E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngec procesi i legalizimeve, qytetarët nuk bëjnë pagesat

Procesi i legalizimit nuk ka përmbushur misionin, për shkak se sipas ALUIZNI-t të Tiranës, të interesuarit nuk po bëjnë pagesat në banka, një detyrim ky që ka bllokuar procesin

Procesi i legalizimit të banesave informale ka ngecur tek pagesat. Burimet nga ALUIZNI i Tiranës njoftojnë se procesi i verifikimit në terren pothuajse ka përfunduar, mirëpo qytetarët nuk po respektojnë hapin tjetër që ka të bëjë me pagesat përkatëse, pa të cilin nuk mund të vazhdohet me hipotekimin. Gjashtë vjet prej nisjes së procesit të legalizimit, nga rreth 230 mijë aplikime për legalizim vetëm 65 mijë prej tyre kanë marrë lejen e legalizimit, thonë burime brenda Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave informale. Pra, janë vetëm 28% e personave që kanë aplikuar, të cilët kanë marrë dritën e gjelbër për ta legalizuar pronën e tyre, që presupozon se janë mbi 160 mijë qytetarë që nuk e dinë ende nëse prona e tyre do të jetë e tyre nga ana ligjore. Në fakt, të njëjtat burime pranë ALUIZNI-t shprehen se procesi i legalizimit nuk ka përfunduar ende, pasi pas përfundimit të azhornimit të dosjeve dhe marrjes së faturave financiare, pronarët nuk e kanë bërë ende pagesën. Nga ana tjetër, pjesa e mbetur janë aplikimet që nuk janë përmbushur deri tani, për sa i përket azhornimit të dosjeve, si edhe ato që nuk mund të legalizohen për shkak të kufizimeve ligjore. Deri në fund të vitit 2011 qëndron ligjërisht në fuqi mundësia për të paguar pjesërisht legalizimin me bono privatizimi. Por nga vëzhgimet e gazetës MAPO, qytetarët, të cilët janë në proces legalizimi e kanë marrë faturën financiare, shprehen se nuk janë lejuar të paguhen me bono privatizimi. Ky është një nga problemet serioze që citojnë qytetarët. Ata shprehen se nuk po përfitojnë nga ulja prej 20%, në rast se paguajnë gjithë shumën e sipërfaqes së legalizuar njëherësh sipas ligjit. Në të njëjtën kohë, ata nuk lejohen, po sipas ligjit, të paguajnë 70% të shumës me bono privatizimi. “Deri tani, sipas të dhënave të ALUIZNI-t, nga procesi i legalizimeve janë arkëtuar 7 miliardë lekë, nga të cilat 4.3 miliardë lekë i janë kaluar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ndërsa diferenca iu është transferuar organeve të pushtetit vendor.

Tabela

230 mijë aplikime për legalizim

65 mijë prej tyre kanë marrë lejen e legalizimit

28% e personave që kanë aplikuar kanë marrë lejen e legalizimit

160 mijë qytetarë, ende pa përgjigje

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›