Ngjela: Berisha- Meta, bien për 2 muaj
Avokat Spartak Ngjela rrëfen në një intervistë për "Shekulli"-n veprimin e fundit politik të partisë që ai drejton dhe marrëdhëniet me Edi Ramën
TIRANË - Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, në një intervistë për gazetën "Shekulli", deklaroi se do të bashkëpunojë me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, si dhe me gjithë spektrin opozitar shqiptar, të majtë dhe të djathtë, për të ndërtuar një platformë të përbashkët, për ristrukturimin demokratik të shtetit shqiptar.
Pas takimit të zhvilluar pak ditë më parë me kryetarin e PS-së, Edi Rama, ai theksoi se tani po mendohet për mbledhjen e partive të djathta, që janë në opozitë me qeverinë, me qëllimin e përbashkët: rikthimin e demokracisë në Shqipëri.
Kreu i PLiDr-së, tha se bojkoti i Partisë Socialiste është një emancipim i politikës shqiptare, dhe është tërësisht i legjitimuar. Ngjela vuri në dukje gjithashtu, se qëndrimi i opozitës jashtë Parlamentit, do të bëjë të mundur rrëzimin e qeverisë Berisha- Meta, e cila, sipas tij, nuk mund të rezistojë më shumë se dy muaj.
Z. Ngjela, cili është vlerësimi juaj mbi zgjedhjet e 28 qershorit?
Për zgjedhjet e 28 qershorit, fakte personale nuk kam, por kam raportin. Raporti i ndërkombëtarëve thotë që, një e treta e numërimit është bërë keq ose shumë keq, në një kohë që pushteti është i barabartë 70 me 70.
Patjetër, nuk mund të vazhdojë kjo gjendje. Është e pamundur të vazhdojë kjo gjendje. Kjo është logjika e shtetit. Kjo është logjika e demokracisë dhe këtë po kërkojmë të bëjmë.
Si e vlerësoni qeverinë "Berisha-Meta", e dalë prej këtyre zgjedhjeve?
Jolegjitime. Për të gjitha ato që thashë, jolegjitime. Për mendimin tim, në rast se do të vazhdojë bojkoti dhe për dy muaj, kjo qeveri nuk mund të ketë mundësi që të shkojë më shumë se dy muaj dhe do të rrëzohet.
Pak ditë më parë ju zhvilluat një takim me kreun e PS-së, Edi Rama. Çfarë u diskutua në këtë takim?
Diskutuam problemet e gjendjes aktuale. Çështja kryesore është: e përkrah apo nuk e përkrah personalisht si frymë e djathtë bojkotin që kanë bërë socialistët? Unë e konsideroj bojkotin si një çështje shumë të madhe, një evolucion në mentalitetin shqiptar, i cili do të realizojë patjetër rikthimin e votës së lirë në Shqipëri.
Duhet të kujtojmë që vota e lirë në Shqipëri është zhdukur si fenomen në vitin 1924. Po shkon afër një shekull që ne vërtitemi nëpër "kallamishte" nga tirania. Erdhi koha që interesat të bashkohen në luftë kundër tiranisë.
Zoti Rama tha: "Jam dakord". Ishte një takim thuajse formal, tani mendojmë se do të mblidhen dhe strukturat e opozitës së djathtë për të parë se si do t'i riorganizojmë forcat, me një qëllim të përbashkët: rikthimin e demokracisë në Shqipëri, institucionalizimin e shtetit, bllokimin e pushtetit, rrëzimin e tiranisë dhe krijimin e hapësirave të mëdha demokratike në të gjitha aspektet e jetës shoqërore dhe shtetërore; në administratë, në pushtetin gjyqësor, në media.
Ju keni qenë një kundërshtar politik i Ramës për disa vite, (duke kujtuar këtu edhe përballjen tuaj për Bashkinë e Tiranës), çfarë ju shtyu të ndërmerrni këtë hap për të bashkëpunuar me të?
Nuk është problem se po shtyhem për të bashkëpunuar me të. Është çështja se e ka sjellë koha. Na sjell dy forca të caktuara në një barrikadë përballë një kundërshtari. Kjo është një opozitë, e cila nuk ka lidhje me programet, ka lidhje me sistemin. Në Shqipëri është bllokuar sistemi në funksion të votës së lirë.
Nëse nuk kemi votë të lirë, nuk kemi asgjë. Ne bashkëpunojmë për votën e lirë njësoj sikur të kishim përpara një diktaturë, një tirani. Nuk flitet më për aspektet e tregut, për shpërndarjen e të ardhurave, të cilat janë një s
tad më vonë, pasi të vendosen rregullat e lojës dhe të vendoset demokracia në Shqipëri. Këtu ne jemi përballë tiranisë. Do godasim tiraninë!
Pse vjen tani kjo lëvizje politike?
Nuk është lëvizje. Unë kam katër vjet në opozitë, po këtu janë vjedhur zgjedhjet, janë vjedhur votat. Ndërkombëtarët provuan në raport që këtu nuk ka proces të lirë zgjedhor. Në qoftë se ai raport do të ishte në Angli, Anglia do të shkatërrohej.
Nuk mund të qëndrojë një ditë Qeveria Angleze dhe Parlamenti anglez, atëherë në Shqipëri pse qëndron, se jemi shqiptarë. Raporti thotë këtë gjë: "Uji është i ndotur, kana është e pistë, gota është edhe më e pistë, pijeni ujin se jeni shqiptarë. Nuk keni standarde, po ju shqiptarë jeni, domethënë 'afrikanë'".
Në një kohë që jemi në NATO, diskrediton koshiencën tonë demokratike, atëherë duhet t'i tregojmë Perëndimit që ne nuk jemi këta që janë në pushtet. Kjo është fryma që unë kërkoj të merrem vesh me të gjithë spektrin opozitar shqiptar, jo vetëm me Partinë Socialiste, me të gjithë. Kryqëzatë duhet të ngremë për të luftuar tiraninë në Shqipëri.
Çfarë ju bashkon dhe ju ndan me Edi Ramën?
Na ndajnë programet. Tani ai është rreshtuar dhe kërkon ristrukturimin e shoqërisë shqiptare në mënyrë demokratike, administratën, pushtetin gjyqësor, pushtetin e medias, pushtetin legjislativ, votat e lira, institucionet e votës së lirë. Kjo është një platformë e madhe reforme, të cilën do të mblidhemi dhe do ta shpallim.
A ekzistojnë mundësitë e shkrirjes së partisë suaj me PS-në?
Jo, nuk mund të ndodhë.
Cilat janë kushtet që do t'i vendosni Partisë Socialiste për bashkëpunim?
Të gjitha ato që thashë më lart, janë kushtet që ne luftojmë për këtë, dhe me partitë, me barazi. Midis forcave të djathta dhe forcave të majta, do të krijojmë doktrinën ose platformën e caktuar, e cila do të përpilohet nga palët.
Unë kam rënë dakord me kryetarin e Partisë Socialiste që të krijojmë një platformë të përbashkët, një marrëveshje të përbashkët ose një doktrinë të përbashkët, për ristrukturimin demokratik të shtetit shqiptar.
Duke mbetur tek qëndrimi i Partisë Socialiste për të mos hyrë në Kuvend, si e vlerësoni ju këtë qëndrim, a është i legjitimuar?
Një gjë shumë e madhe. E thashë edhe në fillim. Është legjitime, çdo të thotë legjitime? Në momentet që unë them që ky Parlament është jolegjitim, unë nuk kam si marr pjesë në këtë Parlament.
Disa ditë më parë, Gjykata e Lartë pushoi çështjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar nga Prokuroria për shpërdorim detyre në rastin e tragjedisë së Gërdecit, ju si njeri i jurisprudencës si e gjykoni vendimin e Gjykatës së Lartë?
Gjykata ka të drejtë. Ai ka mandat të ri deputeti, do të thotë që ka imunitet. Ata nuk mund ta gjykojnë, duhet ta çojnë në Prokurori, t'i kërkojnë heqjen e imunitetit që të vazhdojë gjyqi.
A është moralshme që Fatmir Mediu të jetë sërish në kabinetin e ri qeveritar?
Kurrë nuk është e moralshme. Nuk është e moralshme për asnjë gjë.
Qeveria "Berisha-Meta"
"Jolegjitime. Për të gjitha ato që thashë, jolegjitime. Për mendimin tim, në rast se do të vazhdojë bojkoti dhe për dy muaj, kjo qeveri nuk mund të ketë mundësi që të shkojë më shumë se dy muaj dhe do të rrëzohet"
Takimi me Edi Ramën
"Ishte një takim thuajse formal, tani mendojmë se do të mblidhen dhe strukturat e opozitës së djathtë për të parë se si do t'i riorganizojmë forcat, me një qëllim të përbashkët: rikthimin e demokracisë në Shqipëri, institucionalizimin e shtetit, bllokimin e pushtetit, rrëzimin e tiranisë dhe krijimin e hapësirave të mëdha demokratike në të gjitha aspektet e jetës shoqërore dhe shtetërore; në administratë, në pushtetin gjyqësor, në media"
Platforma e opozitës
"Midis forcave të djathta dhe forcave të majta, do të krijojmë doktrinën ose platformën e caktuar, e cila do të përpilohet nga palët. Unë kam rënë dakord me kryetarin e Partisë Socialiste që të krijojmë një platformë të përbashkët, një marrëveshje të përbashkët ose një doktrinë të përbashkët, për ristrukturimin demokratik të shtetit shqiptar"