Ndihmat, qytetarët: Po shiten në treg

SHKODÃR/ Ndërpriten ndihmat për qytetarët e Shkodrës. Bashkia: Uji ka rënë, qytetarët mund të lëvizin për nevojat e tyre
SHKODÃR - Të mërkurën në qytetin e Shkodrës janë ndërprerë ndihmat për qytetarët e përmbytur, ndërsa shumë prej tyre akuzojnë se ndihmat po shiten në treg. Pavarësisht ndihmave të mëdha që po vijnë nga i gjithë vendi për këtë qytet, bashkia ka deklaruar se duke qenë se niveli i ujit ka rënë, qytetarët mund të lëvizin për nevojat e tyre.
Por qytetarët shkodranë që kishin braktisur shtëpitë e tyre gjatë përmbytjes dhe ishin strehuar diku tjetër, shprehen se nuk kanë marrë asnjë ndihmë. Kjo pasi ata nuk e kanë pasur mundësinë të shkonin e qëndronin me orë të tëra duke u shtyrë në vendet ku ndaheshin ndihmat ushqimore me karta identiteti, ose edhe nuk e kanë ditur këtë. Shumë prej tyre nuk kanë qenë në shtëpi dhe kur bashkia e kryetari i saj fillimisht i dërguan pakot me ndihma nëpër banesat e përmbytura.
Akuzat
Kaosi që ka shkaktuar ndarja e ndihmave ushqimore për banorët e qytetit të Shkodrës, është shoqëruar dhe me akuza të qytetarëve për abuzime. Ndonëse kjo mohohet nga bashkia duke thënë se ndarja është bërë sipas listave të zgjedhësve, me kartë identiteti të kryefamiljarit, ata që nuk kanë pasur mundësi të lëvizin nga uji apo nuk kanë pasë se kush të shkonte t'i tërhiqte në vend të tyre, kanë mbetur pa ndihma. Vetë qytetarët e Shkodrës pohojnë se pako me ndihma ushqimore të paketuara në rezervat e shtetit, janë parë duke u shitur në lagjen "Rus".
Po kështu batanije dhe pajisje të tjera të ardhura në Shkodër për të përmbyturit, kanë qenë të pranishme në tregjet e qytetit. Nuk dihet nëse këto kanë qenë ndihma të shtetit apo shoqatave të ndryshme.
Ndihmat
Në raportet zyrtare të shtabit të emergjencave civile në Shkodër raportohen çdo ditë kontigjente të konsiderueshme ndihmash të ardhura për të përmbyturit. Sipas informacionit të pasditës së të martës, në Bashkinë Shkodër janë shpërndarë 2580 bukë, 7 ton ujë, 1600 pako ushqimore.
Në depot pranë uzinës së telave është bërë ngarkim-shkarkim ndihmash ushqimore dhe materiale në ndihmë të popullsisë civile. Janë shkarkuar 10 gjeneratorë dhe 3 000 batanije.
Në komunën Rrethina janë transportuar 8 ton koncentrat. Në komunën Ana e Malit janë transportuar dhe shpërndarë 100 pako ushqimore, 5 ton miell, 1 ton klor, 10 ton ujë, 15 ton koncentrat. Në komunën Guri i Zi janë transportuar 150 pako ushqimore nga Maqedonia, 25 copë shtretër, 5 ton miell.Në komunën Velipojë janë transportuar 5 ton miell, 300 pako ushqimore, 300 kg detergjentë, 10 ton ujë. 10 ton koncentrat.
Në komunën Bushat janë transportuar 1 ton ujë, 500 litra lëngje të ndryshme, 20 ton koncentrat nga Maqedonia, 400 pako ushqimore, 300 kg detergjentë, 220 bukë, 5 copë çadra. Në Malin e Jushit ka punuar 1 fadromë për forcimin e argjinaturës.
Në dispozicion të komunës është vënë 1 varkë gomone. Në Komunën Dajç janë transportuar 900 copë bukë, 10 ton ujë, 200 pako ushqimore, 2280 qirinj, 25 shtretër portativë, 7 ton miell, 14 ton koncentrat, 2 gjeneratorë, 200 kg klor, 15000 copë thasë për mbushje, 25 thasë veshmbathje.
Në Komunën Bërdicë (Trush) janë shpërndarë 400 pako ushqimore, 20 ton koncentrat nga Maqedonia. Në bazën e Gjadrit janë ngarkuar, shkarkuar dhe transportuar 50 ton koncentrat nga të cilat 40 ton nga Maqedonia.
Në komunën Postribë janë transportuar dhe shpërndarë 77 pako ushqimore.
Kryqi i Kuq Shqiptar është angazhuar të mbështesë 2000 familje me një pako ndihmë ushqimore mujore dhe ndihma të tjera, si batanije dhe kite higjienike.Në Lagjen "Ajasëm" u asistuan 137 familje me një paketë familjare e cila ka në përbërje të saj: 25 kg miell, 5 kg sheqer, 5 kg oriz, 5kg fasule, 5 litra vaj, 8 litra ujë, 4 copë batanije.