Pse na duhen universitetet private
Rasti ekstrem i universitetit Kristal dhe dhënia e diplomave të pamerituara ka shtruar për diskutim çështjen e sistemit të edukimit privat në Shqipëri. A mund ta shkatërrojë imazhin e këtij sistemi skandali i diplomës së Renzo Bossi-t dhe a mund tia zbehë rëndësinë dhe vlerën që ka edukimi privat në sistemin arsimor të vendit?
Krijimi i sistemit arsimor privat është një nga arritjet më të suksesshme të sistemit arsimor shqiptar për disa arsye.
Së pari, në shoqërinë demokratike u jepet mundësia të gjithë qytetarëve për edukimin e tyre, në bazë të përzgjedhjes së lirë për institucionin dhe sipas mundësive që kanë. Edukimi i një populli nuk mund të përcaktohet nga kuotat e limituara të universiteteve publike. Qytetarët duhet të kenë mundësinë e pakufizuar për edukim dhe shkencë. Sistemi privat e bën të mundur këtë proces.
Së dyti, sistemi i edukimit privat krijon mundësinë e madhe të shndërrimit në të ardhmen të institucioneve edukuese në institucione kërkimore dhe qendra studimore, duke bërë profilizimin e mëtejshëm të tyre. Gjatë tranzicionit demokratik sistemi privat i edukimit është baza për zëvendësimin e sistemit akademik lindor, i cili bazohet në institucionet e përcaktuara nga shteti. Iniciativa private e orientuar nga kërkesat e tregut vepron me shpejtësi drejt përmbushjes së nevojave dhe kërkesave të shoqërisë.
Së treti, rregullon dhe përafron tregun e vlerës reale të pedagogut, punonjësit shkencor, duke i ofruar një vlerë më reale për punën e tij, gjë që shteti dhe institucionet publike e kanë të vështirë ta realizojnë.
Sigurisht, këto vlera pozitive të sistemit të edukimit privat nuk vlerësohen që në hapat e parë në raport me sistemin në përgjithësi dhe përfitimin e shoqërisë. Ajo mbetet pre e gjykimit, objektiv e subjektiv të opinionit publik, i cili mbivlerëson faktin në raport me fenomenin në tërësi dhe është i prirë, së pari, të influencohet në gjykim nga skemat tradicionale të edukimit që njeh duke e pranuar një realitet të ri me skepticizëm, së dyti, në pamundësinë e ndarjes së vlerësimit për dobinë e sistemit privat të edukimit në përgjithësi, me gjykimin që niset nga rastet e veçanta në shpërdorimin e kësaj iniciative drejt një tregu përfitues financiar, nga individë të veçantë. Së treti, nga personaliteti dhe formimi i individëve që kanë krijuar këto institucione arsimore. Opinioni publik është i prirë të vlerësojë iniciativën akademike kur kjo vjen nga rrethe intelektuale dhe të paragjykojë këtë iniciativë, kur ajo vjen nga rrethet e biznesit. Niveli arsimor profesional dhe standardet që pranohen e përdoren nga institucionet e edukimit privat janë pjesë e diskutimit të opinionit publik, i prirë të gjykojë pro dhe kundër për vlefshmërinë e këtyre institucioneve, në bazë të rasteve konkrete.
Vlerat e sistemit të edukimit privat si domosdoshmëri e zhvillimit të edukimit në një shoqëri demokratike do të arrihen nëpërmjet konsolidimit të tij në kohë. Sot, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më shumë se 6000 institucione të arsimit të lartë si universitete e kolegje. Shoqëria amerikane, pavarësisht se i pranon të gjithë, vlerësimin profesional te tyre ia beson tregut të punës, arritjeve shkencore të institucioneve, nivelit të stafit pedagogjik dhe vlerësimit të opinionit publik. Seleksionimin e vlerave të përgatitjes shkencore e profesionale të universiteteve e përcaktojnë institucionet e profilizuara dhe opinioni publik.
Për institucionet e edukimit privat në Shqipëri nuk duhet të shqetësohemi, nëse janë 50 apo 100. Kjo ka të bëjë me iniciativën dhe tregun e lirë. Seleksionimi i tyre do ti përkasë kohës. Dhe në këtë proces kanë rëndësi primare marrëdhëniet e këtyre institucioneve me Ministrinë e Arsimit, që është kontrolluese dhe garantuese e kërkesave të licencës. Në qoftë se një universitet privat nuk zbaton kriteret e detyrueshme të nivelit arsimor e profesional dhe vepron në dëm të qytetarëve duke shitur diploma, atëherë Ministria e Arsimit duhet të veprojë. Nga ana tjetër, vlerësimet dhe diferencat midis këtyre institucioneve duhet të bëhen nga opinioni publik, analistët dhe përfaqësuesit e mediave, të cilët me gjykimin e tyre bëjnë vlerësimin dhe orientojnë opinionin publik për këto institucione. Ata duhet të jenë objektivë dhe realistë në paraqitjen e sukseseve në këto universitete, por edhe të jenë kritikë ndaj të tjerëve që prodhojnë fenomene negative.
Dikush shqetësohet me te drejtë se të diplomuarit nga universitetet private po zënë vend në administratën publike dhe mosformimi profesional i tyre mund të ndikojë në keqqeverisjen e vendit. Ky diskutim sigurisht nuk shkon në dëm të institucioneve private të edukimit sesa në zgjedhjen subjektive dhe klientelizmin që shoqëron pushtetin politik dhe shoqërinë shqiptare në këtë stad të zhvillimit të demokracisë. Dhe ky fenomen nuk shikohet vetëm në administratën publike, por edhe në përzgjedhjen e përfaqësuesve të popullit dhe gjithë klanit nepotik e klientelist që siguron përkrahjen për pushtet të partive politike.
Në përfundim, duke besuar në vlerat e sistemit të edukimit privat, si pjesë e sistemit arsimor të vendit, shpresoj që në vijimësi këto institucione do të paraprijnë në formimin profesional të një brezi të ri. Shqipëria nuk ka arsye pse të jetë ndryshe nga gjithë Perëndimi.
