Ngërçi i Qeverisë përballë grevistëveNga Armand ShkullakuKosova gjendet sot e mbërthyer nga një zinxhir grevash, që nëse nuk përballohen si duhet, mund të përbëjnë një rrezik potencial për shpërthimin e tensioneve sociale. Kërkesat e mijëra punonjësv
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Ngërçi i Qeverisë përballë grevistëveNga Armand ShkullakuKosova gjendet sot e mbërthyer nga një zinxhir grevash, që nëse nuk përballohen si duhet, mund të përbëjnë një rrezik potencial për shpërthimin e tensioneve sociale. Kërkesat e mijëra punonjësve nga sektorët më jetikë të shoqërisë, pavarësisht se janë minimale, kanë pak shanse për t’u plotësuar nga Qeveria. Grevat shtohen dita-ditës, sektorët e përfshirë janë gjithnjë e më të shumtë dhe kërkesat vijnë duke u rritur. Duket sikur një komandë e vetme, një dorë e padukshme, ka kurdisur këtë valë zemërimi që e ka zënë Qeverinë në befasi. Por, përse protestat e sindikatave patën një efekt domino, pse virusi i grevës i preku të gjithë, duke e çuar vendin në një prag krize sociale, në një situatë ku Qeveria gjendet tashmë e mbërthyer në ngërç, mes pamundësisë së rritjes së pagave dhe pakënaqësisë në rritje të qytetarëve?
Kjo pyetje nuk mund të marrë përgjigje vetëm duke analizuar situatën e ditëve të fundit. Ajo është pasojë e një sërë veprimesh që nuk lidhen vetëm me pamundësinë e Qeverisë për t’i plotësuar kërkesat e të gjithë grevistëve, por edhe me papërgjegjshmërinë e saj në raport me ndjeshmëritë e qytetarëve.
Kosova është një shtet i ri me buxhet modest. Papunësia prek gati gjysmën e popullsisë aktive. Mbledhja e taksave dhe tatimeve është ende larg të qenit efikase, ndërsa korrupsioni dhe shpërdorimi i fondeve publike mbeten problem serioz. Në këto kushte, sigurisht që çdo Qeveri do ta kishte gati të pamundur që të plotësonte kërkesat e pothuajse të gjithë buxhetorëve për ngritje pagash. Në këtë aspekt, pozita e vështirë e Qeverisë është e kuptueshme. Mundësitë reale për t’i rritur pagat e grevistëve, edhe nëse vullneti ekziston, janë minimale. Kjo ka të bëjë me pamundësinë objektive të Qeverisë. Dhe kjo pamundësi ndoshta mund të ishte kuptuar nga sindikatat dhe punonjësit e revoltuar, sikur Qeveria të ishte sjellë në mënyrë më të përgjegjshme.
Qeveria, në fakt, nuk ka treguar kujdes dhe as vëmendje ndaj gjendjes delikate në shumë sektorë buxhetorë. Ajo ka dëshmuar mospërfillje dhe i ka neglizhuar kërkesat e njohura të sindikalistëve për rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës. Vëmendja ka qenë e përqendruar kryesisht në fushatën elektorale e jo në negociata dhe projekte të menaxhuara me kujdes për t’i parandaluar shpërthimet sociale që ishin në prag. Më keq akoma, disa akte të kohëve të fundit kanë tingëlluar si një indiferencë arrogante ndaj një shtrese të madhe të popullsisë që jeton në kufijtë e varfërisë. Rritja e rrogave të deputetëve dhjetë herë më shumë se ato të sektorëve publikë aktualisht në grevë, u komentua shumë si një lloj padrejtësie sociale. Sigurisht që anëtarët e legjislativit duhet të shpërblehen në mënyrë dinjitoze dhe keqpërdorimi i këtij fakti është një popullizëm i mirëfilltë që luan me emocionet e qytetarëve. Por, çfarë mund të thuhet kur ende pa u mbyllur ky debat, Kryeministri Thaçi nxjerr një urdhër, ku ai vetë, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësit e tyre që janë deputetë, do të marrin edhe 50 për qind të pagës së deputetit, në mënyrë retroaktive për të gjithë 2009’ën. Vetëm një vit më parë, po Kryeministri Thaçi pati nxjerrë një urdhër tjetër ku i detyronte anëtarët e kabinetit të hiqnin dorë nga pagat e dyfishta dhe të përcaktoheshin për njërën prej tyre.
Edhe në këtë rast, shuma që përfitojnë anëtarët e Qeverisë nuk është ndonjë peshë e madhe për buxhetin, por simbolikisht një veprim i tillë ndikon negativisht tek qytetarët. Ai jo vetëm lë shijen e keqe të zhgënjimit, por i ndërmarrë në kulmin e grevave duket si tallje me ata që kërkojnë disa euro më shumë mbi pagën e tyre minimale. Veprime të tilla vetëm e nxisin pakënaqësinë tek grevistët në vend që ta zbusin klimën për negociata. Dy ditë më parë, Kryeministri grek Papandreu, i gjendur përballë një krizë të rëndë ekonomike, vendosi t’i ngrijë përkohësisht pagat e funksionarëve të administratës shtetërore, t’i ulë për 15 për qind shpërblimet e tyre, t’i reduktojë orët suplementare për ta dhe të mos e shtojë numrin e të punësuarve. Kjo masë sigurisht nuk e zgjidh situatën, por Papandreu tha se duhej dhënë një shembull nga vetë administrata për të kontribuar në daljen nga kriza. Një akt simbolik, një mesazh që ndikon në uljen e tensionit dhe mirëkuptimin e qytetarëve.
Këto akte dhe këto mesazhe, jo vetëm që kanë munguar në Kosovë, por është bërë e kundërta. Nuk është vetëm rasti i urdhrit për pagat e ministrave dhe shpërblimet e deputetëve në kohë krize. Është edhe njoftimi i djeshëm, në pikun e tensioneve sociale, për rritjen e çmimit të energjisë nga KEK’u, që dëshmon indiferencën e Qeverisë në menaxhimin e situatës. Është edhe klima e krijuar gjatë fushatës elektorale, ku u premtuan jo vetëm rritje të nxituara pagash, por edhe miliona euro për komunat nga buxheti i limituar qendror, që ndikon në rritjen e mosbesimit të grevistëve ndaj aftësive paguese të Qeverisë. Një Qeveri që premton miliona, që shpenzon para dhe mjete të shumta në fushatë, që rrit rroga e shpërblime për zyrtarët e lartë, përse nuk e paska të mundur të rrisë edhe pagat minimale të punonjësve buxhetorë? Një arsyetim i tillë rrjedh si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme të Qeverisë dhe janë këto veprime shkaku kryesor i pakënaqësisë masive dhe i përshkallëzimit të menjëhershëm të grevave pothuajse në të gjithë sektorët kryesorë.
Aftësitë e kufizuara të një Qeverie për të bërë rritje pagash mund të gjejnë mirëkuptim vetëm kur shoqërohen nga përgjegjshmëria, transparenca, shembulli vetjak dhe përpjekjet për të mirëadministruar paratë publike. Në të kundërtën, tensionet sociale shtohen, palët vendosen në pozicione armiqësore, negociatat bëhen të pamundura dhe vendi kërcënohet nga kriza. Sot, përballë grevistëve, Qeverisë Thaçi nuk i duhet vetëm shkathtësi në negociata, por dhe një shembull i vullnetit të mirë për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes.