Nikoliç kundër Tadiç? Jo faleminderit!
Agon Hamza
Reagimet rreth fitores së Tomislav Nikoliç në zgjedhjet presidenciale në Serbi, shpërfaqin ngërçet dhe limitin ideologjik të fushës në të cilën zë hapësirë politika. Janë dy reagime të cilat këtu meritojnë të analizohen me detaje. Të gjitha forcat e ashtuquajtura pro-evropiane në Serbi, Kosovë e gjetiu, përfunduan në gjendjen e tyre primordiale: konformistët liberalë e gjejnë kënaqësinë hipokrite në mbrojtjen e rendit ekzistues; ata e dinë që në Serbinë e Tadiçit ka korrupsion, eksploatim, pabarazi. Mirëpo secila tendencë për të lëvizur nga rruga evropiane është e predestinuar të përfundojë në një katastrofë të re. Kjo brengë dashamirëse e gjen shprehjen e vet konsekuente në shantazhin e zakonshëm liberal: e ardhmja evropiane e Serbisë tani më nuk është e sigurt me fitoren e ultranacionalistit Nikoliç. Në anën tjetër, reagimet rreth raportit të ri që Nikoliç do të krijojë me Kosovën janë në po të njëjtën linjë, të mistifikimit ideologjik të raporteve që skena politike e Serbisë ka me Kosovën.
Ekziston një barsaletë nga filmat e Marx Brothers, në të cilën pyetjes së zakonshme çaj apo kafe?, Groucho Marx i përgjigjet me po, faleminderit.
Po, faleminderit këtu qëndron për refuzimin e zgjedhjes. A nuk duhet të përgjigjemi njësoj në dikotominë false Tadiç-Nikoliç, refuzimin e bërjes së zgjedhjet, pikërisht për shkak të refuzimit të saj si zgjedhje false par ekselencë. Thënë ndryshe, Tadiç dhe Nikoliç nuk janë alternativa reale ose gjenuine. Po, Nikoliç është ultranacionalist dhe në lidhje me këtë nuk ekziston as më i vogli dyshim. Shqiptarët duhet ti infektojmë me virusin HIV, ishte njëra nga deklaratat e famshme të Nikoliç. Si i tillë, ndonëse i fitonte shumicën e zgjedhjeve në Serbi përgjatë viteve, për shkak të presionit të bashkësisë ndërkombëtare ai nuk arrinte të bëhej kryeministër ose president i vendit. Së këndejmi, Nikoliç ka nevojë të jashtëzakonshme për legjitimitet nga BE dhe SHBA-të.
Përgjatë historisë, janë kryesisht nacionalistët ata që kanë bërë kompromiset më të mëdha në të ashtuquajturat çështje kombëtare: ishte De Gol ai që e njohu pavarësinë e Algjerisë (dhe jo të majtët ose liberalët); në Kosovë UÇK-ja pranoi marrëveshjen e Rambujesë pastaj Planin e Ahtisaarit, etj. Në këtë kontekst, nëse lexohen deklaratat e Nikoliç rreth Kosovës, atëherë mundësia që çështja e Kosovës të zgjidhet është shumë më e madhe me Nikoliçin se sa me pozicionet limbo të liberalëve dhe të tjerëve. Sidoqoftë, kjo në asnjë mënyrë nuk duhet të lexohet si atribuim i ndonjë karakteri emancipues të nacionalizmit, përkundrazi. Nacionalizmi, çfarëdo qoftë ai, është dhe duhet të lexohet vetëm si reaksion dhe pafuqi për përballje me kontradiktat e vërteta të shoqërisë. Mirëpo, një gjë këtu nuk duhet harruar: nuk është as Nikoliç dhe as Tadiç problemi pse Serbia nuk e njeh Kosovën. Këtu i duhet rikujtuar BE-së dhe të tjerëve se problemi qëndron pikërisht në terrenin ideologjik të definuar nga Milosheviçi këta të tjerët vetëm po e luajnë atë lojë. Akti i vërtetë i emancipimit politik në Serbi nuk është ajo që tashmë e dëgjojmë nga e gjithë skena politike serbe fajtor për humbjen e Kosovës është Millosheviçi, por ekzaktësisht e kundërta: sine qua non për një akt politik autentik i cili e refuzon terrenin politiko-ideologjik të përcaktuar nga Milosheviçi. Në këtë kontekst, kur disa i gëzohen fitores së Nikoliçit me arsyen se Evropa duhet ta shohë fytyrën e vërtetë të Serbisë, ata humben në terrenin e mistifikimeve. Fytyra e vërtetë politike e Serbisë vazhdon të jenë premisat politiko-ideologjik tashmë i etabluar nga Millosheviçi, të cilën figurat e ndryshme politike si Nikoliç, Tadiç janë konsekuenca të këtij korrenti ideologjik.