E Diel, 1 Nëntor 2026

Tryeza pa kutitë, si sofra pa bukë Nga Erion Veliaj, G99Ashtu siç edhe mund të jeni informuar prej medias, në datë 28 Janar 2010, G99 i drejtoi një kërkesë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, duke kërkuar aksesin në fletët e votimit për zonat zgjedhore

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Tryeza pa kutitë, si sofra pa bukë Nga Erion Veliaj, G99Ashtu siç edhe mund të jeni informuar prej medias, në datë 28 Janar 2010, G99 i drejtoi një kërkesë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, duke kërkuar aksesin në fletët e votimit për zonat zgjedhore të qarkut të Beratit dhe qarkut të Tiranës. Dje morëm një përgjigje prej kryetarit të KQZ-së, Z. Arben Ristani, të cilën nuk do hezitonim ta quanim qesharake, burracake dhe juridikisht inkompetente.

Argumenta Ligjorë

Së pari, dëshirojmë t’i kujtojmë Z. Ristani se emërtesat “procesverbal votimi” dhe “tabelat dhe provesverbal të numërimit të fletëve të votimit”, G99 i ka nxjerrë ad verbatim nga Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, respektivisht neni 178, pika 5 ku thuhet...“ nxjerr procesverbalet e votimit si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit...“. Është shumë shqetësuese që kryetari i KQZ-së nuk është në dijeni të përmbëjtjes së Kodit Zgjedhor, që është ligji themeltar mbi të cilin funksionon KQZ-ja. Citojmë specifikisht nenin nga Kodi Zgjedhor:
178, pika 5: Menjëherë pas shpalljes së rezultateve nga KZQV-ja ose KZZ-ja, komisioni i dërgon KQZ-së, në mënyrën e caktuar prej saj, të gjitha kutitë e vulosura të votimit me procesverbalet e votimit, vulën e komisionit, fletët e votimit të përdorura në zgjedhje, si edhe fletët e votimit të papërdorura.
Sidoqoftë, ne përsërisim, kësaj rradhe publikisht, kërkesën tonë për të pasur një kopje të dokumentacionit të sipërcituar.
Ndërkaq, kërkesës sonë për t’u pajisur me një kopje të fletëve të votimit për zonat zgjedhore në qarkun e Beratit dhe atë të Tiranës, KQZ i është përgjigjur negativisht, duke iu referuar Ligjit ‘Për Arkivat’ dhe nxjerrë justifikimin qesharak se “fletet e votimit se bashku me kunderfletet digjen, pra asgjësohen” dhe se fleta e votimit “në momentin aktual nuk është një dokument që ekziston juridikisht” pasi teorikisht duhet te ishin djegur vjet, edhe pse praktikisht ruhen nga KQZ fizikisht.
Informojmë Z. Ristani se G99 nuk kërkon një kopje ‘juridike’ të fletëve të votimit, por një kopje ‘fizike’ të tyre. Ne e dimë shumë mirë se KQZ disponon një kopje fizike të fletëve të votimit, të cilat nuk janë asgjësuar. Neni 23, pika 1 dhe 2, e Kushtetutës, ligjit themeltar në Republikën e Shqipërisë, garanton të drejtën e informimit për çdo dokumentacion që disponon administrata shtetërore dhe institucionet e tjera të krijuara me ligj.
Pavarësisht tentativës evazive dhe burracake të Z. Ristani për ta kthyer e trajtuar këtë çështje si një artificë ligjore, fleta e votimit mbeten një dokumentacion që disponohet dhe ruhet nga KQZ-ja, nuk është e klasifikuar si dokumentacion i rëndësisë së veçantë, dhe nuk ekziston ndonjë pengesë ligjore që ky dokumentacion t’i jepet të tretëve të interesuar.

Argumenta Logjikë

Përgjigja e zotit Ristani sfidon logjikën njerëzore. Nëse fletët e votimit duheshin djegur, pse nuk i ka djegur KQZ ato? Nëse fletët do të ishin djegur, sigurisht që ne nuk do t’i kishim kërkuar. Sa kohë që nuk janë djegur, ne e dimë shumë mirë se nuk po kërkojmë një objekt që s’ekziston, por një bazë materiale fizikisht në dorë të KQZ-së.
Nëse, sipas Z. Ristani, fletët e votimit “nuk ekzistojnë juridikisht” atëherë ato dhe përmbajtja e tyre qenka akoma edhe më të parrezikshme e pa interes për KQZ dhe kjo është një arsye më tepër për të na i dhënë e për t’i bërë ato dhe përmbajtjen e tyre publike.
Nëse Z. Ristani beson se fletët e votimit janë të pavlefshme dhe hedhurina, le të na i japë ne, dhe do dimë si t’i përdorim e si t’i riciklojmë ato.
Z. Ristani sot po sillet sikur të ishte një gardian morgu, e jo kryetar i KQZ-së. Për të, zgjedhjet kanë vdekur, dhe ai është vetëm duke ruajtur kufomat.
Ne pretendojmë se zgjedhjeve të lira në Shqipëri u është bërë një atentat, dhe kërkojmë provat për këtë atentat. Z. Ristani na thotë që viktima tanimë ka vdekur, dhe dëshmia në lidhje me këtë atentat nuk ka më vlerë. Ne e dimë shumë mirë se provat janë aty, pavarësisht se Z. Ristani tenton të na mbushë mendjen se provat nuk ekzistojë juridikisht.
Këto janë çuditë e Shqipërisë: Një vend që teorikisht është demokraci por që kurrë s’ka kryer zgjedhje të lira. Teorikisht ne kemi media elektronike e të shkruara, por jemi të fundit në rajon për lirinë e tyre. Ne vazhdojmë të pretendojmë se luftojmë korrupsionin, por jemi vendi më i korruptuar në rajon. Teorikisht kemi përmbushur kriteret për lirinë e lëvizjes, por jemi të fundit në rajon për lëvizjen e lirë. Teorikisht kemi rritje dyshifrore ekonomike, por qeveria po merr borxhe për të evituar falimentimin financiar të saj. Ish-punëtorët e Gërdeci teorikisht duhet të kishin vdekur, ndaj nuk mund të merret parasysh dëshmia e tyre?

Argumenta Politikë

Përgjigjia e KQZ-së vjen si shuplakë për negociatat mes shumicës dhe opozitës që pritet të zhvillohen pas vetëm dy ditësh, sepse në thelb po bëhet një takim i rëndësishëm për diçka që s’ekziston. Tryeza pa kutitë është praktikisht si sofra pa bukë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›