Nigeri, takohen ish-krerët politikë botëror Bush, Rice dhe Blair
Ish-presidenti i SHBA-së, George Bush, ish-sekretarja amerikane e shtetit Condoleezza Rice dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair kanë qenë të ftuar në Nigeri në një aktivitet në të cilën janë nderuar figurat më të mëdha të shtetit afrikan në 50 vitet e fundit. Gjatë kësaj ceremonie janë vlerësuar personalitetet më të mëdha të Nigerisë në fushën e ekonomisë, biznesit, politikës dhe në fushën e të drejtave të njeriut.
Ky eveniment i veçantë u mbajt nga gazeta më e madhe e Nigerisë "This Day".
Kjo ceremoni është rasti i parë pas shumë vitesh që takohen përsëri 3 personalitetet e njohur politikë botëror të cilët nuk kanë më të njëjtat role drejtuese në politikën globale. Në këtë ceremoni mungonte për shkaqe shëndetësore kreu i vendit, presidenti i Nigerisë Umaru Yar'Adua. Presidenti Yar'Adua ndodhet në Arabinë Saudite prej 70 ditësh për shkak të probleme me shëndetin e tij.
Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Condoleza Rice, u pyet se a ishte logjike që në një vend demokratik të mos drejtohej prej 70 ditësh nga autoriteti i tij më i lartë. Rice u përgjigj se demokracia e një vendi nuk është kurrë peng i një personi të vetëm, edhe në rastin kur ky individ mund të jetë autoriteti më i lartë i vendit.
Që nga largimi i presidentit të Nigerisë, Umaru Yar'Adua, në drejtim të Arabisë Saudite, Nigeria ka përjetuar një varg krizash politike.