E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngushëllime nga mbarë kombi për Komandon e vrarë

 “Është një tragjedi që ka rënë rrufe jo vetëm mbi të dy familjet, po mbi të gjithë ne.  Në emër të Partisë Socialiste e të të gjithë opozitës shqiptare u shpreh dhimbjen e thellë familjeve të të dy ushtarëve të rreshtuar në frontin e betejës në Afganistanin e largët”, shkruan Rama në mesazh.

“Tragjedia e rëndë që sot e përjetojnë me dhimbje të thellë jo vetëm familjet e dy djemve tanë po mbarë kombi ynë, është nga ato tragjedi që mbeten përgjithnjë të shënuara në historinë e sakrificave të lavdishme të një vendi. Askush nuk ua kthen dot djalin e vrarë familjes që qan sonte bashkë me gjithë Shqipërinë, por si askujt tjetër u takon sot prindërve të dy djemve të jenë krenarë për fëmijët që rritën dhe gjithë shqiptarëve të jenë kryelartë për ushtarët që kanë çuar në luftë”, vijon telegrami.

Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu ngushëllimet e thella për humbjen e komandos në Afganistan. Kreu i kësaj partie, Ilir Meta, i bashkohet lutjeve të familjes së Nëntetar Aleksandër PEÇI, i cili ndodhet në gjendje kritike, duke shpresuar për një shërimin të plotë e të shpejtë të tij.

Në këtë moment të rëndë, shprehim dhe ndajmë dhimbjen e thellë me familjarët për humbjen e birit të tyre, i cili me vetëmohim të jashtëzakonshëm dha jetën e tij në mbrojtje të vlerave të paqes, lirisë dhe demokracisë. Sot të gjithë shqiptarët përulen me nderim të thellë para heronjve tanë, sakrifica e të cilëve na shërben të gjithëve si kujtesë e dhimbshme për kontributin e madh që Shqipëria jep dhe do vazhdojë të japë përkrah aleatëve tanë ndërkombëtarë në luftën e përbashkët kundër terrorizmit”, shkruan Meta.

Telegram ngushëllimi mbërriti edhe nga Ministria e Jashtme e Kosovës, ku në mesazhin e dërguar ministrit tonë të Jashtëm, Edmond Haxhinasto, kryediplomati kosovar Enver Hoxhaj, shkruan se shqiptarë kudo që janë bashkëndjejnë dhimbjen e familjeve të viktimës dhe i bashkohen lutjeve për mbijetesën e ushtarit tjetër.

“Në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, ju shprehim ngushëllime për humbjen e jetës së një ushtari të Komandos së Kontingjentit “EAGLE-4” të Ushtrisë Shqiptare në Afganistan dhe plagosjes rëndë të një tjetri. Kjo vrasje ka tronditur popullin shqiptar kudo që është. Ne, si qeveri, dënojmë ashpër vrasjen e ushtarëve shqiptarë, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në sigurimin e paqes në Afganistan”, thuhet ndër të tjera në telegramin e ngushëllimit dërguar Ministrit Haxhinasto.

Letër ngushëllimi dërgoi edhe kryetari i Bashkimit Demokratike për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti, cili bashkohet me familjen e të vrarit dhe të plagosurit në këto momente të rënda. “Në emër të të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, më lejoni të ngushëlloj drejtuesit e institucioneve të Shqipërisë dhe t’i siguroj që shqiptarët e Maqedonisë qëndrojnë pranë tyre në këto momente të vështira. Ky akt dhune na bënë edhe më të vendosur që bashkë me aleatët tanë të shërbejmë në vendosjen e paqës dhe sigurisë, jo vetëm në Afganistan, por kudo në botë, të rreshtuar pranë miqve tanë ndërkombëtar për të promovuar vlerat e demokracisë”, thuhet në telegram.  /Start/

                                                                                             2012-02-21 08:53
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›