E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjiknuri: KQZ duhet të jetë jopolitike

Partia Socialiste nuk përjashton mundësinë për të mbështetur idenë e një Komisioni Qendror Zgjedhor apolitik, si dhe të ndryshimit apo përshtatjen e sistemit zgjedhor në vend. Një nga të mandatuarit e selisë rozë për të negociuar modalitetet e ngritjes së komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri, duke folur për negociatat me demokratët, ka bërë të ditur se ajo që po kërkon Partia Socialiste është përcaktimi i disa modaliteteve të qarta sesi do funksionojë Komisioni i Reformës, si dhe i garancive se propozimet e saj do të merren parasysh gjatë reformës. Përsa i përket KQZ-së, ai bën të ditur se ajo që është e rëndësishme në këtë rast padyshim është ndarja e këtij institucioni nga politika. “Mund të konsultohen shumë modele për rikompozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë deputeti socialist, por një gjë ai e thotë me siguri, që ky institucion duhet të ndahet nga politika. Ka modele të ndryshme, shtete të tjera kanë eksperienca nga më të ndryshmet. Shqipëria ka një eksperiencë. Duhen parë të gjitha këto dhe duhen diskutuar kur të vijë momenti i duhur. Nuk mund të them paraprakisht cili është modeli më i mirë, por një gjë është e rëndësishme: KQZ duhet të dalë jashtë kthetrave të politikës, ndryshe ai do të jetë një kërcënim i mjaftueshëm”, u shpreh Gjiknuri. Ndërkohë lidhur me sistemin zgjedhor përfaqësuesi socialistë ka sqaruar se PS nuk përjashton mundësinë e ndryshimit të tij. Por për të do të bëhej e nevojshme ndryshimi i Kushtetutës, në rast se do të kalohej në një sistem proporcional kombëtar të pastër, ndërsa në rast se do të bëhej vetëm korrektimi i tij apo zvogëlimi i zonave zgjedhore, kjo mund të realizohej edhe vetëm me ndryshim në ligjin zgjedhor. “Ka teori që mbase edhe brenda këtij kuadri kushtetues edhe mund të ketë hapësira, gjithsesi unë them se, nëse ia vlen, nëse do të bien dakord për ndryshimin e sistemit zgjedhor, mund të preket edhe Kushtetuta. Nuk ka ndonjë gjë të keqe. Kushtetuta u prek edhe radhën e parë kur erdhi puna te sistemi zgjedhor”, - tha Gjiknuri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›