Ngërçi politik, Spanja, e gatshme të ndihmojë për zgjidhje
Situata e rënduar politike në vendin tonë ka tërhequr edhe një herë vëmendjen e ndërkombëtarëve. Shefi i diplomacisë spanjolle, Miguel Angel Moratinos, jo vetëm është shprehur i shqetësuar për këtë situatë, por ka shprehur gatishmërinë edhe që të ndihmojë për zgjidhjen e saj. Presidenca spanjolle e Bashkimit Evropian do të ndihmojë Shqipërinë që të dalë nga kriza e thellë politike në të cilën ndodhet, - ka pohuar Moratonos. Ai ka shpjeguar se do ta diskutojë këtë gjë me homologun Meta.
Do të diskutoj për situatën në Shqipëri në takimin e ditës së martë me ministrin e Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, - ka deklaruar Moratinos. Presidenca spanjolle ka deklaruar gjithashtu se është e rëndësishme që të lëvizet përpara me Shqipërinë, duke qenë se vendi aspiron të anëtarësohet në BE. Duam që Ballkani Perëndimor të bëhet një zonë e qëndrueshme, - ka deklaruar më tej diplomacia spanjolle. Pak ditë më parë, ka qenë ambasadori i Spanjës në Tiranë, Manuel Montobio, i cili bëri thirrje që situata politike të zgjidhjet. Ngërçi politik duhet të zgjidhet brenda datës 10 maj, kur edhe mbahet ky takim në Bruksel, përndryshe situata aktuale do të ndikojë në integrimin e Shqipërisë, - ka deklaruar ai. Montobio i bëri thirrje klasës politike të mos qëndrojë indiferente ndaj raportit të fundit të BE-së, por të ndjekë rekomandimet e tij.