Evropën ta sjellim në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, Bashkim Cukaj, ka thënë se rruga që e pret rininë kosovare është e vështirë dhe ka shtuar se rekomandimet që jep kuvendin i të rinjve të merren parasysh nga qeveria e Kosovës në mënyrë që kjo shtresë e shoqërisë të jetë më efikase.
“Rinia jonë ballafaqohet me një varg problemesh dhe ne jeni këtu për të diskutuar së bashku, për të gjetur alternative të tjera të suksesshme dhe për t’ua rekomanduar qeverisë së Republikës së Kosovës alternativat që në të ardhmen të jemi më efektiv në aspektin e rinisë”, ka thënë ai.
Ai është shprehur fatlum që i takon pjesës më të madhe të popullsisë, dhe sipas tij, kjo shumicë e të rinjve paraqet një përparësi jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë popullin shqiptar.
Ndërkaq, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi, ka thënë se ministria që ai drejton do të vazhdojë mbështetjen për rininë përmes projekteve të organizatave rinore.
“Unë e di që ju sikur e gjithë shoqëria kosovare përballeni me shumë sfida, duke filluar nga shkollimi, mundësitë për karrierë dhe jeta e juaj e përditshme. Ndoshta shumëçka do të dëshironim që të jetë ndryshe dhe që proceset të kishin ecur më shpejt, por siç e dini, rinia është në listën e prioriteteve kryesore të mia për këtë mandate dhe kjo nuk ka mbetur vetëm në letër, apo vetëm deklaratë. Qysh në këtë vit gjithçka është bërë dhe shumëçka ka ndryshuar për të mirë konsideroj. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit këtë vit e ka rritur mbështetjen për projektet e organizatave rinore”, ka thënë ai.
Edhe pse në këtë interpelancë kishin qenë të ftuar edhe ministri i Arsimit, Ramë Buja dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ata nuk kanë marrë pjesë, ndërsa në vend të ministres së Integrimeve Evropiane Vlora Çitaku ka qenë Gëzim Kasapolli.
Zëvendësministri për Integrime Evropiane, Gëzim Kasapolli, ka theksuar se rinia e Kosovës nuk do të jetë barrë për Bashkimin Evropian, por do të jetë një vlerë me të cilën edhe BE-ja do të mburret.
“Ne si Qeveri e Kosovës nuk dëshirojmë që Kosovën ta dërgojmë në Evropë. Ne dëshirojmë që Evropën ta sjellim në Kosovë dhe për këtë arsye ju jeni ata të cilët do t’i paraqitni edhe Bashkimit Evropian vlerat e juaja dhe do t’i bindni ata që Kosova në Bashkimin Evropian kurrë nuk do të hyjë si një barrë, por do të jetë vlerë dhe kjo vlerë jeni ju rinia e Kosovës”, ka thënë ai.
Për më tepër, kjo interpelancë në mes të Kuvendit të të Rinjve të Kosovës dhe përfaqësuesve të ministrive të qeverisë dhe të organizatave joqeveritare të Kosovës, ka vazhduar me pyetje nga audienca që ishte e përbërë kryesisht nga të rinjtë.
Kuvendi i të Rinjve të Kosovës, do t’i vazhdojë aktivitetet e tij edhe në komunat e tjera të Kosovës, më qëllim që të rinjve t’u japin më shumë hapësirë për aktivitetet e tyre.