E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimet dhe legalizimet, shtyhet me dy vjet përdorimi i bonove

SHKRUAN: Sabina Veizaj 13-12-2011 12:03

Ashtu siç kishte kërkuar opozita një vit më parë, që afati i përdorimit të bonove të privatizimit të shtyhej deri në 2015-ën, financat propozuan dje në komisionin e Ekonomisë shtyrjen e këtij afati me dy vjet kalendarikë. Opozita nuk e votoi ndryshimin e projektligjit, duke e cilësuar si jotransparent procesin.

Procesi ende në vazhdim i legalizimeve dhe privatizimet në prag të aseteve publike kanë detyruar Ministrinë e Financave të propozojë shtyrjen e afatit të përdorimit të bonove të privatizimit deri në dhjetor të 2013-ës. Komisioni kuvendor i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar dje vetëm me votat e deputetëve të mazhorancës ndryshimet në projektligjin “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit me disa plotësime”m duke shtyrë afatin e përdorimit të bonove me dy vite kalendarike. "Një seri ligjesh që parashikojnë përdorimin e tyre, si instrument pagese në privatizime apo në procese të tjera, janë ende në fuqi dhe kanë provokuar edhe zgjatje të afateve", - tha Linda Rusmali, përfaqësuese e Ministrisë së Financave. Nga ana tjetër, për opozitën përdorimi i bonove të privatizimit ka dështuar dhe procesi nuk ka qenë aspak transparent për qytetarët. "Vlera e bonove të privatizimit në duart e njerëzve të thjeshtë bie çdo ditë e më tepër dhe njerëzit nuk gjejnë mundësi, rrugë për t'i përdorur këto bono privatizimi. Të gjitha qeveritë kanë ndihmuar nga pak që ky proces të tejzgjatet dhe shtyrja e afatit të këtyre bonove më bën të besoj se ky proces do të hiqet zvarrë pa asnjë rezultat", - tha deputetja socialiste, Mimi Kodheli. Ndërsa kreu i komisionit kuvendor të Ekonomisë dhe Financave, Edmond Spaho, në përgjigje të deputetes socialiste Kodheli, u shpreh se ishin socialistët ata që i nxorën bonot nga qarkullimi, ndërsa qeveria e djathtë sipas tij, i riktheu në shërbim të qytetarëve. "Vjet e kemi bërë këtë debat dhe kemi dhënë edhe shifrën, që mua nuk më kujtohet sot, të bonove të privatizimit që janë përdorur në procesin e legalizimit. Është një shifër e konsiderueshme", - tha Spaho. Në këtë mënyrë, mazhoranca shtyu edhe për dy vjet përdorimin e bonove të privatizimit, ashtu siç opozita kishte kërkuar një vit më parë në të njëjtin komision që përdorimi i bonove të privatizimit të shtyhej deri në vitin 2015. Një vit më parë, deputeti socialist Arben Malaj pat kërkuar që afati i përdorimit të bonove të privatizimit të shtyhej deri në 2015-ën, meqenëse përfshin një proces strategjik dhe qeveria të ulet, të bëjë një pasqyrë përfundimtare të bonove të emetuara dhe të përdorura dhe të zgjaten potencialet e përdorimit. Gjithashtu, opozita pat kërkuar që edhe ata persona që i kanë paguar faturat financiare të legalizimit në të holla, të konvertohen. Ndërsa drejtoresha juridike e Ministrisë së Financave, Linda Rusmajli sqaroi atëherë se është gjykuar për të shtyrë afatin e përdorimit të bonove të privatizimit me një vit, i konsideruar i mjaftueshëm për sa i përket procesit të legalizimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›