E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur pasionin e gjen përballë ekranit

Pamjet e të parit "Fashion TV Party", do të shfaqen që nesër në "Fashion TV". Kur Sonila Paco të ulet përballë ekranit e të shohë të realizuar një prej ëndrrave të saj, me siguri do t‘i duken shumë të largëta 4 vitet e shkuara, kur kjo ishte ende një ide. Gruaja që drejton "5 Senses Events Agency", (agjencia e cila ka bërë lidhjen direkte me "FTV Paris" për sa u përket organizimeve të "FTV Party" në Shqipëri) arriti të konkretizojë ndjesinë e saj të gjashtë. "Është e çuditshme që kjo ide më ka lindur mua gati 4 vjet me parë. Gjatë kësaj kohe ne kemi pasur ‘Red Dragon Club‘, teksa në orët e vona të natës shikoja FTV. E entuziazmuar nga pamjet e ‘FTV Party‘ që po transmetoheshin, thashë me vete se pse jo unë. E bëj këtë në Shqipëri dhe e bëj tek ‘Red Dragon‘!"
Fatmirësisht interneti funksiononte mirë në orët e vona dhe pas një prezantimi të duhur u vura në kontakt me personat përgjegjës të ‘FTV Paris‘ për këtë aktivitet. Pas disa korrespondencash, mora një aprovim prej tyre. Mund të them që pjesa më e vështirë ishte të bindja menaxherët e ‘Red Dragon‘, që një gjë e tillë ishte e mundur. Vendosa që për të testuar njerëzit se sa ishin të gatshëm për një eveniment të tillë, të organizoja fillimisht një ‘Fashion Party‘. U angazhuam dhe u binda që mund të vazhdoja".

Por, për të qenë brenda ekranit të FTV, nuk mjaftonte më një vend me përmasa mesatare, kërkohej një standard më i lartë. Në katër vitet që nga zanafilla e idesë, Sonila Paco solli në jetë Gabriel, e cila u rrit bashkë me kërkesat për më shumë cilësi.

"Aktivitetet e nivelit të lartë kanë qenë dhe do të mbeten pasion i imi dhe nuk mund të hiqja dot dorë kollaj. Pas dy vjetësh (kohë gjatë së cilës unë linda vajzën time Gabriel dhe doja të rrija pak më gjatë me të) vendosa t‘i rikthehesha iniciativës sime me FTV-në. Kësaj radhe në një tjetër mënyrë, pasi më duhej të përzgjidhja club-in në të cilin ky eveniment do të zhvillohej".

FTV-ja i mundësoi bashkëpunimin me agjencinë e tyre "Dj Center Agency", me te cilët "5 Senses Events Agency" ka një marrëveshje ekskluzive për organizimin e "FTV Party" në Shqipëri. Me kërkesën për një "FTV Session Party" të vërtetë, me të gjitha elementet situata komplikohej te sfilata, derisa zgjidhja ishte Enada At‘Nikolla, stiliste e re, por jo me pak kërkesa nga vetja. Prania e modeleve franceze e bëri edhe më të prekshme si ngjarje, që i kalonte kufijtë e një vendi në perëndim të Ballkanit.

Gruaja që gjeti sensin e gjashtë, nesër nuk do ta shohë veten në "FTV Party", por pak rëndësi do të ketë për të: "Jemi të vegjël, por na pëlqejnë të bëjmë evenimente cilësore, që pasqyrojnë një anë të bukur të Shqipërisë në botë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›