Kush i vodhi këpucët e shqiptarëve
Po ç’bën kështu, se është turp?! Çfarë turpi, ore, unë nuk kam televizor fare në shtëpi, kurse këta e hidhkan jashtë si pa të keq! Askush s’foli e shoku ynë me kurajo e “hëngri turpin me bukë”. U kthye pas dhe e ngriti televizorin në krahë. Në aeroport ia paketuan dhe e kaloi bashkë me bagazhet. Mbaj mend harenë e tij të madhe në Tiranë, kur na njoftoi se televizori punonte. Sa të gëzuar ishin në familjen e tij, sidomos fëmijët, që babi u kishte sjellë televizor. Televizori për ta kishte qënë një ëndërr e parealizuar deri atëherë… Po të dëgjosh shqiptarët e vjetër emigrantë këtu në Amerikë, të rrefejnë se mobiljet e para i kanë gjetur rrugëve. U mësuan se e lëna e orendive jashtë shtëpisë, nuk është “e harruar” por e bërë qëllimisht, pra që ta marrë kush ka nevojë, sa pa ardhur makina e plehrave për ta kollofitur.
Albana M. LIFSCHIN
Shqiptarët e Bronxit atë mëngjes u gdhinë pa kepucë… Një i çmendur thonë se kishte grabitur tërë këpucët e shqiptarëve e i kishte çuar në Salvation army për t’u bërë nder homlesave të Nju Jorkut.
Ka qenë kronika më qesharake e botuar ndonjëherë në “Bronx Times”.
1.
Çdo të hënë e çdo të ejte mbrëma, kamiona sanitarë gjigandë ndalojnë para ose prapa godinave të Nju Jorkut për të gëlltitur plehrat e qytetit. Kamioni ka një vinç si noçkë elefanti, që i ngre lart kazanët e mëdhenj, si edhe dhomat metalike mbushur me plehra, që i përmbys në barkun e tij. Pastaj i lëshon përsëri përdhe të boshatisura.
Amerikanët, në ditët para se të vijë makina rrëmbenjëse, nxjerrin para dyerve gjithçka që atyre nuk u nevojitet më. Kështu, “mbeturinat” mund të jenë edhe rroba apo këpucë, televizorë apo komodina, llampadarë apo kabinete, karrige apo edhe i tërë kompleti i kolltukëve, që të vjen gjynah ta shohësh të hedhur në plehra.
M’u kujtua një shërbim në Austri tridhjetë vjet të shkuara. Një gjë të tillë bënin edhe austriakët. Ne ishim tre vetë, një grup xhirimi që, tek po ecnim atë pasdite në një rrugë të bukur të Insbrukut, papritur para një shtëpie na zuri syri një televizor ”të braktisur”. Një nga shokët tanë e ktheu disa herë kokën pas për ta parë, aq sa regjisori ynë i hoqi vërejtjen:
- Po ç’bën kështu, se është turp.
-Çfarë turpi, ore, unë nuk kam televizor fare në shtëpi, kurse këta e hidhkan jashtë si pa të keq.
Askush s’foli e shoku ynë me kurajo e “hëngri turpin me bukë”. U kthye pas dhe e ngriti televizorin në krahë. Në aeroport ia paketuan dhe e kaloi bashkë me bagazhet. Mbaj mend harenë e tij të madhe në Tiranë, kur na njoftoi se televizori punonte! Sa të gëzuar ishin në familjen e tij, sidomos fëmijët, që babi u kishte sjellë televizor nga Austria. Televizori për ta kishte qënë një ëndërr e parealizuar deri atëherë.
Po të dëgjosh shqiptarët e vjetër emigrantë këtu në Amerikë, të rrefejnë se mobiljet e para i kanë gjetur rrugëve. U mësuan se e lëna e orendive jashtë shtëpisë nuk është “e harruar”, por e bërë qëllimisht që ta marrë kush ka nevojë, sa pa ardhur makina e plehrave për ta kollofitur.
2.
Po me këpucët e shqiptarëve ç’ndodhi, thoni ju? Edhe ato i kollofiti makina?
E vërteta është që jo. Fajin për zhdukjen e tyre e mbajtën nikoqiret e shtëpisë. Ai mëngjes u gdhi me sherr, pasi këpucët para dyerve të familjeve shqiptare mungonin.
E keni dëgjuar ndonjëherë atë shprehjen: “Shtëpitë e shqiptarëve janë të pastra si laboratore?” Këto laboratore kishin një veçori të përbashkët. Para dyerve të tyre shihje këpucë të vëna në rresht rrëzë murit. Mesazhi ishte i qartë: Askush s’hyn në shtëpi me këpucë.
Atë ditë, kur vajta t’i bëj vizitë një të njohurës sime, kjo qe gjëja e parë që më ra në sy. U vura në siklet. S’më kishte detyruar njeri t’i hiqja këpucët te dera e shtëpisë deri atëhere, së paku jo në Amerikë. Pyetjes sime hezituese ”t’i heq?”, e njohura ime iu përgjigj me heshtje. I zbatha këpucët dhe i rreshtova me ato të të tjerëve, jashtë derës së apartamentit në katin e tretë.
E zonja e shtëpisë, ndërkohë, nxitoi të më sillte një palë pandofla. Ishin nja dy numra më të mëdhenj se këmba ime. Gjithë kohën që ndenja ulur, nuk ndihesha rehat, jo nga pandoflat që mbaja në këmbë, por nga ideja që këpucët e mia, vënë në rresht, më prisnit përjashta. Mu bë se edhe ato vetë ndiheshin “të fyera” që s’ishin tok me mua.
Apartamenti qe akull i pastër. Gratë kanë kaluar në mani, por kjo puna e këpucëve të lëna jashtë dere, në një korridor të përbashkët me fqinjët, nuk di pse më krijonte një ndjenjë ” fshatarllëku” në mes të Amerikës.
- Po ku tjetër t’i mbajmë? Hë, më thuaj ti? - iu përgjigj pyetjes me pyetje e njohura ime.
3.
M’u kujtua që në shtëpinë time në Tiranë, ime motër kishte bërë një dollap këpucësh me sirtare, pranë derës. Këpucët flinin aty. Në apartamentin tim i mbaja në kllozet, pikërisht aty ku ishin varur edhe rrobat. Në dysheme, mbi parket, këpucët kishin foletë e tyre. Këtu, në Amerikë, këpucët nuk bëhen aspak pis. Ne qahemi se po na bëhen kaq shumë këpucë e na mbeten të reja nga mospërdorimi. (M’u kujtua Imelda Markos, që iu gjendën në kllozet 3500 palë këpucë… Ne kemi nga 35 palë. Nuk ka as erë këpucësh, as gjë. Sa deodorante kemi për të neutralizuar erërat në shtëpi?)
-Po sikur tua marrin këpucët te dera? - fola kot unë, duke e paraditur përgjigjen.
-Po kush ka për të na i marrë, moj e uruar?! Kush është keq për këpucët tona?!
S’kisha thënë atë që duhet. Gjithsesi, këpucët jashtë derës vazhdonin të më krijonin një gjendje të bezdisëshme.
-Edhe im shoq ma ka bërë këtë vërejtje, - tha ajo, - por nuk mundem të toleroj pesë palë këpucë këtu. Burri dhe fëmijët, po s’u mësuan të hyjnë pa këpucë, mua më bëhet shtëpia elaq!
Më erdhi ndër mend një shok, që thoshte: “Më ka zënë frika nga gruaja, se sa më dëgjon hapat përjashta, thërret që nga brenda: Këpucëëëëëët!!!! I tërë sherri në shtëpi fillon nga këpucët.”
Kur u largova, ktheva edhe një herë kokën pas. Pesë palë këpucë të vëna në rresht, ruanin derën e saj. E gjithë ajo pastërti e bukuri e brendëshme kollapste para asaj pamje.
4.
S’kishte kaluar një javë nga ajo vizitë, kur një darkë ra telefoni. E njohura ime më tha me një frymë:
- A e di se ç’na ka gjetë ne? Na kanë vjedhë këpucët!
Pandeha se po bënte shaka.
- A thua se u kanë thënë që të na i marrin, - vazhdoi ajo. - Gjithë këpucët e shqiptarëve në bllokun tonë janë vjedhur! Burrit i dhashë të mbathte këpucët e reja, të paprekura në kuti. Fëmijëve u dhashë pandofla. Ishte mëngjes herët e s’ishin hapur as dyqanet. Boooo! Çfarë shqetësimi na ka sjellë ai hajdut këpucësh, që mos i gëzoftë këpucët e shqiptarëve, ishalla!
Në fakt, “drama” kishte lindur si një keqkuptim i vogël. Duke i pandehur hedhurina, thonë se dikush i kishte grumbulluar të gjitha këpucët e shqiptarëve të lëna pas dere, për t’i çuar në Salvation army, për të ndihmuar fukarenjtë e Nju Jorkut.
Nuk di se si e zgjidhi problemin e këpucëve e njohura ime paskëtaj, por me siguri ka bërë siç bëjnë të gjithë amerikanët: U ka gjetur vend në kllozet!
15 Shtator 2008