E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjarja e Këlcyrës/Vrasësi: Do i vrisja të gjithë për ti grabitur, më duheshin para

taksia ku u vra inspektoriPërmet/Është arrestuar në pyll në qytetin e Përmetit vrasësi i inspektorit Andi Naçi. Vënia në pranga e 27 vjeçarit ka qenë një luftë e vërtetë mes policëve pasi edhe në momentin kur i janë vënë prangat i riu ka luftuar me dy thika duke plagosur pa rrezik për jetën dy nga efektivët e policisë. Në dëshminë e tij në polici vrasësi Jeton Veizi ka dëshmuar se vrasjen e ka kryer për motive grabitje. Doja ti vrisja të dy personat edhe shoferin, por ai më iku, më duheshin para, ndaj do vidhja do vrisja dhe mund të bëja çdo lloj veprimi në ato momente kritike për jetën time. Kjo ka qenë një nga deklarata e bërë në policinë e Përmetit nga vrasësi Jeton Veizi 27 vjeçari që vrau  inspektorin e Agjencisë Rajonale të Mjedisit Gjirokastër i cili ka dhënë si alibi për krimin që ai bëri dy ditë më parë. Madje plani ishte ti vriste të tre para se tu merrte paratë dhe sendet materiale. Përveç pistës së hakmarrjes për shkak të divorcit nga bashkëshortja dhe detyrës që kryente, tashmë grupi hetimor ka në dosje edhe pistën e tretë, të tentativës së grabitjes me dhunë. Jeton Veizi, 27 vjeç, duket se ka dhënë pikërisht këtë argument për hetuesit,pasi ai ishte tre herë i dënuar më parë për vjedhje me armë të kalimtarëve, bizneseve apo kazinove në kryeqytet. Kurse gjatë kontrollit i janë gjetur një maskë, një pistoletë, dy thika të mëdha dhe një çekan, çka përforcon pistën e grabitjes.
Dyshimet
Por burime të policisë thonë se i dyshuari me origjinë nga Përmeti, ka edhe njohje me njerëzit e ish-bashkëshortes së 28-vjeçarit të vrarë, duke lënë ende dyshimet për një hakmarrje pas divorcit. Madje mbetet i pashpjegueshëm momenti se nëse ai kishte qëllim grabitjen, atëherë nuk do zbriste nga taksia, por do detyronte shoferin Kujtim Boça që të ndalonte nën kërcënimin e armës. Por ka bërë të kundërtën duke u hedhur edhe pse makina ishte në ecje dhe u arratis drejt lumit Vjosë pa reaguar me pistoletë në drejtim të taksisë. Gjithsesi krimi i ndodhur në Grykën e Këlcyrës mbrëmjen e të hënës është veshur me një udhëkryq pistash dhe vijon që të jetë nën hetim intensiv për të zbuluar të tjera prova. Madje ka pasur edhe dyshime se krimi mund të jetë politik, por policia e Gjirokastrës e përjashtoi në mënyrë kategorike këtë version.
Precedenti Jeton Veizi
Jeton Veizi, ka qenë i dënuar më parë për vjedhje, vjedhje me dhunë e armë të një gruaje dhe burri, si dhe për vjedhje me armë të kazinove në Tiranë. Gjatë arrestimit mbrëmjen e mërkurë, ai shkëmbeu zjarr me policinë dhe më pas plagos me thikë në dorë një prej efektivëve në aksion, kur i mbaruan fishekët e armës. Rreth orës 21:30 ai është hasur në zonën e fushës së sportit të Këlcyrës duke ecur mes pemëve dhe u rrethua. Por thirrjes për të ndalur iu përgjigj me të shtëna. Kur mbaruan fishekët tentoi të vraponte, por u kap nga uniformat blu.

Hetimet/Veizi ishte në kërkim
për 3 grabitje me armë në Tiranë

I ndaluari Jeton Veizi ka thënë se hipi te Ura e Leklit në Tepelenë në taksi me qëllim grabitjen e dy pasagjerëve dhe taksistit. Për këtë shkak planifikoi vrasjen e tyre te Gryka e Këlcyrës, duke kërkuar ndaljen e mjetit. Por bllokimi i pistoletës, vrasja e Andi Naçit ka bërë që taksisti të vepronte shpejt duke nisur mjetin dhe të parandalonte krimin e mëtejshëm. Policia heton në tre pista aktualisht, vrasja për hakmarrje për shkak divorci, vrasja për shkak detyre për gjobat ndaj bizneseve për mjedisin dhe vrasja me qëllim grabitjen. Jeton Veizi ishte në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Tiranë ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg, pasi në vitin 2012 ka vjedhur me dhunë nën kërcënimin e armës varësen e floririt të një këmbësoreje në kryeqytet. Gjithashtu në vitin 2012 ka grabitur një kalimtar dhe një kazino, po në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›