E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Komision “ad hoc”, për kandidaturën e Avokatit të Popullit

Kryetari i PS-së jep një paketë propozimesh për projektbuxhetin, mënyrën e përzgjedhjes së kandidaturës për Avokatin e Popullit dhe flet për paktin me mazhorancën

TIRANË Partia Socialiste ndërmerr hapin e parë drejt zgjedhjes së një kandidature të depolitizuar për Avokatin e Popullit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi dje në fillim të mbledhjes së grupit parlamentar socialist, ngritjen e një komisioni “ad hoc” me deputetë të PS-së por edhe përfaqësues të Asamblesë Kombëtare e shoqërisë civile, për përzgjedhjen e kandidaturës së Avokatit të Popullit. “Propozoj sot ngritjen e një komisioni ‘ad hoc’ të përbërë nga deputetët, Eglantina Gjermeni, Besnik Baraj, Astrit Beci, dhe anëtarët e Asamblesë Kombëtare, Mimoza Hafizi dhe Gëzim Tushi, për thithjen, shqyrtimin dhe seleksionimin e kandidaturave për Avokatin e Popullit. Këtyre pesë anëtarëve t’u shtohen edhe dy të ftuar si anëtarë nga shoqëria civile. Ky komision të hartojë pastaj një ftesë publike për çdo kandidaturë, të organizojë dëgjesa me çdo kandidat, dhe të përgatisë brenda 30 ditësh një raport me një propozim konkret për grupin parlamentar. Çdo qytetar me shkollim, eksperiencë dhe ambicie për ta marrë përsipër misionin e avokaturës së interesave të popullit, është i ftuar të trokasë në derën e Partisë Socialiste për mbështetjen tonë. Ne nuk duam një avokat të Partisë Socialiste që të marrë urdhra nga partia, por një Avokat të Popullit nën urdhrin e Kushtetutës. Jemi gati të mbështesim shqiptarin apo shqiptaren që e ka këtë ambicie dhe do të rezultojë më adapt për këtë mision publik”, - tha dje kryetari i PS-së, Rama. Kryetari i opozitës ka akuzuar gjithashtu togat e zeza se po përpiqen që t’u mbyllin gojën deputetëve të opozitës me anë të gjobave, vetëm pse këta të fundit, sipas tij po denoncojnë korrupsionin qeveritar.

“Sa padi janë ngritur në vite për shpifje nga ana jonë këtu, për të vendosur në vend dinjitetin e cenuar nga barbaria verbale e Saliut apo e kanakarëve të tij, mbi ne a mbi familjarët tanë? Nuk numërohen. Sa ndëshkime janë dhënë nga gjykatat e vendit? As edhe një! Madje është thënë e zeza mbi të bardhë nga këto gjykata, se zotëria e zotërinjtë me gjithë zonjat e oborrit të tij paskan qenë në krye të detyrës kur kanë shpifur dhe ndëshkimi ndaj tyre do të ishte një cenim i lirisë së shprehjes për shkak të detyrës, pa të cilën kjo detyrë nuk u bëka dot”,- tha ai. Rama theksoi gjithashtu se forca që ai drejton ka bërë gati një paketë propozimesh për projektbuxhetin 2012. Propozime që sipas tij, frenojnë ritmet e krizës ekonomike që ka përfshirë vendin. “Këto propozime do t’i referohen programit tonë të ri politik dhe do të bazohen në vetëdijen se kriza kërkon medoemos vendosjen e interesave kombëtare dhe qytetare mbi çdo interes politik”, - tha ai. Rama u kërkoi deputetëve që ta konsiderojnë një hap pozitiv edhe arritjen e konsensusit për 3 nga 10 pikat e paktit të ofruar nga PS-ja: “Reformë zgjedhore deri në fund të marsit me një proces të hapur dhe transparent ndaj të gjitha partive me më shumë se 1% në zgjedhjet e shkuara. Bazuar padyshim në gjetjet dhe rekomandimet e dy raporteve të ODIHR-it, por dhe në domosdoshmërinë për një debat të hapur konstruktiv, dobiprurës për sistemin zgjedhor...reformë parlamentare brenda katër muajsh, bazuar në praktikat e konsoliduara europiane për kthimin e Kuvendit të Shqipërisë nga një odë e spikeres dhe ushtrimit të tiranisë së kartonit, në një parlament të bashkëjetesës europiane mes forcave politike dhe deputetëve me liri dhe të drejta absolutisht të barabarta...dhe reformë shtetndërtuese përmes ligjeve që kërkojnë 3/5-at, duke dhënë të gjithë kontributin tonë për një proces të hapur, transparent, gjithëpërfshirës, në hartimin e çdo amendamenti apo ligji, bazuar në kalendarin e miratuar dje nga Konferenca e kryetarëve të grupeve kuvendore”

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›