E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngrihet monumenti i Kutelit

Qyteti i Pogradecit priti dje monumentin e prozatorit të tij, Mitrush Kuteli. Monumenti i Kutelit u montua aty buzë liqenit pranë shtatores së Lasgush Poradecit Vjen këtë pranverë për të ngelur gjithmonë aty në vendlindjen e tij. Sapo makina ka sjellë monumentin, dhjetëra qytetarë mbërritën për ta parë.
Ceremonia bëhet nesër, më 27 prill. Monumenti, i lartë 3m e 60 cm ka kushtuar 9 milionë lekë, financim i Bashkisë së Pogradecit, Ministrisë së Kulturës dhe disa donatorëve. Derdhja në bronz është bërë nga Ramazan Karaj.
Vepra është shoqëruar dje nga autori, skulptori Muntaz Dhrami, të cilit i morëm një intervistë të shkurtër.

Kur ju ka lindur ideja për një monument për Mitrush Kutelin?
Është ide e hershme. Së pari unë kam qenë një adhurues i mjeshtrit të prozës shqiptare. Para shumë vitesh fillova të skicoj monumentin e Lasgush Poradecit dhe t'ju them sinqerisht, që gjatë realizimit të tij, mendoja për Kutelin. Sepse isha i bindur se këta dy gjigantë të letrave shqipe do të ishin pranë njeri-tjetrit në vendlindjen e tyre në Pogradec. Që në bankat e shkollës i lexoja: poezitë e Lasgushit i ngjanin një kroi me ujë mali të pastër, ndërsa proza e Kutelit kishte një aftësi dehëse. Duke lexuar prozën e tij "ai të vjedh gjumin". Petraq Kolevica gjithashtu ka ndikuar që unë t'i hyj punës për monumentin e Kutelit. Madje Kolevica përveç detajeve të shumta që më ka dhënë për të, më ka treguar maskën që i ka bërë Kutelit fill pas vdekjes.


Na tregoni diçka më specifike për realizimin?
Shpresoj që ky monument të përcjellë atë që Mitrush Kuteli ishte: njeriu i mirë dhe shkrimtari me talent që nuk bëri kompromis me diktaturën.
Herë pas here vinin në studion time shumë miq të Kutelit dhe ndiqnin realizimin e monumentit. Më jepnin konsiderata por më bënin edhe vërejtje të cilat unë i kam reflektuar. Ky monument, ka një Kutel burrëror i cili është ngritur mbi tapetin e barit pa piedestal, ashtu i thjeshtë siç ka qenë. Për këtë realizim kam bërë qindra vizatime dhe skica dhe më pas dhe 12 bocete deri sa arrita tek kjo vepër që shohim.


Ka qenë ide e krijuesve dhe intelektualëve të qytetit që monumenti i Kutelit të rrinte pranë atij të Poradecit, por ju e keni kundërshtuar. Pse?
Po është e vërtetë që unë nuk kam qenë dakord. Këta dy autorë që janë dy kulme të rëndësishme të letërsisë shqipe, nuk mund të rrinin në një vend, prandaj propozova atëherë që pak metra më tutje Poradecit të ngrihet një monumenti i Kutelit dhe në mes të ketë një shatërvan të stilizuar me pllaka bakri dhe aty të jepen të incizuara gjatë gjithë ditës poezi të Lasgushit apo nga krijimtaria e Kutelit. Kjo mendoj unë është më e mira. Është bërë dhe projekti dhe besoj se do të realizohet vitin tjetër.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›