E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjashmëri të pabesueshme



Moikom ZEQO
Dy fotografi, që intrigojnë, që të mahnisin kur janë së bashku, krejt të zakonëshme dhe aspak tronditëse veç e veç.
Studiuesi vullnetmadh i arteve figurative, Lorenc Torreli, me origjinë italo-franceze, i diplomuar fillimisht për filozofinë parasokratike të lashtësisë, të cilën e braktisi "sepse nuk i përshtatej humorit dhe hobive të tij sportive të hokeit amerikan" (deklarata është e vetë L.T.), para ca kohësh bëri një zbulim të habitshëm, padyshim rastësor, por tejet të qëlluar. Duke parë tablonë e njohur "Puthja e Judës" të piktorit të madh të Rilindjes italiane (emërtim konvencional për Rilindjen Europiane në përgjithësi, që ka ngjallur debate e kritika, aspak tolerante dhe etike, nga kritikët anglo-saksonë e japonezë të arteve figurative, në këtë fund shekull të trishtueshëm të kibernetikës dhe shpikjes së hamburgerve të pashijshëm), i quajtur Xhovani Belini, të shekullit të XV, pa një fytyrë groteske të personazhit të pikturuar, pikërisht të Judës, që përpara pesë shekujve, si një sozie e aktorit të papërsëritshëm të komedisë franceze Fernandel.
Ngjashmëria është e plotë, "absolute" dhe LT, në esenë e tij "Metapsikoza e piktorit dhe aktorit në pesë shekuj", botuar së pari në "Le Mond" e pastaj përkthyer në shumicën e revistave të arteve figurative të kontinentit të vjetër, kërkon të argumentojë pikërisht domosdoshmërinë e kalimit të shpirtit nga piktori, që ka vdekur shumë kohë përpara, tek aktori, ndërmjet imazhit të pikturuar, si një ndërmjetës, si një medium magjik.
Ky shpjegim i sforcuar gjeti kundërshtim nga kritiku dhe studiuesi amerikan Xhon Bordman, i cili u tall lehtësisht, po edhe pamëshirshëm me tezen e L.T., po pa e mohuar zbulimin e tij "të madh, të rëndësishëm, por edhe krejtësisht të kotë", (ky pasazh i pakëndshëm e zemëroi tepër rëndë Lorensa Torrelin, i cili në fakt nuk di anglisht, por ja përkthyen shkel e shko artikullin e Xh.B.).
Në Universitetin e Los Anxhelos, Katedra e Kabalistikës Ebratike organizoi një simpozium diktimesh të thella, spiritualiste, për zbulimin e L.T., po nuk e gjeti të arsyeshme ta ftonte, të paktën për etiketë profesionale, edhe vetë studiuesin italo-francez, tashmë të indinjuar.
Sidoqoftë, zbulimi i tij nuk mund të shmanget, as të mohohet. Ziliqarët dhe skeptikët, kaq të shumtë në planetin tonë mëkatar, nuk mund ta zbehin rëndësinë e kësaj ngjashmërie të shekujve.
Për fat të keq, ky zbulim u bë tani kur aktori i famshëm komik Fernandel ka kohë që prehet në jetën tjetër. Gazetarët dhe specialistët e sensacioneve e humbën rastin që ta mërzisnin dhe ta masakronin me pyetje të mprehta, po edhe idiote Fernandelin, i cili, ndonëse ka shkëlqyer në jetën aktoreske si komik i madh, në jetën intime vetjake nuk kishte fare humor dhe qe një tragjik i rëndë, i pashërueshëm, madje i papërballueshëm dot.

* * *

Debati megjithatë vazhdoi. Lorenc Torreli kishte shtruar një pyetje të çuditshme: si vallë në vetëdijen e italianit Xhovani Belini ishte futur fytyra e aktorit francez Fernandel, që do të lindëe pesë shekuj më vonë? Përgjithësisht piktorët e gjallë pikturojnë modelin e gjallë para syve dhe s'kish ndodhur kurrë (asnjëherë - ose të paktën në këtë rast - një herë të vetme në univers) që piktori të pikturonte modelin, që do të qe i gjallë mbasi vetë piktori do të kishte pesë shekuj i vdekur, pra sytë e tij për këto pesë shekuj nuk mund të shihnin asgjë, se nuk ekzistonin më. Kjo kontradiktë është lemeritëse, shpartalluese, e pakuptueshme, humbëtirëthithëse.
Në një rrafsh tjetër, arsyetimi mbetet enigmë se si vallë piktori modeloi në fytyrën e Judës pikëtisht tiparet e një aktori grotesk të komedisë. Nëse Juda është provokues i pabesë e shkaktar i pashpirt i tragjedisë golgotase dhe universale, si mundet të paraqitet nga një simbol antropomorf i sfidës së të qeshurit - krejt e ndryshme dhe e kundërt me vajtimin e tmerrshëm? Si ka mundësi që dy fytyrat janë krejtësisht të njëjta, identike si formë dhe kaq të pamatëshme e antagoniste si përmbajtje? Kjo e kapërcen kuptimin e thjeshtëzuar e naiv të dy fytyrave të Hyut Janus, ku simbolika është kaq naive dhe e rrokëshme edhe nga analfabetët. Por ajo që është për të thjeshtët, nuk është për të sofistikuarit. Ka shumë shkallë të kuptimshmërive. Të ngjashmet asnjëherë s'janë të njëjta, për pasojë edhe të ndryshmet të çojnë tek e njëjta, ashtu si jeta është edhe vdekje dhe vdekja është edhe jetë, pra përjashtuese dhe unike, kur nuk është njëra, nuk është tjetra.

* * *

Zbulimi i L.T. nuk u bë rastësisht. Një dijetar gjenetist, por edhe talmudist u shpreh në një artikull se L. T. qe me origjinë italo-franceze, kuptohet që Xhentile Belini qe italian dhe aktori Fernandel francez, kurse Juda dihet qe ebre, gjë që e vështirëson simetrinë e analizave përfundimtare. Por moduli antropologjik nuk pranon fare ndryshime të dallueshme.
Akoma më egërsisht e paturpësisht njëfarë Krishtaturi, Guru në Kashmir, i intervistuar nga gazeta "Le Mond" në Paris, shpalli se zbulimin e ngjashmërisë nuk e kishte bërë L.T., por shpirti i fshehtë panteistik i vetë Krishtaturit, se L.T. qe thjesht një plagjatior i padenjë dhe i vockël, që s'vlen të përmendet, se fytyra e aktorit Fernandel u bë maska e Judës për të treguar se Juda qe gaztori i vërtetë, kurse Fernandeli qe denoncuesi dhe Juda i vërtetë dhe i marrë, gj, që s'është kuptuar fare, absolutisht. I pyetur nga gazetari kureshtjemadh Gustav Piro se a kishte fytyra e Krishtaturit një maskë të ngjashme, identike, në kohëra e hapësira të tjera, Krishtaturi u përgjigj pa mëdyshje "jo". Heshti, mori frymë thellë dhe spjegoi mrekullisht dhe mërzitshëm se fytyra e tij ishte "e vetmja", pra "fytyra matricë", ajo s'mund të ketë të ngjashme, pra fytyra konkuruese, me jetë vetjake të papërputhëshme me njëra-tjetrën në dimensionet e pafund të kohërave e hapësirave ciklike. Kjo për arsyen substanciale se "fytyra matricë" nuk imitohet, nuk kopjohet, as shumëfishohet, është e vaktë që mund të reflektojë ngjashmëri te të tjerët, por jo të njëjtin identitet fillestar, burimor, është fytyra arketip, e ndryshme nga ideja platoniane që është e pasendërtueshme, autonome nga çdo materializim. Fytyra ime, tha me krenari të mjerë e agresive Krishtaturi, është projekti material, tërë të tjerat që reflektohen janë rafigurime ideore, pra të pavërteta, të menduara, pra jo konkrete. Duke mos qenë konkrete, nuk mund të shfaqen, të përballen, të konkurojnë. Ky absolutizim i un-it të çon në solipcizëm, por Krishtaturi s'shqetësohej fare për këtë gjë. I mjaftonte dhe i tepronte vetvetja. Në pafundësi.

* * *

Në mars 1993 ndodhesha në aeroportin e Londrës në pritje të kthimit me avion në Tiranë. Flokët i kisha të gjata dhe qeshë veshur me një kostum të zi. Befas, më ndodhi diçka e papritur. Tre, katër kameramanë me aparatet e tyre u turrën drejt meje, duke klithur në anglisht dhe në frëngjisht "Mishel Platini, Mishel Platini, kur keni ardhur në Londër? Pse inkonigto?"
Gati u ngurosa. Për një të dhjetën e sekondës mendoja të luaja rolin e sozisë, t'u përgjigjesha në anglisht e në frëngjisht, të isha i gjallë, i pranueshëm, i famshëm, krenar, mospërfillës në fokusin e kamerave të TV-ve të botës.
Disa herë të njohur të mi në Shqipëri më kishin thënë se i ngjaja krejtësisht Mishel Platinisë, si fytyrë, si trup (në fakt, ai duhet të më ngjante mua, se si moshë jam dy vjet më i madh!). Pra, isha i pregatitur për shakanë e sozisë, aq më tepër që edhe ime më e kishte parë në ekran një ndeshje ndërkombëtare futbolli dhe qe habitur nga ngjashmëria e birit të saj me yllin e futbollit botëror, Platininë. Por nuk i kisha dhënë rëndësi, më dukej një trill pa kuptim, një rastësi që s'më bënte as të lumtur e as të pikëlluar. Kurrë nuk e besoja që shakaja do të bëhej ndërkombëtare dhe absolutisht serioze, gati-gati një e vërtetë krejtësisht (pashmangshmërisht) e besueshme. Arrita në kufirin më të skajshëm, më absolut të ngjashmërisë.
Me një stërmundim titanik u kthjellova, u riktheva në vetvete. Iu shmanga sfidës tunduese, të një rastësie misterioze. “S'jam Mishel Platinia”, thashë në anglisht e frëngjisht. Nuk më besuan. O Zot, nuk më besuan, nuk më besuan! Vërtiteshin rreth meje, më filmonin, buzëqeshnin, madje gati hungëronin, më pyesnin me ngulm, "keni ndonjë të dashur në Londër, jeni takuar me Mbretëreshën, ç'mendoni për flirtet e Ledi Dianës" etj., por çuditërisht nuk pyesnin për lojtarët e futbollit anglez, as për futbollin në përgjithësi.
Absurditeti qe i plotë, jetëshkurtër. Erdhi shefi i sigurisë së aeroportit, më përshëndeti, më kërkoi pasaportën, e pa, fytyra e tij nuk bëri asnjë grimasë, më përshëndeti përsëri, u kthye nga kamerat e tha qartë: "Është një shqiptar!"
One albanian? Ah!
Kaledoskopi u shpërbë, u thërmua në çast. E ndjeva triumfin e vetmisë dhe indiferencës përbuzëse. Ky qe shpërblimi, por edhe tallja brutale e ngjashmërive.

* * *

Ky shtjellim rrëfimtar, i kotë, nuk ka fund. Më vonë, duke lexuar mbi jetën e Xhovani Belinit, mësova se ai ia kishte hedhur në fytyrë paratë e argjentit porositësve të pikturës, se gjoja atë nuk e kishin pëlqyer. Në një biografi të shkruar në vitet 80' të shekullit XX për autorin Fernandel nga Jacques Graques që i dhanë çmimin Gonkur, lexova me pezmatim e keqardhje të shenjtë se Fernandeli në jetën private qe mizor, i pabesë e egoman dhe se kishte tentuar disa herë të vriste veten.
Studiuesi Lorenc Torreli, që qe shkaktar i katrahurës në shtypin botëror, disa vite më vonë kishte zbuluar një sozi të tij në Madrit, që qe homoseksual, kishte patur kurajon heroike të takonte e madje të miqësohej me të.
Përsa i përket shkruesit të padenjë të këtyre rradhëve plot përqëndrim e shkujdesje, ka kohë që është shkëputur nga loja haluçinante e shahut dhe ndjek i zilepsur e tahmaqar ndeshjet e futbollit në TV, pa guxuar ende të shkojë në stadium...

* * *

Kur Mishel Platinia erdhi në Shqipëri si President i FIFA-s, e priti ministri i kulturës si dhe kryeministri - vetëkuptohet për kortezi mediatike.
Befas, një gazetare e re, gati një çupërlinë, e bukur dhe seksuale e pyeti Platininë e papërballueshëm dhe simpatik se a e dinte që në Shqipëri ekzistonte një lloj sozie e tij. Pa mëdyshje, me krenari verbuese dhe elokuencë, Platinia deklaroi se nuk besonte te sozitë, por te jashtëtokësorët po. (1 prill 1994)

15 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›