Prokurimet, OKB vlerëson Shqipërinë të dytën në botë
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Sali Berisha njoftoi se Shqipëria është vlerësuar nga OKB-ja si vendi i dytë në botë për transparencën e procesit të prokurimeve publike. "OKB rendit të dytin në botë sistemin e prokurimeve publike në Shqipëri. Singapori e Shqipëria janë dy vende me prokurim 100% elektronik", - tha ai. Berisha nënvizoi se qeveria shqiptare e shtriu procedurën elektronike me shpejtësi në të gjitha prokurimet. "Ne kemi bërë arritjen më të mirë me një nga sfidat më të mëdha që janë prokurimet", - saktësoi ai. Sipas tij, vendet e tjera e kanë në përqindje të ndryshme, që varion nga 20 deri në 80 për qind. Shqipëria vlerësohet e dyta për transparencën e prokurimeve në vend. Kjo, - shtoi Berisha, - përbën një arritje historike, përbën një arritje madhore, në përpjekjen tonë të ndershme për të luftuar korrupsionin. Vendi, që 5 vite më parë vidhisej ndër vendet më të korruptuara të planetit për prokurimet, sot vlerësohet si vendi i dytë në botë për sa i përket transparencës së këtij procesi. Kjo, pasi në vjeshtën e vitit 2008, ne vendosëm të trajnonim të gjitha autoritetet kontraktuese të vendit për të proceduar me prokurimin elektronik dhe nga 1 janari i vitit 2009, ndaluam prokurimet manuale, - u shpreh z. Berisha.