U kapen armë dhe arka me municione, në pranga dy vëllezër

Kanë përfunduar në pranga dy vëllezër nga Thumana pas një kontrolli të bërë në shtëpitë e tyre. 6 arka me fishekë u janë gjetur vëllezërve në banesë, ndërkohë që janë zbuluar edhe një armë automatike, si dhe farë për kultivimin e hashashit. Pas kësaj Astrit e Hamit Ferra janë arrestuar ndërsa ndaj tyre janë ngritur akuzat e "armëmbajtjes pa leje", "mbajtjes pa leje të municioneve ushtarake", si dhe "kultivim i lëndëve narkotike". Sipas policisë, pas kontrollit u bë arrestimi në flagrancë i 41-vjeçarit Astrit Ferra, banues në Fushë-Thumanë. "Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 111.4 gramë farë e dyshuar si farë bime narkotike e llojit kanabis sativa, 1 armë automatike model 56 (kallashnikov), 1 krëhër me 30 copë fishekë dhe 6 arka me 4320 copë fishekë, që përdoren për municion armësh kallashnikov e karabina vetëmbushëse", deklaruan burimet zyrtare të policisë, ndërkohë që u shprehën se këto plumba vijojnë të jenë armatim organik i ushtrisë shqiptare. Më pas policia ka ushtruar kontroll dhe në banesën e Hamit Ferrës, ku u gjet një pistoletë TT dhe 23 copë fishekë. Ndaj tyre janë ngritur akuzat përkatëse, ndërsa po hetohet se ku janë marrë armët dhe arkat me municione.