E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthimi i dy talenteve në Shqipëri

Pianisti Fatrin Kraja dhe sopranoja Artemisa Repa, kanë lënë për pak ditë skenat botërore, për t,i dhuruar për herë të parë edhe publikut shqiptar pak doza nga arti i tyre klasik

Janë shqiptarë, por me emrat e tyre bota “loz” diplomacinë. Ne i kemi dhe bëjmë çmos që të mos i kujtojmë se janë shqiptarë, edhe pse ata vetë mundohen ta përmendin në çdo rast. Përtej Adriatikut janë me dhjetëra artistë të vendit tonë që po ngrenë në këmbë publikun e skenave më të famshme të botës. Midis tyre janë edhe Fatrin Kraja, si dhe sopranoja e talentuar Artemisa Repa, që ka prekur thuajse gjysmën e skenave në mbarë botën. Prej disa ditësh ata të dy ndodhen në Tiranë dhe, si për herë të parë, dëshirojnë t’i japin edhe publikut shqiptar të njëjtat doza emocioni që i shpërndajnë në shtetet e huaja. “Po, është e vërtetë që është i pari. Ishte një ftesë e një shoqate që operon këtu në Tiranë, që bëri të mundur shfaqjen time përpara publikut shqiptar. Mendoj se është një hap i mirë, që si unë të vijnë edhe shumë artistë të tjerë shqiptarë që janë të shpërndarë nëpër botë. Nisma të tillë janë vërtet për t’u admiruar. Koncerti është i ndarë në dy pjesë dhe unë do të luaj pjesë klasike, romantike e kontemporane. Kam shkuar në Amerikë në një moshë fare të re, dhe të japësh një shfaqje në vendin e origjinës, për mua është një sadisfaksion i veçantë, që nuk mendoj se e kam marrë në ndonjë skenë tjetër ku kam shkelur deri më sot e ku do të shkoj në të ardhmen”, shpjegon Fatrin Kraja. Një mbrëmje klasike ku do të interpretohet muzika e emrave të mëdhenj si Moxarti, Puçini, etj. Shijen e përballjes me publikun e huaj, si Fatrini dhe Artemisa e kanë provuar kohë më parë, por përballja me publikun e vendit të origjinës ka një tjetër emocion që dy muzikantët mezi po presin t,a përjetojnë. Suksesi më i fundit i Artemisës shënohet në Turqi, ku ka interpretuar rolin e Xhulietës. Sipas asaj çfarë shkruan shtypi turk, “shqiptarja Artemisa Repa ka kthyer dashamirësinë e publikut turk për operën”. Vlerësime të tilla janë bërë edhe më parë në mediat italiane, gjermane dhe këto për sopranon shqiptare janë frytet e një pune disa vjeçare që për hir të së vërtetës ajo e ka zhvendosur në arenat ndërkombëtare. Përpos artit, ajo ndjehet tepër e realizuar edhe në aspektin familjar. “Kam arritur shumë gjëra në moshë të re, por nuk do të ndalem këtu. Tani jam një bashkëshorte dhe një nënë e mirë, pai jam martuar me një diplomat italian dhe tashmë jam nënë e dy fëmijëve. Teksa flet për gazetën, edhe pse vetëm 27 vjeçe, ajo thotë se ndjehet e plotë si femër, si bashkëshorte dhe si nënë.

por lumturinë më të madhe ma jep vetëm skena. Në këtë drejtim kam shumë plane...”, thotë Artemisa. Ashtu si sopranoja e njohur, edhe Fatrini ka një dyzinë me projekte për të realizuar. Një album muzikor, ku do të përfshihen 17 kompozime të tij në vite, janë nisma më e fundit e pianistit. Më dëshirën e mirë që këtë përmbledhje t,a lançojë edhe në tregun amerikan, ai përpiqet të gjejë me çdo metodë një motiv për të vënë në jetë pasionin e tij. “Përveç këtij projekti, po bëj edhe  kompozimin e muzikës së filmit “Mira”, me regji të Dhimitër Ismailit. Jam informuar që ky film është bërë goxha i njohur këtu në Tiranë, ndërsa di që regjisori po përpiqet që ta prezantojë edhe në shumë kompeticione të rëndësishme kinematografike në Amerikë. Por nuk dua të mohoj dëshirën që së shpejti, nëse do të gjej ndonjë këngëtar shqiptar që t’i përshtatet muzikës sime, dua të bëj edhe një kompozim kënge për festivalet që zhvillohen këtu në Tiranë”, shton Kraja.

Me një axhendë tepër të ngjeshur dhe me duartrokitje që i kanë korruar në disa shtete të huaja, dy muzikantët e talentuar duket se nuk gjejnë ende një motiv konkret që do i kthente definitivisht në Shqipëri.

“Nuk e kam menduar akoma këtë detaj, për hir të së vërtetës. Po të krahasosh jetesën këtu me atë në Amerikë, mendoj se është një kontrast bardhezi. Nuk është se Shqipëria është mirë e Amerika është shumë herë më mirë, por ka një stil jetese komplet ndryshe. Unë kam fatin që të kem një pasaportë ndërkombëtare, që do të thotë se edhe nëse unë nuk jetoj këtu, kam mundësinë që të zhvilloj aktivitete artistike në Shqipëri dhe në çdo vend tjetër të botës. Një lëvizje permanente për këtu është tepër e vështirë për momentin”. Duket se nuk është arsyeja financiare ajo që i mban këta dy muzikantë larg Shqipërisë, pasi siç pohojnë ata “Aspekti financiar nuk është primar. Sigurisht që është një pjesë e rëndësishme për të jetuar, por ne bëjmë muzikë, pasi e kemi pasion dhe kënaqemi vetë. Në fund të ditës, çdo njeri pasi të bëjë rezymenë e përgjithshme, duhet të jetë i kënaqur me atë çka bën, të njëjtën gjë përpiqemi të bëjmë edhe ne”, përfundojnë Fatrini dhe Artemisa, që po presin me padurim të prekin nga afër shijen dhe duartrokitjet e publikut shqiptar.

“Aspekti financiar nuk është primar. Sigurisht që është një pjesë e rëndësishme për të jetuar, por ne bëjmë muzikë, pasi e kemi pasion dhe kënaqemi vetë. Në fund të ditës, çdo njeri pasi të bëjë rezymenë e përgjithshme, duhet të jetë i kënaqur me atë çka bën, të njëjtën gjë përpiqemi të bëjmë edhe ne”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›