E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendje për psherëtimë



E vërteta duket sikur avullon teksa përhapet. Unë e ndiej brenda vetes edhe këtë çast, madje është pikërisht ajo që më nxit të përsëris atë çka Floberi e dinte po aq mirë sa Shekspiri dhe Shekspiri po aq mirë sa Horaci, pra, vetëm një gjë ka rëndësi për poetin: arti i tij. Është pikërisht koha për ta ndërmendur këtë, ngaqë në fakt më duket se ne me letërsi shllapuritemi.

Vladimir NABOKOV

Me siguri që nuk ka gjë më të bezdisur sesa të përshkruash një vepër të madhërishme poetike, në mos po ta dëgjosh tek e përshkruajnë. E vetmja mënyrë e mirë për ta studiuar është ta lexosh, të përsiatësh rreth saj, ta kuvendosh me veten, por jo me të tjerët, sepse lexuesi më i mirë mbetet ende egoisti që e shijon gjetjen e vet duke iu fshehur fqinjve. Bindja që kaplon në këtë çast për ta ndarë me tjetërkënd adhurimin që ndiej për një poet, është në thelb një ndjenjë e dëmshme që nuk përuron kurrgjë të mirë për subjektin e zgjedhur. Sa më i madh të jetë numri i njerëzve që lexojnë një libër, aq më pak i kuptuar është ky libër. E vërteta e tij duket sikur avullon teksa përhapet. Vetëm në çastin kur shpërthimi i parë i një fame letrare zë e hirnoset, vepra nis përnjimend të shpalosë fytyrën e saj të vërtetë. Por për tekstet pak të përkthyeshme që e fshehin thesarin e vet te mugujt e një gjuhe të huaj, çështja bëhet veçanërisht e ndërlikuar. Një lexuesi frëng nuk mund t’i themi dot: po të doni të njihni Pushkinin, merrni veprat e tij dhe ngujohuni bashkë me to. Afërmendsh që poeti ynë nuk duket se ka ndonjë ngasje për përkthyesit. Tolstoi, që për më tepër është i së njëjtës racë me të apo babloku Dostojevski, që është shumë më poshtë se ai, gëzojnë në Francë një lavdi të po asaj mase me shumë shkrimtarë vendas, por emri Pushkin, me kaq kumbim muzikor për ne, mbetet në frëngjisht cytës e ngacmues për veshin. Pa dyshim, për poetin është përherë më vështirë sesa për prozatorin që t’i kapërcejë caqet. Mirëpo në rastin e Pushkinit vështirësitë kanë një arsye më të thellë. Shampanjë ruse, më thoshte një ditë një i mençur. Në fakt, le të mos harrojmë se Pushkini i vuri në dispozicion muzës ruse pikërisht poezinë frënge, një periudhë të tërë të kësaj poezie. Përfundimi është që, në çastin kur vargjet e tij u përkthyen në frëngjisht, lexuesi has tek ato herë shekullin e tetëmbëdhjetë frëng, poezi rozë me gjemb epigrame, herë atë romantizëm gabimisht ekzotik që ngatërronte Seviljen, Venecian, Lindjen dhe Greqinë mëmë, ku mjalti është aq i ëmbël. Kjo përshtypje e parë është e ligë, kjo dashnore e moçme aq e amshtë, sa lexuesi frëng shkrehet në një çast. Është një gjë e rëndomë të thuash që për ne rusët Pushkini është një kolos, që mban mbi supe gjithë poezinë e vendit tonë. Por në çastin kur asaj i qaset pena e përkthyesit, shpirti i kësaj poezie fluturon, kurse juve ju mbetet në dorë një kafaz vocërrak i praruar.
Dikur i hyra edhe unë një pune të këtillë me një mori vargjesh të përmendura, ku fjala ruse sikur nuk qe tjetër veçse pasqyrim i vetvetes. Edhe pse nuk mungonte asnjë fjalë, nuk ma ha mendja se ato radhë ia dalin mbanë të japin një ide të lirizmit të pafund të fuqishëm të poetit tonë. Por, më duhet ta pohoj, pak e nga pak kjo punë më hyri në qejf. Nuk qe më dëshira e keqe për t’i treguar Pushkinin lexuesit të huaj, por thjesht përjetimi mrekullor për t’u zhytur i gjithi në këtë poezi. Unë nuk rrekesha të jepja Pushkinin në frëngjisht, por të vendosesha për vete në një drithërimë me qëllim që, pa pjesëmarrjen time të vetëdijshme, të përftohej një mrekulli, metamorfozë e plotë. Më në fund, në krye të disa orëve murmurimash të brendshme, fërgëllimash të shpirtit që shoqërojnë mbrujtjen poetike, e pandehja mrekullinë të përmbushur. Mirëpo, me t’i shkruar këto radhë të freskëta, me frëngjishten time mjerane prej të huaji, do ti që ato zinin e zbeheshin. Largësia midis tekstit rus e përkthimit, më në fund, gati më shfaqej tani me gjithë realitetin e vet të trishtë. Unë kisha zgjedhur, bie fjala, një mori fjalësh që në rusisht mbartin një thjeshtësi hyjnore. Fjalët plotësisht thjeshtake në vetvete, seç kanë aty një lloj madhështie natyrore, sikur me t’i prekur Pushkini, atyre u ishte kthyer një frymëmarrje zanafillore, një freski që e kishin humbur prej përdorimit nga poetët e tjerë.
Ajo çka më ngjante e çuditshme gjatë përçapjeve shqyrtuese, ishte se çdo poezi që merrja, gjente jehonën e vet të veçantë te ky apo ai poet francez; mirëpo shpejt e kuptova se, në thelb, Pushkini nuk kishte të bënte fare me ta. Ishin thjesht kujtime letrare të miat që më prinin e jo ai pasqyrim i rremë frëng, që pandehim se hasim në vargjet e tij. I prirë nga këto kujtime të pakursyera, unë mbetesha në mos i kënaqur, fundja jo tejet i acaruar nga përkthimet e mia. U përpoqa të përktheja edhe disa pjesë nga poemat e dramat e Pushkinit. Nuk gënjehem a joshem nga cilësia e këtyre përkthimeve. Është fjala për Pushkin mjaft të përngjashëm, kjo është e gjitha: e vërteta është gjetkë. Mirëpo, duke i rënë përgjatë bregut kësaj poezie shpërthimtare, le të vërejmë se në disa rrjedha pas të cilave u çapita, një farë e vërtete gëlon duke kënduar, dhe kjo e vërtetë është e vetmja që has këtu: e vërteta e artit.
Sa tronditëse do të qe, po të ndiqeshin nëpër shekuj kuturitë e një ideje. Pa bërë lojë fjalësh, unë them më tej se në këtë rast do të bëhej fjalë për romanin ideal; sepse, me një kthjelltësi të përkryer dhe e qëruar nga çdo pluhur njerëzor, kjo pamje abstrakte do të dukej sikur gëzonte përnjimend një jetë dendurore që zhvillohet, gjallërohet, tregon mijëra shojzat e veta, me zhdërvjelltësinë e padukshme të një agimi boreal. Kësisoj mund të zgjidhej ideja e së bukurës për të ndjekur hallet e saj johistorike e për ta shndërruar në diçka shumë më të gjallëruar se një roman aventurash. Sa dramatik, në fakt, është fati i një vepre si ajo e Pushkinit! Ai nuk kishte dhënë ende shpirt, kur mendja dritëshkurtër e kritikut Belinski i kërkonte sherr me pahir. Me ç’dukej, hallet e kohës së vet nuk e shqetësonin dhe aq. Te ne filozofia hegeliane ka marrë së prapthi. E megjithatë, nuk ka ndodhur asnjë çast që e vërteta e Pushkinit të ketë rreshtur së ndrituri ndokund e parrënueshme porsi vetëdije. Unë e ndiej brenda vetes edhe këtë çast, madje është pikërisht ajo që më nxit të përsëris atë çka Floberi e dinte po aq mirë sa Shekspiri, dhe Shekspiri po aq mirë sa Horaci, pra, vetëm një gjë ka rëndësi për poetin: arti i tij. Është pikërisht koha për ta ndërmendur këtë, ngaqë në fakt më duket se ne me letërsi shllapuritemi.

Përktheu Luan Canaj

15 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›