E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nicolas Sarkozy, mbron Izraelin

Presidenti francez, Nikola Sarkozi, tha para parlamentit izraelit, se Irani bërthamor është i papranueshëm dhe premtoi se Franca do ta mbrojë shtetin hebre kurdoherë dhe në çdo rast

Presidenti francez, Nikola Sarkozi, tha se një Iran me armë bërthamore është i papranueshëm dhe se Franca do ta mbrojë gjithmonë Izraelin nga ata që kërkojnë shkatërrimin e tij. Sarkozi e bëri deklaratën dje, në një fjalim që mbajti në parlamentin izraelit, ku tha se Izraeli nuk është i vetëm në shqetësimet rreth programit bërthamor të Iranit. Presidenti francez i bëri gjithashtu thirrje Izraelit, që t’u japë fund veprimtarive për ndërtimin e vendbanimeve në Jerusalemin Lindor dhe në Bregun e pushtuar Perëndimor, ku palestinezët synojnë të ngrenë shtetin e tyre të ardhshëm. Sarkozi tha se nuk mund të ketë paqe pa njohjen e Jerusalemit si kryeqytet, si të Izraelit, ashtu edhe të një shteti palestinez. Sarkozi është presidenti i parë francez që viziton Izraelin, pas 12 vjetësh marrëdhënie të ftohta mes Parisit dhe Tel Avivit. Sarkozi e shpalli veten mbështetës të Izraelit, pasi u zgjodh president vitin e kaluar, duke u shkëputur nga qëndrimi i paraardhësve të tij, të cilët shiheshin nga Izraeli si të lidhur më ngushtë me shtetet arabe. Presidenti Sarkozi përsëriti se ndalimi i ndërtimeve izraelite në territoret e okupuara është çelësi i paqes me palestinezët. Ai u tha deputetëve në parlamentin e Izraelit, “Knesset”, se “paqja e qëndrueshme kërkon krijimin e shtetit palestinez”. Sot, Sarkozi do të takohet në Jerusalem me presidentin palestinezë, Mahmud Abaz.

Presidenti francez një ditë më parë, në vigjilje të udhëtimit për në Izrael, kishte dënuar ashpër një sulm kundër një adoleshenti hebre në Paris dhe po ashtu kishte shprehur vendosmërinë për të luftuar të gjitha format e racizmit dhe antisemitizmit. Policia në Paris pohoi se ka arrestuar pesë të rinj pas incidentit të djeshëm. Një turmë të rinjsh sulmuan dhe rrahën 17-vjeçarin, i cili kishte vënë mbi kokë një kapele tradicionale hebraike. Unioni i studentëve francezë me origjinë hebraike tha se sulmi ishte antisemitizëm. I ati i viktimës i tha një radioje franceze, se në këtë sulm kanë marrë pjesë 15 veta. Adoleshenti po trajtohet në një spital dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ministri i Brendshëm francez, Mishel Aliot-Mari, ka urdhëruar që rreth këtij incidenti të bëhen hetime.

Rreth 150 ambasada amerikane pa kritere sigurie

Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se të paktën 150 nga ambasadat e tyre në botë nuk plotësojnë standardet e sigurisë. Sipas një plani, të paktën 8 miliardë dollarë duhen shpenzuar për të siguruar misionet. Departamenti Amerikan i Shtetit gjatë dekadës së fundit, ka shpenzuar deri më tani 4 miliardë dollarë në masa për të mbrojtur ndërtesat dhe stafin në ambasada dhe konsullata në vende të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›