Ngre siparin festivali i aktrimit “Apollon 2023”, shfaqja e parë ishte komedia ”Tërësisht të huaj”

Teatri “Bylis” në Fier, do të kthehet për pesë ditë radhazi, në destinacionin e artit skenik, pasi mbrëmë ka çelur siparin festivali i aktrimit “Apollon 2023”.
Në këtë edicion të 14-të, festivali do të sjellë në skenën teatrore vepra të autorëve shqiptarë dhe të huaj, kryesisht në gjininë e komedisë dhe monodramës, shfaqje të cilat, sipas drejtorit artistik të Festivalit, Klajdi Marku, trajtojnë dhe nxjerrin në pah probleme familjare dhe të shoqërisë që hasen më së shumti gjatë ditëve të sotme.
Natën e parë të Festivalit është ngjitur në skenë trupa e teatrit profesioniste e Tiranës me komedinë “Tërësisht të huaj”, një vepër që përcjell situatat e miqësive dhe çifteve në krizë, e cila u realizua me regji të Erion Isait, ku performuan një kastë e njohur aktorësh, si: Olta Daku, Florjan Agalliu, Igli Zarka, Ajlin Petrela, Ori Bici, Kejdi Gishto, Franc Bregu, Rosela Isufi.
Në netët në vijim do të perfomojnë në skenë trupa teatrore nga qytete të tjera të Shqipërisë dhe nga Kosova.
Juria e festivalit këtë vit përbëhet nga aktorë e njohur, Ndriçim Xhepa, Luli Bitri dhe Enver Petrovci, të cilët ditë e fundit të festivalit, mbrëmjen e 28 Prillit do të ndajnë edhe çmimet për kategoritë e përcaktuara.
Gazetare: Ornela Ceka
/rtsh/