E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nigeria në sulm

Afrika e Jugut 2010 do të jetë paraqitja e katërt e Nigerisë në Kampionatin botëror. Ata debutuan më 1994 në SHBA, kur kaluan në rrethin e dytë duke luajtur stil atraktiv të lojës ofensive. Katër vjet më vonë, Nigeria përsëri kaloi në fazën eliminatore, por u mposhtën 4-1 nga Danimarka. Ata dëshpëruan në garën e vitit 2002 në Kore dhe Japoni, ku nuk kaluan fazën e grupeve.

Kualifikimi
Nigeria siguroi pjesëmarrjen në Kampionatin botëror 2010 në xhiron e fundit të ndeshjeve kualifikuese pas fitores 3-2 ndaj Kenisë në Najrobi, ndërsa Mozambiku fitoi përballë rivalit, Tunizisë 1-0 në Maputo. Tifozët nigerianë mezi i besuan fatit që i përcolli, mirëpo vazhdojnë të mbesin skeptikë rreth formës së ekipit kombëtar.

Pikët e forta
Nigeria identifikohet me lojë ofensive. Ekipi përbëhet nga disa sulmues kualitativë si Yakubu (Everton), Obafemi Martins (Wolfsburg), Osaze Odemwingie (Lokomotiva e Moskës), Victor Obinna (Malaga), Chinedu Obasi (Hoffenheim) dhe Ikechukëu Uche (Real Zaragoza).

Pikët e dobëta
Mbrojtja, e sidomos qendra e mbrojtjes është pika e dobët e Nigerisë. Joseph Yobo ka luajtur përkrah Danny Shittus, Dele Adeleyes dhe Obinna Nwanerit, mirëpo ende nuk përbëjnë repart solid.

Trajneri
Nuk ishte befasi kur Shuaibu Amodu u largua nga posti më herët gjatë këtij viti – për herë të tretë që kishte marrë drejtimin e ekipit kombëtar. Mirëpo, emërimi i Lars Lagerbackut nuk kishte qenë i pritur. Suedezi kishte dhënë dorëheqje nga posti i tij me Suedinë pas dështimit për t’u kualifikuar në Afrikën e Jugut. Përvoja e tij do të jetë jashtëzakonisht e dobishme për Nigerinë.

Yjet e ekipit

Sulmuesi Osaze Odemwingie ka shkëlqyer në fazën përfundimtare të kualifikimeve. Obafemi Martins ka shënuar 15 gola në garat ndërkombëtare dhe ka bërë emër në futbollin evropian, ndërsa Ikechukwu Uche shërben si opsion shtesë për sulmin e Nigerisë.

Momentet më të mira në histori
Nigeria u bë ekipi i parë afrikan që fitoi Olimpiadën 1996 në Atlanta. Ky sukses ishte arritur nga gjenerata e artë e Austin ‘Jay Jay’ Okocha, Uche Okechukëu, Daniel Amokachi dhe Emmanuel Amuneke.

Objektivi i Botërorit 2010
Çfarëdo rezultati më pak se kalimi në rrethin e dytë do të konsiderohet dështim.

Gjasat për të kaluar në rrethin e dytë: 47.3 %
Gjasat për të kaluar në çerekfinale: 21.5 %
Gjasat për të kaluar në gjysmëfinale: 9.0 %
Gjasat për të kaluar në finale: 3.1 %
Gjasat për të fituar titullin: 1.1 %

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›