Ngrihet akuzë ndaj shqiptarit në SHBA, mbështeti terrorizmin

Foto ilustruese
Një person nga Shqipëria, rezident në SHBA, do përballet me akuzë për terrorizëm pasi ka dërguar para për xhihadistët në Pakistan, njofton AFP. Sipas agjencisë, ai më pas u përpoq që të bashkohej me grupin për të vrarë sa më shumë trupa amerikane.
Agron Hasbajrami, një rezident legal në Bruklin, Nju Jork, u përball me akuzat dy ditë përpara se amerikanët të kujtojnë 10 vjetorin e sulmeve të 11 Shtatorit.
Megjithatë akuzat ndaj tij nuk kanë lidhje me paralajmërimet që ka lëshuar SHBA për një sulm të mundshëm terrorist të dielën.
Sipas akuzave, Hasbajrami, 27 vjeç, i ka dërguar 1 mijë dollarë një personi që përfaqësonte një organizatë xhihadiste në Pakistan. Ndërkohë, në disa biseda, ai ishte shprehur se kishte në plan të udhëtonte në Pakistan për tu bashkuar me grupin. Mos prisni për pushtimin, tani është koha për martirizim, ka thënë ai.
Ai i kishte blerë biletat por u arrestua në aeroport. Hasbajrami rrezikon deri në 15 vite burg.