Ngërçi në KQZ, dështon misioni i Moore
Pavarësisht takimeve me përfaqësuesit më të lartë të politikës në vend, Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, ka dështuar në gjetjen e një zgjidhjeje për ngërçin e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në ditën e dytë të qëndrimit të tij në vendin tonë, zyrtari i DASH ka zhvilluar një takim në Durrës me kryetarin e Bashkisë, Vangjush Dako lidhur me situatën parazgjedhore në vend.
Takimi
Pas përfundimit të takimit me Dakon, Jonathan Moore tha se i kishte bërë të ditur kryebashkiakut të Durrësit rëndësinë e zgjedhjeve të 23 qershorit. Pata kënaqësi të vizitoja Durrësin, për tu njohur me projektet e bashkisë. Kam respekt të madh për kryetarët e bashkive, pasi përballen me problemet e njerëzve çdo ditë. Në takimin me kryebashkiakun Dako folëm edhe për zgjedhjet. I shpreha Dakos planet tona mbi zgjedhjet, mbi faktin që ato janë mjaft të rëndësishme, tha Moore.
KQZ
Duke u ndalur tek situata e krijuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, Jonathan Moore tha se do të ishte mirë që KQZ të funksiononte me 7 anëtarë, por sipas tij ka edhe institucione të tjera, si Kolegji Zgjedhor të cilat mund të vlerësojnë procesin zgjedhor në vend. Situata më pozitive do të ishte që KQZ të ishte plot me 7 anëtarë, shpresojmë që kjo do të ndodhë, janë vetëm 4 anëtarë aktivë, kjo mund të zgjidhet shpejt, ose mund të mos zgjidhet. SHBA do i japin vëmendje të shtuar të gjithë procesit të zgjedhjeve, do monitorojmë edhe situatën parazgjedhore. Por dua të them se ka edhe institucione të tjera me rëndësi si Kolegji Zgjedhor, që mund të vlerësojë procesin e zgjedhjeve. Ne duam që votuesit të kenë besim të plotë tek institucionet që merren me menaxhimin e zgjedhjeve, deklaroi Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore.
BE: Zgjedhjet me standarde, palët të bashkëpunojnë
Zëdhënësja e kryediplomates së Bashkimit Evropian, Cathrine Ashton, Maja Koçijançiç u ka bërë apel partive politike në vendin tonë për të zhvilluar zgjedhje me standarde. Zgjedhjet në Shqipëri të zhvillohen sipas standardeve ndërkombëtare. Liderët politikë të bashkëpunojnë, dialogu politik është kyç. Reformat nuk janë të lehta, por janë të arritshme,tha Koçijançiç. Sipas zëdhënëses së Ashton, zgjedhjet me standarde janë përgjegjësi e të dyja palëve politike. Roli i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve,është me rëndësi për standardet. Zgjedhjet me standarde janë përgjegjësi e të dyja palëve politike. Jemi të përgatitur të mbështesim Shqipërinë për zgjedhjet, por ato do të zhvillohen nga shqiptarët. Klima politike është e polarizuar, u shpreh, Maja Koçijançiç. Në vijim, Koçijançiç u bëri thirrje partive politike shqiptare që të shmangin retorikën nacionaliste gjatë fushatës zgjedhore.