E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i energjisë, ERE nuk pranon planin e investimeve të CEZ

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) përplaset me “CEZ Shpërndarje” për sa i përket shqyrtimit të investimeve që duhet të kryejë kompania furnizuese e energjisë. Gjatë seancës së djeshme dëgjimore pa praninë e medias, janë zhvilluar debate mes dy palëve për sa i përket investimeve që duhet të kryhen për reduktimin e humbjeve në rrjet. Specialistët e ERE-s nuk janë bindur nga plani i CEZ Shpërndarjes për uljet e humbjeve në rrjet, një plan që deri tani ka dështuar. CEZ në planin e investimeve 3-vjeçare ka përfshirë dhe projektin e vendosjes së matësve me parapagesë, duke quajtur investim koston e këtyre matësve. ERE nuk ka pranuar që vendosja e matësve të hyjë në zërin e investimeve për reduktim të humbjeve. Por, sipas drejtuesve të CEZ-it, vetëm në këtë mënyrë do të shmangen humbjet në rrjet, do të mblidhen më shumë të ardhura dhe klienti do të ketë mundësinë të menaxhojë vetë shpenzimin e energjisë elektrike. Nga burime konfidenciale pranë kompanisë CEZ Shpërndarje, SCAN TV mëson se projekti i matësve me parapagesë do të funksionojë me anë të një karte, të cilën klientët do të mund ta blejnë në filialet e CEZ Shpërndarjes. E ndërkohë që këto diskutime vijojnë pafundësisht, Enti Rregullator ende nuk ka përcaktuar një datë të saktë për shpalljen e çmimit të ri të energjisë, që pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i 2012-ës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›