E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: Qosja shumëfishon të pavërtetat

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar përsëri kundrejt reagimeve të Qosjes për përgjigjet e tij, që ky i fundit ja dha LDK-së në një shkrim të botuar në një të përditshme kosovare.

“Rexhep Qosja prapë doli publikisht me një varg denoncimesh dhe të pavërtetash, drejtuar në adresë të LDK-së, Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, medieve të pavarura, që i etiketoi si fashiste, të individëve e kujt jo tjetër”, shkruhet në fillim të kësaj komunikate të partisë së dytë për nga numri i votuesve në Kosovë.

Sipas LDK-së, Qosja në stilin e tij të tentoi të mashtrojë për gjithçka që lidhet me LDK-në, “denoncoi njerëz të LDK-së, si në fushatat e njohura, fundi i të cilave ka rezultuar me eliminime fizike të udhëheqësve të kësaj partie”.

“Ai kujtoi se e zhbëri një decenie të tërë plot vuajtje e përpjekje të shqiptarëve të Kosovës, fyu veprimtarë e martirë dhe e dëshmoi prapë së vazhdon të punojë kundër interesave të Kosovës”.

LDK konsideron se Qosja ka përsëritur të pavërtetat lidhur me rolin e LDK-së në luftën e Kosovës dhe harroi se po t’i “besonte populli i Kosovës, menjëherë pas luftës, në zgjedhjet e para pas luftës, do ta votonte atë e jo LDK-në”. “Ai fyu kështu veprimtarët dhe anëtarët e LDK-së, që me armë në dorë, dhanë jetën për vendin e tyre”, shkruan LDK në reagimin e saj.

Tutje, në reagimin e partisë kryesore në opozitë në Kosovë, Qosja prapë është marrë me përbërjen e ASHAK-së.

“Në paraqitjen e tij, ai përsëriti të pavërtetën se kinse me rastin e zgjedhjes së prof. dr. Isa Musfatës anëtar korrespondent i ASHAK-së është shkelur Ligji për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Duket që ai nuk e ka lexuar këtë ligj ose bën sikur nuk e ka lexuar. Ai fton shefin e tij, Hashim Thaçin, të ndihmuar nga kryetari i Kuvendit, që ta zgjidhë këtë punë, që të lajë hesapet me LDK-në, sipas mendësisë staliniste, si në kohën kur qeveritë bënin akademikë e akademi, kur qeveritë bënin ligjin dhe ndanin ‘drejtësinë’”, thonë përfaqësuesit e kësaj partie.

Sipas LDK-së, Qosja u mundua të mbulojë të vërtetën për paratë që mori nga PDK-ja. “Lidhja Demokratike e Kosovës edhe një herë përsërit se Fondi për shkencën është shpërdoruar dhe se paratë i janë dhënë Rexhep Qosjes. Fondi për shkencën nuk ndahet për botime kompletesh, por për punë dhe për projekte të reja shkencore”.

Kështu LDK thotë se botimi i verave dhe kompletit të veprave që janë bërë para tij nuk ka qenë në shumë aq të lart. “Ai flet për komplete veprash të botuara para tij, por harron të na kujtojë se nga çfarë fondesh janë financuar, në çfarë shumash dhe cila ka qenë lartësia e honorareve që kanë marrë autorët ose familjet e tyre”, thonë LDK.

Po ashtu, në këtë komunikatë përmendet edhe ish-presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova.

“Meqë e ka shumë merak Presidentin Rugova, familjen e të cilit dëshiron ta lërë edhe pa kulm mbi kokë, ia kujtojmë se për botimin e kompletit të veprave të Presidentit Rugova janë dhënë rreth 25 mijë euro, një shumë kjo e papërfillshme përballë 220 mijë eurove sa kanë shpërdoruar Qosja dhe PDK-ja bashkë, kur botuan kompletin e Qosjes, pa llogaritur këtu sa kanë kushtuar promovimet me ministra e ish-ministra”.

Në fund fare LDK thotë se i ka të njohura qëndrimet e Qosjes dhe i dinë fort mirë qëllimet e tij. Sipas tyre, ai sulmon parti dhe institucione, mediume dhe individ, në ëndrrën e marrë për të kthyer kohët që nuk kthehen.

“Kosova e pavarur, që ka projektuar Presidenti Rugova, për të cilën Presidenti Historik e dijetari i madh, LDK-ja dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, me ose pa armë, kanë punuar e janë përpjekur pafund, është shtet i pavarur. “Revolucione të vonuara demokratike”, që rrënojnë institucionet dhe jetën e shqiptarëve, nuk do të ketë më, sepse këtë nuk do ta lejojnë vetë shqiptarët. Ata do të dinë të sillen përballë çdo tendence që shkon në dëm të tyre”, thuhet në fund të komunikatës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›