E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjarja tragjike në Vaun e Dejës, QKUM: Ambulanca kishte defekt teknik, dy mjete u nisën nga Shkodra

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM) ka sqaruar sot dinamikën e ndërhyrjes së shërbimit të urgjencës mjekësore në ngjarjen tragjike të 29 gushtit në Vaun e Dejës, ku humbën jetën dy persona si pasojë e goditjes nga rryma elektrike.

Sipas QKUM-së, në ngjarje janë regjistruar dy raste të veçanta, të ndodhura në momente të ndryshme.

“Rasti i parë është raportuar si urgjencë për goditje elektrike. Në vendngjarje ndodhej një infermiere e zonës, e cila kishte nisur menjëherë manovrat e reanimimit kardiopulmonar, por pa mundur të rikthente qarkullimin spontan. Sipas të dhënave të regjistruara në sistemin e urgjencës, thirrja është marrë në orën 18:03. Në atë moment, ambulanca e Vaut të Dejës ishte jashtë funksionit për shkak të një defekti teknik”, theksohet në njoftimin për shtyp të QKUM.

Për këtë arsye, drejt vendngjarjes u nis ambulanca nga Spitali i Shkodrës, e cila mbërriti në orën 19:44.

“Manovrat e reanimimit u vijuan edhe gjatë transportit drejt Spitalit të Shkodrës, por pavarësisht përpjekjeve të personelit shëndetësor, nuk u arrit rikthimi i qarkullimit spontan dhe pacienti humbi jetën”, thuhet në njoftim.

QKUM bën të ditur se rasti i dytë i përkiste elektriçistit, i cili, disa minuta më vonë, kishte shkuar në vendngjarje për të ndërhyrë në problemin elektrik.

“Gjatë ndërhyrjes, edhe ai u godit nga rryma elektrike dhe humbi jetën. Kërkesa për ndihmë mjekësore për rastin e dytë është regjistruar në orën 18:53”, thekson QKUM.

Sipas QKUM-së, në vlerësimin fillestar personi rezultonte pa shenja jete.

Ambulanca e dytë nga Shkodra u nis drejt vendngjarjes dhe mbërriti në orën 19:54. Rasti u konstatua dhe u referua si “Kod i Zi” në vendngjarje.

QKUM thekson se goditja elektrike përbën një urgjencë mjekësore me rrezik shumë të lartë për jetën dhe, në rastet e rënda, mund të shkaktojë arrest kardiak dhe vdekje të menjëhershme.

“Mbi çdo sqarim institucional, kjo mbetet para së gjithash një ngjarje tragjike, e cila solli humbjen e dy jetëve njerëzore”, shprehet QKUM.

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e dy jetëve dhe u përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të viktimave.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›