E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nik Xhelilaj ndër dhjetë talentet e kinemasë evropiane

Nga një rol në tjetrin, sado që me pak ndryshime mes tyre, Nik Xhelilaj konfirmohet ndër dhjetë talentet e aktrimit evropian. Qendra Kombëtare e Kinematografisë dha dje lajmin se juria e "Shooting Stars 2011", për rolin e Arben-shqiptarit, në filmin "Shqiptari", e shpall si një nga 10 talentet e reja të Evropës.


Juria e përbërë nga aktorja gjermane Heike Makatsch, regjisori danez Ole Christian Madsen, producenti francez Cédomir Kolar, Lina Todd nga SHBA dhe kritiku britanik i filmit Derek Elley, midis kandidatëve nga e gjithë Evropa, zgjodhi 10 aktorët më të mirë, për t'i promovuar si talentet e vitit 2011 në Kinematografinë Evropiane. Xhelilaj, i përfaqësuar më filmin "Shqiptari", është ndër ta.


Njëlloj si kandidatët e tjerë, ai fillimisht është propozuar nga QKK e cila e ka këtë drejtë si anëtare e European Film Promotion (EFP), pjesë e të cilit është "Shooting Stars", program që prej vitit 1998 prezanton aktorë të rinj dhe të talentuar evropianë.
Prej majit 2010, QKK përfaqësohet në rrjet European Film Promotion.


Të 31 vendet anëtare të EFP-së kandiduan me aktorë në bazë të kritereve të përcaktuara nga programi: mosha, përfaqësimi i aktorit në të paktën 2 role kryesore në filma artistikë,
pjesëmarrja me një film i cili po qarkullon në festivale ndërkombëtare. Kriter me rëndësi është që aktori të kishte fituar së paku një çmim me filmin në fjalë.


Qëndra Kombëtare e Kinematografisë, bëri të ditur dje se "prezantimi i parë i talenteve do të jetë gjatë ditëve të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin (10-20 Shkurt 2011), ku do të nderohet me çmim edhe aktori përfaqësues i Shqipërisë Nik Xhelilaj së bashku me 9 aktorët e tjerë fitues, për të vazhduar më pas me një tour në disa nga Festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare mbarë botës, si Sundance, Romë, Kanë etj.."


Komenti i jurisë për aktorin shqiptar është ky: "Te Shqiptari, Xhelilaj i jep portretit të tij, një emigrant ilegal, njëherësh thellësi dhe ndjeshmëri duke e veshur rolin me një kompleksitet të çuditshëm. Një zbulim i ri dhe premtues."


I lindur në vitin 1983, Nik Xhelilaj u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë, Fakultetit i Artit Skenik, më 2008. Debutoi në teatër, akoma student, me rolin e Stenli Kovalskit, prodhimi i Akademisë, "Tramvaj me emrin dëshirë" i Tenesi Uilliams.


Në kinema debuton në filmin e shkurtër artistik "Single use" (2005) i Erion Hasanllari dhe filmi i Piro dhe Eno Milkanit, prodhimi shqiptaro-çek, "Trishtimi i zonjës Shanjder" (2008) e bëri mjaft të njohur. Më pas interpreton te "Gjallë!" (2008) i Artan Minarollit.


Me interpretimin në bashkëprodhimin gjermano-shqiptar të Naberit (2010), ai fiton Silver George për "Best Actor" në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Moskë 2010, "Best Actor" në PriFilmFest në Prishtinë dhe në International Antalya Golden Orange Film Festival.


Nëntë kandidatët e tjerë janë: nga Kroacia Marija Skaricic, nga Danimarka Pilou Asbak, nga Gjermania Alexander Fehling, nga Irlanda Domhnall Gleeson, nga Maqedonia Natasha Petrovic, nga Spanja Clara Lago, nga Suedia Alicia Vikander, nga Holanda Sylvia Hoeks dhe nga Britania e Madhe Andrea Riseborough.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›