Ngrihet flamuri në Vlorë. Nishani: Të pandarë si toka me qiellin
UPDATE- Kremtimi i ditës së madhe në Vlorë nisi me ngritjen flamurit kombëtar, ashtu si plot 1 shekull më parë bëri plaku i urtë Ismail Qemali. Nën brohoritjen e shqiptarëve, flamuri kuqezi u valvëti në prani të presidentit të Republikës, Bujar Nishani, kryeministrit Sali Berisha, kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, kreut të PS-së Edi Rama, presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, kryeministrit kosovar Hashim Thaçi, ambasadorëve të akredituar në vendin tonë dhe personaliteteve të tjera të larta. E gjithë politika shqiptare u bashkua në kryeqytetin e pavarësisë në këtë ditë historike për kombin shqiptar duke lënë mënjanë problemet dhe retorikat. Pas ceremonisë së ngritjes së flamurit personalitete të Shqipërisë e Kosovës kanë bërë homazhe duke vënë kurora me lule te varri i burrit të shtetit, Ismail Qemalit, për të vijuar më tej me prerjen nga presidenti Nishani dhe kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika të tortës së gjatë 12 metër vënë në qendër të sheshit.
Presidenti Nishani: Të pandarë si toka me qiellin
Në fjalimin historik në këtë 100 vjetor të pavarësisë, presidenti i Republikës Bujar Nishani deklaroi se udhërrëfyesi i shqiptarëve është flamuri kuqezi që ndër vite është grisur e ndotur, por asnjëherë nuk është mposhtur, ashtu si shqiptarët nuk janë mposhtur e nuk do mposhten kurrë. “Ditëlindja e 100-të e shtetit shqiptar është ngjarja më e bukur për çdo bashkëqyetar kudo që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë saj. Pikërisht sot e festojmë të bashkuar, të lirë, të fortë dhe me miq të shumtë. Kam nderin dhe privilegjin ti ndaj me ju këto çaste që janë nga më të veçantat për mua. Prej luftrave të kastriotëve dhe deri më sot simboli ynë, ky flamur që sot në këtë 100 vjetor i cili ka bërë një rrugë të gjatë dhe të mundimshme ia kemi arritur që të mos të ndahemi nga flamuri dhe ti dalim zot”- tha Nishani. “Një vend i vogël preh e synimeve shoviniste nuk u rrëzua, nuk u shua u mbajt fort, u ngrit në këmbë, ushqeu me gjakun e vet ëndrrën për liri, se pati bij të mirë që deshën e mbrojtën trojet e tyre, ne kemi enderra e shpresa të mëdha, Shqipëria e sotme dhe e nesërmja janë vazhdë e ngritjes së flamurit në Vlorë. Ne dhe flamuri ynë jemi të pandarë dhe të padalshëm, si materia dhe mendimi, si ideja dhe veprimi, si toka dhe qielli, si trupi dhe shpirti jemi një. “Flamuri ynë është nga më të pastrit, ai nuk i priu asnjë pushtimi asnjë shkatërrimi, na është dashur ne dhe ne i jemi dashur atij, si simbol mbijetese. Ne na ndrit dhe na e tregon rrugën ky flamur që kemi. Si president i një vendi të lirë më shumë se kurrë pranë BE ku uroj gëzuar festën të gjithë shqiptarëve që në 100 vjet e kaluan të privuar nga liria. Gëzuar festën të gjithë shqip, qoftë e bekuar kjo ditë për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Roftë Vlora, rroftë Shqipëri, rroftë kombi shqiptar” përfundoi fjala e presidentit.
Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika uron shqiptarët: Bashkimi, motoja e festës
Për kryetarin e bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, motoja e kësaj feste duhet të jetë bashkimi dhe 100 vjetor duhet të shërbejë për të reflektuar. “Ja tek erdhën sot në këtë ditë të bekuar të 28 nëntorit të viti 1912. I gjithë kombi i ka kthyer sytë nga Vlora, nga qyteti jonë i flamurit dhe te ky shesh që mban emrin sheshi i flamurit. Të gjithë shqiptarët u nisën nga të katër anët në një marshim emblematik drejt Vlorës, me kalë edhe me këmbë. Një përshëndje plot me mall më lejoni tua drejtoj atyre që janë larg që nuk mundën dot të jenë këtu me ne. 28 Nëntori është një ngjarje historike nga më të rëndësishmet. Ajo është ditëlindja e të parit shtet modern shqiptar”- theksoi ai.
Ceremonisë së festimeve iu bashkuan edhe 11 shqiptarët e Kosovës që u nisën 18 ditë më parë në këmbë nga Gjilani, për të qenë në Vlorë në 28 nëntor për të përcjellë mesazhin “ne jemi një”. Ndërkohë, grupi i lajmëtarëve të ardhur në këmbë nga Gjilani i kanë dorëzuar presidentit të republikës flamurin kombëtar shqiptar. “Ne grupi nga Gjilani që udhëtuan në këmbë. Sollëm amanetin e të parëve tanë që dhanë jetën për atdheun tonë. Roftë Shqipëria, rroftë kombi shqiptar”- tha një prej lajmëtarëve. “Marshimtarët të trevave shqiptare që kanë marshuar nga Kosova dhe sot janënë Vlorë sjellin mesazhin e bashkimit kombëtar”- tha Nishani ndërsa ka marrë në dorë flamurin.
Shpallja e Pavarësisë 100 vjet më parë, 28 nëntor 1912
Kryetari i Kuvendit të Vlorës, Ismail Qemali, propozoi të shpallej Shqipëria e pavarur, me një qeveri të përkohshme; të zgjidhej një Pleqësi në ndihmë e kontroll të qeverisë, si dhe të dërgohej një komision në Evropë, për të mbrojtur çështjen shqiptare para mbretërive. Megjithatë, një vit pas pavarësisë, fuqitë e mëdha vendosën për copëtimin e Shqipërisë, duke lënë jashtë shtetit shqiptar, Kosovën, Çamërinë dhe trojet tjera të banuara me shqiptarë, si ato në Mal të Zi dhe Maqedoni. Sidoqoftë, harta e sotme e Shqipërisë, siç vlerësojnë historianët, do të dukej, ndryshe, po të mos ishte vendosmëria e presidentit amerikan, Ëodrooë Ëilson, i cili ndaloi përpjekjet e fuqive të mëdha dhe të vendeve fqinje të Shqipërisë për copëtimin e mëtejm të vendit. Shqiptarët, i kanë caktuar një vend nderi në historinë e tyre, presidentit amerikan, Ëilson. Sot, presidenti amerikan, Barack Obama, ka siguruar se aleanca e SHBA-së me Shqipërinë është e fortë dhe e qëndrueshme. “Dy vendet tona ndajnë një lidhje të ngushtë që nisi me mbërritjen e emigrantëve të parë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara. Kjo lidhje u fuqizua edhe më tepër me ndërhyrjen vendimtare të Presidentit Wilson në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 dhe ka vazhduar të lulëzojë përgjatë dy dekadave të fundit pas vendosjes së demokracisë në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në urimin e presidentit Obama. Historia 100 vjeçare nuk ka qenë e lehtë për Shqipërinë, e cila u përball me përçarjet brenda përbrenda, por edhe me sfidat e kohës, pretendimet territoriale të fqinjëve, e pasojat e dy Luftërave Botërore. Ajo për një përiudhe u shpall monarki nga Ahmet Zogu, që e shpalli veten mbret të shqiptarëve, për t’u shfuqizuar dhe shndërruar në republikë, pas Luftës së Dytë Botërore, kur erdhën në pushtet komunistët. Ndër historianë, kjo epokë gjysmëshekullore e drejtuar nga Enver Hoxha, vlerësohet si më e errëta e cila izoloi Shqipërinë nga bota, dhe shënoi mijëra viktima, të burgosur e të internuar nga regjimi komunist. Sot, 100 vjet pas pavarësisë, liderë aktualë shqiptarë shprehin keqardhjen për copëtimin dhe pamundësinë e bashkimit të trojeve shqiptare. “Shekulli që lamë mbrapa, ishte shekulli kur në Vlorë, shpallën pavarësinë e Shqipërisë jetike, 2/3 e trojeve tona na u ndanë me padrejtësi. Sot lavdi Zotit dhe armëve tona, ndjehemi të lirë, festojmë të bashkuar, të sigurt drejt së ardhmes sonë. Sot, pavarësisht çfarë përjetuam, kemi motive për të qenë krenarë me njëri-tjetrin, me trojet tona me flamurin tonë, për të pasur besim tek e ardhmja”, është shprehur ditë më parë në Shkup, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Krijimi i dy shteteve të pavarura, përkatësisht Shqipërisë dhe Kosovës, për kryeministrin kosovar Hashim Thaçi nuk është zgjidhja më e mirë, por megjithatë është një realitet. “Kosova, ajo që kishte dhënë kontributin themelor për pavarësinë e Shqipërisë me kryengritje të ideuara nga Hasan Prishtina dhe shumë vise të tjera kishin mbetur jashtë Shqipërisë. Sot, ka të tillë që na thonë se i keni dy shtete. Dy shtete ne nuk i bëmë se kishim dëshirën tonë. Ky është një realitet. Por, më me dëshirë dhe shumë më mirë do të jetonim në një shtet të vetëm brenda familjes evropiane”, është shprehur kryeministri Thaçi. Sot, Shqipëria dhe Kosova kanë synimet e përbashkëta dhe synojnë bahssimin në integrimin në BE dhe në NATO.
...