Nikçi, drejt Augsburgut

Adrian Nikçi mund t’i bashkohet Augsburgut në janar. Mesfushori shqiptar dëshiron ta lë Zurichun, për ta provuar eksperiencën e re në klubin gjerman, i cili e ka veçuar këtë futbollist si njërin prej objektivave të tij.
“Transferimi në Augsburg do të ishte një gjë e bukur”, ka thënë Nikçi për uebfaqen gjermane, augsburger-allgemeine.de.
Augsburgu e kishte kërkuar Nikçin edhe gjatë verës që shkoi, por ky transferim nuk ishte realizuar për shkak se klubet nuk ishin marrë vesh ne aspektin ekonomik. Duket se drejtuesit e nënkampionit zviceran nuk e kanë ndërmend ta lëshojnë futbollistin as këtë dimër.
Por, afati kalimtar i janarit fillon më 1 dhe përfundon më 31 janar, kështu që Augsburgu ka kohë për ta bërë 22 vjeçarin të vetin. Sipas mediave gjermane, Nikçi mund të kalojë në klubin nga Bundesliga gjatë dimrit për 700 mijë euro. Pjesë e Augsburgut, aktualisht është edhe futbollisti tjetër shqiptar, Edmond Kapllani.