E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konstitucionalistët "PS ska rrugë tjetër veç Kushtetueses"

Omari: Vetëm gjykata, jo partitë, mund ti drejtohet për mendim Komisionit të Venecias

Partia Socialiste duhet ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të marrë zgjidhje lidhur me çështjen e shumëdebatuar të kutive të votimit. Deklarata këtë herë nuk bëhet nga përfaqësuesit politikë, por nga njohësit më të mirë të ligjit. Konstitucionalistët shprehen se ligjërisht e vetmja mënyrë që një subjekt politik të marrë zgjidhje për një çështje të tillë është ankimimi në Gjykatë Kushtetuese, e cila më tej i drejtohet për mendim dhe Komisionit të Venecias. Partia Socialiste deklaroi dy ditë më parë nëpërmjet deputetes së saj, Arta Dade, se e pranonte zgjidhjen e çështjes së kutive nga Komisioni i Venecias, por ndërkohë nuk pranon rrugën ligjore për të shkuar atje, pra ankimimin në Kushtetuese.

Procedura ligjore

Që Komisioni i Venecias të japë një mendim për kutitë e votimit, duhet ti kërkohet mendim dhe këtë mund ta bëjë Gjykata Kushtetuese, - shpjegon për standard konstitucionalisti Luan Omari. Sipas tij, ligjërisht institucionet, të cilat mund të kërkojnë mendim nga Komisioni i Venecias për çështje të caktuara janë Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, kryesia e Kuvendit, Kryeministri apo Presidenti, por në asnjë rast këtë nuk mund ta bëjnë subjektet politike. Por ai shton më tej se Gjykata Kushtetuese kurrsesi nuk mund të marrë vetë një iniciativë për të shqyrtuar çështjen e kutive të votimit për zgjedhjet e 28 qershorit, por duhet të vihet në lëvizje nga subjekti politik i interesuar. Dhe vetëm pas kësaj procedure, ajo mund të marrë mendimin e Komisionit të Venecias, edhe pse ai nuk është detyrues. Mazhoranca është tërësisht dakord për ndjekjen e kësaj rruge ligjore. Pohimi është bërë edhe dy ditë më parë nga Kryeministri Sali Berisha. Opozita duhet tu drejtohet institucioneve, Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias për pretendimet që ka. Sipas tij, ekzistojnë hapësirat ligjore për zgjidhjen e situatës politike në vend. Por socialistët megjithëse e pranojnë alternativën e dhënë nga ndërkombëtarët dhe nga mazhoranca, që kjo çështje të zgjidhet në Komisionin e Venecias, nuk pranojnë ankimimin në Gjykatën Kushtetuese. Deputeti socialist, Arben Ahmetaj, pohoi pas deklaratës së Byrosë Parlamentare të Këshillit të Evropës se Gjykata Kushtetuese i ka mekanizmat për të filluar vetëm shqyrtimin e kërkesës së selisë rozë për hapjen e kutive, pasi kjo forcë politike është e bindur në ligjshmërinë e aksionit të saj. Nga Byroja Parlamentare i kërkohet qartë që Gjykata Kushtetuese ta iniciojë një kërkesë të kësaj natyre dhe në fakt duhet të jetë pala që beson se kjo është një iniciativë antikushtetuese që duhet të vejë atje. Ndërsa opozita ka në të drejtën e vet të krijojë një komision pa limite, pa kufizime për transparencë të plotë dhe hapje kutish, - deklaroi Ahmetaj. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›