, sikur të kishte të bënte me anëtarët e Byrosë së tij Politike. Atje ai, në vend që t’i kundërvihej planit Bullgari-Jugosllavi, propozoi një bashkim tri federatash, të vendeve që urreheshin prej kohësh. Si alternativë propozonte që Jugosllavia ta gëlltiste Shqipërinë. “Duke thënë këtë, - shkruhet në librin e cituar, - bënte gjestin e grabitjes dhe me buzë bënte zhurmën e diçkaje që po gëlltiste. Por ai nuk ia arriti, në këtë mënyrë, veçse të përforconte armiqësinë e Titos”.
Stalini dhe Molotovi i dërguan Titos një letër, në të cilën i shpreheshin se ky po njollosej me mëkatin e ndyrë të Trockit. – “Mendojmë, - shkruhej në letrën kërcenuese të cekur më sipër, - se karriera politike e Trockit do të ishte e mjaftueshme dhe mësimdhënëse”. Por jugosllavët as që deshën t’ia dinin. Më 12 prill (1948), e hodhën poshtë publikisht këtë letër. Stalini vendosi që ta asgjësonte Titon. – “Mjafton të lëviz gishtin e vogël, - i kishte thënë një anëtari të B. Politike, - dhe Titos i vjen fundi”. Veçse Tito u bë një kockë më e fortë se Trocki dhe Bukharini” (Dedijer, “Tito speaks”, f. 319).
***
Që t’i kthehemi fillimit të këtij shkrimi, duhet të shtojmë se qé Stalini ai i cili, me një telefonatë, ia ndërroi emrin nga P. Komuniste në Partia e Punës e Shqipërisë. Por me Milovan Gjilasin dhe me Eduard Kardeljin, nuk i eci që ta bënin zap Titon. Veçse atyre të dyve u mbeti dëshmia, secili në kujtimet e veta, që ta bënin të njohur botërisht qëndrimin e Stalinit ndaj Shqipërisë. Pas Destalinizimit, në vigjilje të Kongresit XX të Bashkimit Sovjetik, pjesa më e madhe e funksionarëve të lartë të vendeve të Lindjes Komuniste, botuan kujtimet e tyre dhe pozicionimi i Stalinit në dëshirën e tij që ta bënte plaçkë tregu Shqipërinë, është tashmë i padyshimtë. Në kujtimet e tij édhe Ramiz Alia ka një fragment në të cilin pohon se ishte në njohje të këtij fakti. Por vetëm kaq.
Kurse Nexhmija e ka bërë tabù këtë çështje. Ajo, së bashku me bashkëpunëtorin e saj Ramizin, e kuptojnë se nuk është vetëm një kontradiksion ruajtja e statujave dhe e busteve të Stalinit, së paku pas vitit 1956, kur shtetet homologe të Lindjes i hoqën bashkë me piedestalet. është një solidaritet ndaj një tirani antishqiptar. Kjo ka domethënien e saj: Enver Hoxha nuk vuri vetëm interesat e partisë së tij mbi interesat kombëtare, por vetveten mbi interesat e vendit. Ai (dhe ithtarët e tij) mbetën stalinistë të kamufluar, në kohën kur stalinistët e Lindjes e të Perëndimit e bënë def Stalinin, pasi dolën në dritë të diellit të gjitha krimet e tij të llahtarshme.
Tani as Ramizi, as Nexhmija nuk flet dot për “revizionizmin”, se do të qeshnin të gjithë me budallallëkun e tyre. Por kjo bufonatë e revizionizmit, shpikje satanike e Enver Hoxhës, ka vënë para plotoneve të ekzekutimit dhe ka shkatërruar familje të tëra! Enveristi Edvin Rama jo më kot ka bërë sajesat e tij të hapjes së kutive, - pa dashur t’ia dijë se cili do t’i hapë, - për mbijetesë si kryetar i shkurorëzuar, jo për interesa të vendit. Si Enveri që vuri interesat vetjake mbi ato kombëtare, ashtu edhe EdRama nuk është në gjendje që të bëjë atë që ka bërë prej kohësh Ilir Meta, duke vënë interesat e vendit mbi ato të partisë së tij. Edhe LMN-ja, përveç respektimit të ligjit brenda partisë (konkretisht Statusit të saj), është koherente në parimin e vendosjes së interesave të vendit mbi ato partiake. Cilin nga eksponentët euroatlantikë ka dëgjuar Rama, apo fanatikët e tij komunistë, që të kenë thënë se miratojnë rrëmujat dhe bojkotet e rrugëve dhe të rrugicave të bashkiakëve nën hyqmin e kryetarit abuziv të PS-së, me sloganet anarkiste që Berisha të hapë kutitë ose të ikë? Mos ka marrë thërrimet e votave kryetari i të djathtëve, siç kanë marrë partizat e koalicionit të Ramës, që s’kanë nxjerrë deputet as kryetarin e tyre dhe tani duan të risjellin ’97-n me të gjitha pasojat e saj, gjer në atë tetëvjeçarin e mallkuar që e ka telendisur vetë inkoherenti Rama?
***
Tani, disa shqyrtime: A nuk mund të vendoset ligjërisht post mortem dënimi i diktatorit shqiptar për tradhti kombëtare? Le të kujtojmë se këtë e kanë kërkuar qysh herët ish-të përndjekurit politikë.
Ka ardhur koha, siç mendojnë ata që kanë vuajtur të zitë e ullirit gjatë diktaturës, që të ndalohet me ligj propaganda enveriste. është një mënyrë efikase që t’u priten rrënjët nostalgjive që janë shfaqur me përkujtime anakronike të “festave”, me objekt panegjirizmin e diktaturës dhe të diktatorit. Le të kujtojmë edhe fotot e E. Hoxhës në muret e brendshme të ministrisë së Jashtme. Këto revoltuan ish-të përndjekurit politikë (në kohën e atij tetëvjeçari që përmendëm), të cilët dolën për javë të tëra me parulla kundër diktaturës, por pushteti socialist as që ua vuri veshin. Përderisa doli Doris Paku përkrah të të përndjekurve dhe u tha pushtetarëve majtistë: - Hiqini ato foto të turpshme!- dhe e përcaktoi këtë veprimtari si të pangjashme me asnjë vend europian.
E majta jonë destruktive, që ka vënë në dorë dhe ka manipuluar një opozitë që sheh kudo dhe kurdoherë zi, - dhe vetëm zi, - nën thundrën me kthetra të hekurta të Edi Ramës, (i kapur edhe ai nga mëkatarë të padukshëm më lart), të gjithë së bashku kërkojnë të mbjellin kaosin, në vend që të bëhet një oponence konstruktive, siç ndodh në botën demokratike. Janë të gatshëm t’i shohin njerëzit tanë pa viza Shengen dhe jashtë komunitetit euroatlantik, vetëm e vetëm që të vënë pushtetin në dorë, sipas kritereve leniniste.
Formalisht kërkohet “transparencë”. Por a është bërë, së pari, kjo transparencë se përse Rama nuk e vuri kandidaturën e tij, në zgjedhjet e 28 qershorit të 2009-s? Një miku im investigues më thotë se ka pyetur 10 anëtarë të PS-së së Ramës dhe gjysmat kanë ngritur supet, ndërsa pesë të tjerët më kanë dhënë përgjigje të ndryshme! Na rroftë kjo lloj transparence!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›