Ngjarje e rëndë në lagjen 14 të Korçës, vritet një 20-vjeçar, autori në arrati, policia ngre postoblloqe në hyrje-daljet e qytetit

Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur qytetin e Korçës, ku një i ri ka mbetur i vdekur si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 14 të qytetit, duke alarmuar banorët e zonës dhe autoritetet vendore.
Sipas të dhënave paraprake nga vendngjarja, viktima është një i ri i moshës rreth 20 vjeç me inicialet J.Z. Dyshohet se ndaj tij është qëllyur me armë zjarri të llojit automatik kallashnikov, ndërsa autori i krimit është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur.
Kërkime intensive dhe postoblloqe në pikat kyçe
Forca të shumta të policisë kanë rrethuar menjëherë zonën dhe kanë nisur punën për këqyrjen e vendngjarjes, mbledhjen e provave materiale dhe identifikimin e personave që mund të kenë dijenitë për rrethanat e krimit.
Me qëllim kapjen e autorit të dyshuar, strukturat e policisë kanë ngritur postoblloqe të shumta kontrolli në pikat kyçe të hyrje-daljeve nga qyteti i Korçës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe për lokalizimin e vendndodhjes së autorit.
/rtsh.al/