Ngjarja tek Onkologjiku, Manja: Opozita të mos bëjë gjyqe publike, të lënë drejtësinë të bëjë punën e saj

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha sot se për zbardhjen e ngjarjes tek Onkologjiku ka patur një rol të rëndësishëm Policia e Shtetit dhe Seksioni për Hetimin e Krimit Financiar.
Në fjalën e tij në Kuvend, ndërsa po diskutohej një marrëveshje në fushën e drejtësisë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ministri Manja, duke iu referuar rastit të Onkologjikut vlerësoi punën e Prokurorisë dhe Policisë. Ai tha se gjithçka ka nisur pas një hetimi për kontrabandë ilaçesh.
“Meritat i takojnë prokurorit të çështjes dhe sketorit të hetimit të krimit financiar tek Policia e Shtetit. Kabnisur hetimi si rast kontrabande ilaçesh dhe falë hetimeve proaktive dhe me interes të madh publik që kishte rasti, u finalizua me atë rezultat që për momentin është bërë i ditur për opinionin publik”, tha Manja.
Manja u bëri apel deputetëve të opozitës të mos bëjnë gjyqe publike, por të lënë drejtësinë të vazhdojë punën e saj.
“Rasti tani është në duart e drejtësisë. Duhet të zbardhet plotësisht ky rast, sepse s’na takon ne të bëjmë gjyq publik. Ne e kemi dënuar rastin. Sigurisht ka marrje masash në rrafshin administrativ, por edhe të përmirësimit të kuadrit ligjor, që është dhe ajo që i takon qeverisë dhe parlamentit. Për anën penale, për rrethin e personave të implikuar, do duhet të presim hetimin. Kemi patur të gjithë vullnetin për ti shkuar deri në fund kësaj ngjarje. Vërtet ngjarja u ndoq nga Prokuroria e Tiranës, por ka patur rol thelbësor dhe hetimi i kryer nga sektori për krimin financiar tek Policia e Shtetit”, tha Manja.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkoi masa sigurie për shtatë mjekë e specialistë të Qendrës Spitalore Universitare nën akuzë për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Prokuroria njoftoi se, sipas hetimit të kryer dyshohet se mjekët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, specialistët dhe administratorin e spitalit, orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private, me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT.
/r.e/