Sot në Kuvendin e Shqipërisë, homazhe për pretendentin e Fronit Mbretëror, Leka Zogu i Parë

Sot në Kuvendin e Shqipërisë zhvillohen homazhe për ndarjen nga jeta të pretendentin e Fronit Mbretëror, Leka Zogu i Parë, i cili u nda nga jeta në moshën 72 vjeçare. Pretendenti i Fronit Mbretëror, Leka Zogu I, ndërroi jetë të mërkurën në orët e para të mëngjesit, pasi ndodhej në kurim mjekësor prej më shumë se 2 muajsh. Me vendim të Këshillit të Ministrave, qeveria e ka shpallur ditën e sotme, Ditë Zie Kombëtare. Ndërkaq, dje pasdite kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli zhvilloi një vizitë ngushëllimi në familjen e Leka Zogu I. Duke i shprehur ngushëllimet Princit Leka dhe familjarëve për ndarjen nga jeta të Leka Zogut I, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi figurën e Leka Zogu I si një atdhetar të mençur dhe me humbjen e Tij, shqiptarët kudo humbën një figurë të rëndësishme të historisë së tyre politike, një figurë që tashmë ka vendin e vet të nderuar në kujtesën tonë kombëtare. Më pas Kryeparlamentarja Topalli la dhe një shënim në librin e ngushëllimeve të çelur me këtë rast.
Homazhet, deklaratë e Policisë së Tiranës/Policia e Tiranës, nëpërmjet një deklarate për mediat, njoftoi dje se ka marrë masat e nevojshme lidhur me ceremoninë mortore të pretendentit të Fronit Mbretëror, Leka Zogu I. Në deklaratë thuhet se “nga shërbimet e Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore më datë 3 Dhjetor, ora 08.00 deri në orën 13.00, do merren masat për bllokimin e trafikut dhe moslejimin e parkimit të mjeteve në segmentin rrugor përgjatë rrugës “Xhorxh Ë. Bush” nga sheshi “Sulejman Pasha” deri te Bulevardi “Zhan D’Ark”, Ura e rrugës së Elbasanit”. Sipas policisë, e cila i referohet një shkrese të Drejtorisë së Protokollit të Ministrisë së Punëve te Jashtme, bëhet e ditur se më 3 Dhjetor 2011, ora 10.00- 12.00, organizohen homazhe në hollin qendror të Kuvendit të Shqipërisë dhe zhvillohet ceremonia mortore për vdekjen e Leka Zogu I dhe me pas trupi i tij do të përcillet për në banesën e fundit, duke u nisur nga Kuvendi i Shqipërisë- Bulevardi “Zhan D’Ark” - Bulevardi “Dëshmoret e Kombit”- Sheshi “Skënderbej”- Rruga e Kavajës – Varrezat e Sharrës.