Nigeria drejt njohjes së Kosovës

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, në kuadër të angazhimeve për shtimin e numrit të njohjeve për shtetin e pavarur të Kosovës, ka takuar sot presidentin e Republikës së Nigerisë, Goodluck Jonathan dhe zëvendëspresidentin, Namadi Sambo.
Në një pritje shtetërore në Pallatin Presidencial në Abuja, Pacolli ka shprehur mirënjohjen e thellë për presidentin nigerian dhe për autoritetet shtetërore të këtij vendi për trajtimin me prioritet që po i bëjnë çështjes së Kosovës.
Jonathan ka falënderuar Pacollin për urimin e bërë me rastin e zgjedhjes së tij në krye të shtetit të Nigerisë në maj 2011.
Presidenti i Nigerisë Goodluck Jonathan ka shprehur gatishmërinë për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që Republika e Nigerisë të vendosë sa më shpejtë raporte të bashkëpunimit ndërshtetërorë me Kosovën, duke theksuar se vendi që ai drejton, në një periudhë sa më të shkurtër kohore, do të marrë vendimin për të njohur shtetësinë e Kosovës.
Kryeparlamentari Barnabas A.I. Gemade, ka premtuar se në kuadër të mbështetjes dhe angazhimeve të autoriteteve të Nigerisë për të formatizuar njohjen e Kosovës, do të inicioj një Rezolutë në Senatin e Nigerisë për njohjen e Pavarësisë së Kosovës.