Tenderi i këpucëve, biznesmeni dhe zyrtari rrezikojnë burgun
Komplikohet sërish përgjegjësia penale e biznesmenit Ilir Sulo dhe zyrtarit të Ministrisë së Brendshme, Bujar Murati, në hetimet e hapura nga policia dhe prokuroria për të ashtuquajturin tenderi “i këpucëve”. Megjithëse i kanë shpëtuar arrestimit gjatë parregullsive të konstatuara nga prokuroria për tenderin e parë, Sulo dhe Murati mund të ndalohen nëse ndaj tyre do të gjenden prova që i implikojnë edhe në falsifikimin e tenderit të dytë. çështja mund të konsiderohet nga grupi hetimor si “krim në vazhdimësi” dhe me këtë shpjegim do të paraqesin në gjykatë një kërkesë për arrest, duke parë që rrezikshmëria e tyre shoqërore mund të rritet.
Megjithatë, hetimet për tenderin e “këpucëve” janë në fazën fillestare, ku organi i prokurorisë ka filluar të pyesë personat e parë që kanë pasur dijeni për ngjarjen dhe më pas deklaratat e tyre do t’i ballafaqojë me dokumentet, si dhe me deklarimet e të pandehurve. Në pyetje është marrë edhe Edmond Rusmali, një nga biznesmenët që kishte marrë pjesë në tender, por “parregullsitë” e Sulos dhe Muratit, sipas akuzës, e kanë përjashtuar nga ky tender. Rusmali ka shpjeguar para akuzës se ka pasur dyshime për këtë tender, por nuk ka asnjë provë, ndërsa prokuroria deklaron se ka në “dorë” disa prova që implikojnë të hetuarit në këtë abuzim. Sipas akuzës, edhe për tenderin e “këpucëve” është përdorur e njëjta skemë si në rastin e parë dhe të implikuarit mund të jenë të njëjtët. Fillimisht prokuroria urdhëroi arrestimin e disa personave, midis tyre edhe të Ilir Sulos dhe Bujar Muratit, zyrtarit të Ministrisë së Brendshme që merrej me prokurimet. Murati është arrestuar në Tiranë, ndërsa Sulo në qytetin e Sofjes, në Bullgari, pas një urdhër-arresti të prokurorisë. Të pandehurit apeluan vendimin e Gjykatës së Tiranës në Apel dhe kjo e fundit ka vendosur në favor të ankuesve, duke ua hequr masën e arrestit me burg.
Dosja e prokurorisë për veshmbathjet ka shkuar në gjykatë, ndërsa një tjetër hetim ka nisur në prokurori, i cili mund të vërë sërish nën arrest të pandehurit e kësaj çështjeje. Burime nga prokuroria dhe policia thanë se, nëse vërtetohet abuzimi për të cilin ka dyshime, atëherë do të urdhërojnë ndalimin. Nëse jo, atëherë ata do të gjykohen vetëm për pjesën e parë të tenderit. Burime nga policia dhe prokuroria deklarojnë se abuzimet me tenderin e “këpucëve” janë më të mëdha. Tenderi i uniformave të Policisë së Shtetit, të Ushtrisë, të Doganave dhe Tatimeve është kthyer pasi janë gjetur parregullsi, ndërsa tenderi për “këpucët” është kryer dhe fituese në pesë lote ka dalë firma e biznesmenit Ilir Sulo.
#