Ngritja në detyrë, një mekanizëm që PS-ja e dënoi me vdekje
Gjithçka shkoi sipas parashikimeve por edhe premtimeve të Edi Ramës. Rikonfirmohet Gramoz Ruçi si kryetar i Asamblesë Socialiste. Ish-sekretar i parë i komitetit të PPSH të rrethit të Tepelenës, ish-Ministri i fundit i Sigurimit, u votëbesua nga kreu i PS-së, për motive të dobëta, si simbol i lidhjes shpirtërore me të kaluarën jo të largët. Rilindja, për të cilën flet aq shumë kohët e fundit Edi Rama, në fillim duhej të ushtrohej me largimin e ca xhaketave të vjetra, që përfaqësojnë një kulturë jodemokratike.
Megjithatë ripërtëritja demokratike është e vështirë të praktikohet nga një udhëheqës që përdor “përjashtimin” e zërave ndryshe nga sekretariati i Partisë, si dikur përjashtimet e Hoxhës. Kastriot Islami dhe Andis Harasani dy kundërshtarët e linjës radikale brenda PS-së janë bërë kurban për interesa të reja. Këto interesa të reja janë krejt personale teksa konstaton ngritjen e rrufeshme në detyrë të Erion Velisë, i sapo-kooptuar në Asamble dhe pa asnjë kontribut historik apo politik në PS. Përpos fondacionit “Mjaft”, ish-partisë G99 dhe grevës së urisë përballë kryeministrisë, që janë veçse tre etapa falimentare të karrierës së tij politike. Në këtë mënyrë Rama i jep një goditje vdekjeprurëse mekanizmit të ngritjen në detyrë dhe përgjegjësi për merita dhe kontribute. Meritokracia u shua, rroftë miqësia!
Gjithashtu është e vështirë të kuptohet përse Ndre Legisi u ngrit kaq lart, në detyrën e Sekretarit të koalicioneve, kur politikani Legisi përfaqëson një ish-socialist të konvertuar në Lësëist të riorientuar sërish në socialist. Si mundet ai të bindë të tjerët për koalicion me PS-në, kur vetë e ka të vështirë të përcaktojë bindjet e tij politike. Thagmë! Do të kish qenë më mirë për Legisin të merrej me baxhon në Kashar.
Sakaq habia më e madhe është riciklimi dhe promovimi i Ilir Beqjes, si Sekretar për Programin e PS-së, kur ky u largua me turp nga salla e Parlamentit Shqiptar për faull të rëndë të ndaj Kushtetutës. Ai përfitoi fonde publike në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, ndërsa ishte deputet dhe element figurativ i grevës së urisë. Cili është mesazhi që Rama tenton të përçojë në strukturat e Partisë? Ngase i vetmi mesazh që të jep ngritja në detyrë e Ilir Beqjes është besnikëria e tij ndaj Ramës dhe shkelja me të dy këmbët e ligjit. Kurse Sekretar për Çështjet Zgjedhore është vendosur për emrin, Damian Gjiknuri, i cili humbi disa beteja ligjore me përfaqësuesit e PD-së në zgjedhjet e fundit lokale.
Sidoqoftë kriteri politik i përzgjedhjet se ngritjes në detyrë dhe në përgjegjësi, një gjë është e sigurt: Rama forcoi pozitën brenda PS-së. Këtë arritje e bëri nëpërmjet futjes në kryesi të kritikëve Ben Blushi dhe Arben Malaj, të përjashtimit nga kryesia dhe sekretariati i Andis Harasanit dhe Kastriot Islamit. Ai e ka të vështirë të bashkëjetojë me kritikat, me intelektualët që mendojnë ndryshe. Ai sulmoi ashpër Rexhep Meidanin gjatë Asamblesë sepse ky i fundit konstatoi mashtrimin e hapjes së 300 mijë vendeve të reja të punës. Atij i intereson deputetët që i mbajnë ison në parlament, i intereson që në kryesi të ketë koristë të aftë për të tragjedi të reja për vendin, për një sekretariat plot “Yes Man”, po shef, si urdhëron shef! Me këto zgjedhje brenda kotecit Rama emëtoi një mesazh në kod: kush qëndron urtë përfiton, kur kundërshton gjasat janë përjashtimi, kush është besnik rikonfirmohet dhe kush është shok ngrihet dhe kooptohet në sekretariat. Mirëpo po ta lexosh me lente demokracie ky mesazh është zhgënjyes.