E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet privatizimi i OSSH-së për të dytën herë, blerësit e painteresuar



Për herë të dytë, brenda një muaji, qeveria shtyu me dy javë afatin e dorëzimit të ofertave të privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, ish-degën e shitjeve të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Burime zyrtare bënë të ditur se afati i dorëzimit të ofertave u shty nga data 14 shtator në datë 29 shtator, kryesisht për shkak se kompanitë e interesuara “kërkuan më shumë kohë në dispozicion për të përgatitur ofertën”. Katër kompanitë e interesuara kanë patur kohë që nga muaji qershor i këtij viti për t’u interesuar për gjendjen e kompanisë së re. Afati fillestar për përfundimin e tenderit, qe caktuar 1 Shtatori. Ndërkohë, shumë zyrtarë shprehen me mosbesim për suksesin e këtij privatizimi. Katër kompanitë e interesuara janë: “Enel” nga Italia, “EVN” dhe “Energy Teiermark” nga Austria dhe “CEZ” nga Republika Çeke. Të gjitha këto kompani kanë investime të ngjashme në rajon. EVN ka blerë sistemin e shpërndarjes së Maqedonisë dhe një nga tre kompanitë e shpërndarjes së Bullgarisë. “Enel” është e pranishme në Rumani, ndërsa “CEZ” ka aktivitete prodhuese e tregtare në pothuajse të gjitha vendet e rajonit. “EVN” ka fituar një tender për të ndërtuar një rrjet hidrocentralesh, ndërsa “ENEL” ka patur interesa të shumëfishta në KESH. Të gjitha kompanitë konsiderohen si jashtëzakonisht eksperte në fushën e energjisë elektrike, megjithatë, duket se në rastin e Shqipërisë, ato po hezitojnë. Privatizimi i OSSH-së është konsideruar nga qeveria si projekti më ambicioz i reformimit të ekonomisë. OSSH-ë, do të jetë në të ardhmen kompania përgjegjëse për furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve, me fuqi monopoliste dhe me çmime të mbikëqyrura. Ajo ka aktualisht rreth 1 milionë klientë. Blerësi i OSSH-ë do të ketë kontroll të plotë mbi kompaninë. Me blerjen e 76 për qind të aksioneve, pjesa e mbetur nën pronësi të shtetit prej 24 për qind nuk do të luajë asnjë rol në menaxhimin e kompanisë. Çmimet e saj do të vijojnë të jenë të përcaktuara nga ERE, gjithsesi. Të ardhurat e saj bruto nga tarifat e shpërndarjes do të jenë minimalisht 80 milionë euro.

Kukës, Sistemi bankar ka dhënë 1.2 miliardë lekë kredi

Në rrethin e Kukësit ushtrojnë veprimtarinë e tyre gjashtë banka private, ndërkohë që janë në proçes për të filluar aktivitetin e tyre edhe dy banka të tjera, bëri të ditur Banka e Shqipërisë. Sipas BSH-së, deri në fund të muajit qershor 2008, sistemi bankar ka akorduar rreth 1.2 miliardë lekë kredi (afërsisht rreth 15 milionë dollarë amerikanë) nga të cilat, rreth 66 për qind i përkasin individëve dhe pjesa tjetër bizneseve private të zonës. Banka Qëndrore, vëren se kjo shumë përbën rreth 66 për qind të depozitave të grumbulluara po në këtë zonë, duke pasqyruar në këtë mënyrë një shkallë relativisht të lartë të ndërmjetësimit financiar. Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani tha në lidhje me këtë se “është konstatuar që shumë banka po zbatojnë politika agresive marketingu nëpërmjet të cilave reklamohen kredi me terma dhe destinacione të ndryshme për individët, ashtu sikurse janë ofruar përqindje atraktive për grumbullimin e depozitave”. Sipas Guvernatorit Fullani, një zhvillim tjetër ka të bëjë me zgjerimin e vazhdueshëm të rrjetit të degëve dhe të agjencive nga ana e sistemit në përgjithësi. Vetëm gjatë vitit 2008 janë hapur 73 degë dhe agjenci të reja si dhe janë në proces për t’u hapur 15 të tilla, bën të ditur BSH-ja.

15 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›